Prokuroria italiane heton akuzat për rrëmbim, torturë dhe abuzime fizike e seksuale ndaj aktivistëve të ndaluar në Ashdod
Zyra e Prokurorit të Romës ka hapur një hetim ndaj Ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Ben Gvir, pas akuzave për abuzime ndaj aktivistëve të Flotiljes të ndaluar në portin e Ashdodit, shkruan La Stampa.
Hetimi nisi pas publikimit të pamjeve filmike që tregojnë aktivistë të detyruar të qëndrojnë në gjunjë, me duart e lidhura pas shpine, ndërsa sipas dëshmive janë tallur dhe dhunuar nga ushtarët izraelitë.
Sipas gazetës italiane, pamjet kanë shkaktuar reagime të forta publike. Në video shihet ministri Ben Gvir duke lëvizur mes të ndaluarve dhe duke u drejtuar atyre para kamerave: “Mirë se vini në Izrael. Ne jemi padronët këtu!”, ndërsa përgëzon ushtarët për veprimet e tyre.
Sipas kallëzimeve të paraqitura në Itali, aktivistët pretendojnë se kanë qenë viktima të rrëmbimit, torturës dhe trajtimeve çnjerëzore. Prokurorët në Piazzale Clodio kanë marrë gjithashtu një listë të përpiluar nga Fondacioni Hind Rajab, që përmban emrat e disa ushtarëve të identifikuar nga aktivistët si përgjegjës për abuzimet.
Sipas raportimit të La Stampa-s, gjatë ndërhyrjes ndaj anijeve që ishin nisur nga Siçilia më 26 prill dhe u ndaluan më 29 prill në ujërat ndërkombëtare pranë Kretës, autoritetet izraelite përdorën goditjet elekrike, plumba gome dhe ushtruan dhunë fizike e psikologjike.
Dëshmitë e mbledhura përshkruajnë episode poshtërimi dhe keqtrajtimi. Një aktiviste myslimane deklaron se ushtarët ia hoqën hixhabin dhe e lanë me kokën zbuluar, ndërsa e njëjta gjë sipas saj, u bë edhe me gra të tjera.
Aktivistë të tjerë raportojnë se u detyruan të ecnin të përkulur, ndërsa shtyheshin me forcë dhe goditeshin me shqelma e grushte. Janë raportuar edhe përdorime armësh me elektroshok.
Sipas avokatëve të Flotiljes, të paktën 35 persona pësuan thyerje brinjësh. Janë depozituar dymbëdhjetë padi për sulm seksual. Po ashtu, disa gra kanë deklaruar se u privuan nga pecetat higjienike, ndërsa persona me probleme shëndetësore nuk morën ilaçet e nevojshme gjatë ndalimit.
Avokatët kanë paralajmëruar një raport plotësues për prokurorinë, duke mos përjashtuar që hetimi të zgjerohet për akuza edhe më të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje. Ndërkohë, magjistratët e Romës, të koordinuar nga Kryeprokurori Francesco Lo Voi, kanë hapur një hetim paralel edhe për një episod të mëparshëm, sulmin e 1 tetorit 2025 ndaj një flotiljeje tjetër që ishte nisur nga Siçilia.
Hetuesit po shqyrtojnë akuza për torturë, rrëmbim, dëme që rrezikojnë mbytjen e anijeve dhe grabitje. Në fillim të majit, autoritetet italiane i dërguan një kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për të nisur procedurat e bashkëpunimit me Izraelin, me qëllim identifikimin e personave përgjegjës dhe sigurimin e dokumentacionit mbi arrestimet dhe marrjet në pyetje. \tesheshi.com\
