4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Në Maqedoni sot protesta në disa qytete

Më të lexuarat

Në disa qytete të Maqedonisë sot janë paralajmëruar protesta të vetëorganizuara të shqiptarëve.

Protestat e organizuara përmes rrjeteve sociale, bëjnë të ditur se qytetarët do të protestojnë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë dhe Kumanovë, me moton “Stop rasteve të montuara politike kundër shqiptarëve”.

Oraret e mbajtjes së këtyre protestave janë caktuar menjëherë pasdite, pas lutjeve të së premtes.

Protestat kanë nxitur debate lidhur me organizimin dhe mesazhet që do të përcillen nga këto protesta, pasi që protesta e javës së kaluar në Shkup mori kahjen edhe të një proteste me karakter fetar, për shkak të flamujve islam dhe thirrjeve fetare nga grupe të caktuara të protestës.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë shprehur të përmbajtura lidhur me protestën. Partia në pushtet BDI ka bërë thirrje për një protestë të qetë duke shmangur incidentet dhe shkeljen e rendit.

PDSH opozitare ka ftuar shqiptarët që të mos dalin në këtë protestë, duke mos ditur siç thuhet organizatorët dhe aventurat e tyre si dhe të mos ndërlidhen aspektet fetare me ato kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.

Partitë e tjera politike nuk janë deklaruar lidhur me mbajtjen e këtyre protestave.

Faktori ndërkombëtarë në Shkup, SHBA, BE dhe përfaqësitë e tjera diplomatike kanë bërë thirrje për protestë të qetë dhe demokratike, duke shmangur incidentet dhe duke i lejuar institucioneve që të hetojnë dhe zbardhin vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska deklaroi se po ndjekë të gjitha porositë në internet lidhur me organizimin e protestave të paralajmëruara dhe se organet e rendit do të bëjnë punën e tyre për të siguruar rendin dhe qetësinë.

Thirrje për protesta janë bërë edhe nga rrjete sociale maqedonase. Në një nga thirrjet që ka marrë mbështetje masive është ajo e një grupi të ashtuquajtur “Protesta para qeverisë”, ku thirren qytetarët për të protestuar të shtunën para Qeverisë. Sipas mesazheve të bëra ky organizim do të jetë në formën e kundërprotestës kundër shqiptarëve. /INA/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit