Skema të mëdha të shpëlarjes së parave në Kosovë i ka identifikuar Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Financave (MF). Kompani të huaja, në bashkëpunim me ato vendore, së paku në 19 raste janë zënë duke shpërlarë para përmes bankave, kompanive të sigurimit, kazinove, patundshmërive, prostitucionit etj.
Në raportin e Inteligjencës Financiare (NJIF) “Tipologjitë e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizimit në Kosovë” të siguruar nga gazeta “Zëri”, thuhet se NJIF-ja ka identifikuar rastet kur kreditë bankare janë përdorur për justifikimin e prejardhjes së fondeve.
Në këtë raport NJIF nuk përmend emrat e bizneseve dhe personave fizikë të përfshirë në pastrim parash, me ç’rast për shkak të ndjeshmërisë së rasteve dhe hetimit të tyre u referohet me iniciale.
Në raportin e NJIF-së thuhet se personi i identifikuar si “S”, ishte pronar i dy kompanive të identifikuara në raport si “A” dhe “B”, të cilat morën dy kredi mjaft të larta në një bankë në Kosovë, në të njëjtën periudhë kohore. Vlera e atyre kredive bankare ishte 1.500.000 euro dhe 450.000 euro, ku qëllimi i marrjes së atyre kredive ishte “rritja e kapaciteteve të biznesit” dhe “blerja e mallrave”.
Por, Inteligjenca gjatë analizimit të rrjedhës së atyre kredive ishte vërejtur se ato shuma kishin një destinim krejtësisht ndryshe nga çfarë ishte kërkuar fillimisht. /Telegrafi/