Faktet e mbledhura nga Pentagoni po e vënë më tej në dyshim aleancën Uashington-Tel Aviv
Pentagoni po ndjek me shqetësim rritjen e aktivitetit të spiunazhit izraelit në territorin amerikan. Sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-përfaqësuesve të administratës amerikane, të cituar nga media amerikane, Defense Intelligence Agency (DIA) e ka cilësuar “kritik” nivelin e alarmit lidhur me operacionet e inteligjencës së Shtetit Hebre në SHBA.
Një vlerësim i tillë është i pazakontë kur bëhet fjalë për një aleat historik të Uashingtonit. Administrata amerikane është e vetëdijshme se edhe vendet mike zhvillojnë aktivitete mbledhjeje informacioni në territorin e saj. Megjithatë, rrallëherë një partner strategjik përmendet si kërcënim informativ i nivelit të lartë.
Sipas disa raportimeve, kundërzbulimi amerikan e konsideron aktualisht Izraelin si një rrezik më të madh inteligjence sesa shumë vende rivale të SHBA-së. Vetëm Koreja e Jugut do të ngjallte shqetësime të krahasueshme mes aleatëve.
Në qendër të vëmendjes është rrjeti i zyrtarëve dhe diplomatëve amerikanë të përfshirë në negociatat me Iranin. Sipas dokumenteve të DIA-s, aktiviteti izraelit është intensifikuar që prej vitit 2024, duke synuar si administratën e Joe Biden ashtu edhe atë të Donald Trump.
Qëllimi do të kishte qenë të kuptohej më mirë orientimi real i Uashingtonit ndaj Teheranit dhe kufijtë e mbështetjes amerikane për politikat ushtarake izraelite në rajon. Ndër figurat e përfolura si objektiva të interesit informativ përmenden i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, si dhe nënsekretari i Mbrojtjes për politikat, Elbridge Colby.
Në vitin 2024, përpjekjet e administratës Biden për të frenuar ofensivën izraelite në Gaza, e nxitën Tel Avivin të forconte aktivitetin e mbledhjes së informacionit. Në vitin 2025, interesi do të ishte zhvendosur drejt vlerësimit të gatishmërisë së Trump për të mbështetur një përshkallëzim ndaj Iranit.
Nëse konfirmohen, këto zhvillime përbëjnë rastin më të rëndësishëm të hetuar brenda aparateve amerikane që nga viti 2015, kur administrata Obama dyshohet se kishte akuzuar Izraelin për përpjekje për të ndikuar në debatin e brendshëm amerikan mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Marrëdhënia mes dy vendeve ka qenë gjithnjë e ngushtë, por jo pa tensione, sidomos kur interesat strategjike nuk kanë përkuar plotësisht. Zbulimet vijnë në një moment delikat.
Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar së fundmi një dispozitë të re në kuadër të buxhetit të mbrojtjes për vitin 2027, që parashikon një integrim edhe më të thellë teknologjik mes forcave të armatosura amerikane dhe atyre izraelite.
Bashkëpunimi do të përfshijë sektorë kyç si inteligjenca artificiale, sistemet e mbikëqyrjes, komunikimet e sigurta dhe projektet e përbashkëta kërkimore. Kjo “shkrirje” teknologjike synon të forcojë bllokun perëndimor në garën globale me Kinën, sidomos në fushën e inteligjencës artificiale dhe aplikimeve ushtarake të saj.
Por zgjerimi i ndërveprimit mes sistemeve dhe strukturave rrit edhe hapësirat e depërtimit informativ. Pikërisht kjo duket se ka alarmuar sektorë të inteligjencës amerikane, të cilët duhet të garantojnë mbrojtjen e zinxhirit të vendimmarrjes strategjike.
Historia tregon se bashkëpunimi SHBA-Izrael ka qenë gjithmonë kompleks. Që nga viti 1951, kur Mossad dhe CIA ranë dakord të shmangnin spiunimin e ndërsjellë, marrëdhënia është ndërtuar mbi koordinim të ngushtë ushtarak dhe informativ.
Megjithatë, kjo nuk e ka përjashtuar plotësisht spiunazhin mes dy vendeve. Rasti i Jonathan Pollard, i arrestuar në SHBA në vitin 1985 për spiunazh në favor të Izraelit, mbetet një nga episodet më të njohura të tensionit.
Sot, disa sektorë të establishmentit amerikan duket se kërkojnë të kufizojnë ndikimin e Tel Avivit në Uashington, veçanërisht në një fazë kur negociatat me Iranin janë të brishta dhe lufta e fundit në rajon ka përfunduar në ngërç strategjik. \tesheshi.com\
