Referendumi u zbatua në 3.513 vendvotime në 80 komuna në vend
Në ora 19 përfundoi votimi për referendumin e sotëm i cili mbahet në Republikën e Maqedonisë, në të cilin qytetarët u prononcuan në pyetjen “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë?”, raporton Anadolu Agency (AA).
Referendumi u zbatua në 3.513 vendvotime në 80 komuna në vend.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor njoftoi se deri në orën 17, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 455.771 votues, gjegjësisht 28,83 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski,në konferencën për shtyp për procesin e votimit deri në ora 17:00, theksoi se procesi i votimit është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, pa ndërprerje dhe pa probleme të mëdha.
Ai shtoi se shumica e kundërshtesave që parashtrohen vazhdojnë të jenë si më herët, ajo që disa qytetarë nuk figurojnë në listën e votuesve. Ai theksoi se kundërshtesat janë hedhur poshtë, për shkak se nuk kanë pasur dokumente valide të identifikimit.
Me të drejtë vote për referendumin në nivel shtetëror në listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 1.806.336 votues. Për të arritur censusin e parashikuar prej 50 për qind plus një votë, në referendum duhet të dalin së paku 903.169 votues.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) lidhur me referendumin u ka lëshuar akreditime për vëzhgim 11.907 vëzhguesve vendorë dhe 493 të huaj.
Rikujtojmë se qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë në qershor të këtij viti në Prespë, nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedonas-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, sipas të cilit Republika e Maqedonisë duhet ta ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.