7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

110 – vjet ekonomi shqiptare – përballja me sfidat e zhvillimit ekonomiko-social

Më të lexuarat

Nga Anastas Angjeli, Adrian Civici

Ekonomia shqiptare në periudhën para shpalljes së pavarësisë deri në luftën e II-të botërore

Struktura ekonomike dhe shoqërore e viseve shqiptare para shpalljes së pavarësisë

gjysmës së dytë të shek. XIX-të, trojet shqiptare, karakterizoheshin nga prapambetja e theksuar dhe shfaqnin tiparet e një vendi feudal agrar të prapambetur. Shumica dërrmuese e popullsisë merrej me bujqësi e blegtori. Në fshat banonin rreth 87% të banorëve të këtyre viseve. Ekonomia bujqësore karakterizohej nga një prapambetje e theksuar.
Në zonat e ulta bregdetare, sipërfaqe të mëdha tokash qëndronin të përmbytura nga ujërat, një pjesë tjetër rrinin të papunuara, pasi popullsia fshatare në këto fusha ishte e pakët. Përqindja më e madhe e popullsisë fshatare ishte përqendruar në viset e brendshme. Kudo toka punohej kryesisht me parmendën e drunjtë të tërhequr nga penda e qeve ose e buajve. Plehërimi sistematik i tokave ende nuk njihej. Rendimentet në bujqësi ishin shumë të ulëta.
Krahas bujqësisë një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit zinte, si edhe më parë, blegtoria. Madje në disa vende ajo ishte dega kryesore e ekonomisë. Përsa i përket strukturës shoqërore të popullsisë, viset shqiptare ruanin ende tiparet e shoqërisë feudale, ndonëse tashmë në shthurje të shpejtë. Grupimin kryesor shoqëror në ekonomi e formonin, si edhe më parë, feudalët çifligarë së bashku me funksionarët e lartë të aparatit burokratik dhe shtresat e sipërme të klerit, të cilët përfaqësonin rreth 0,2% të popullsisë së vendit.
Punishtet e para manifakturore që kishin filluar të lindnin nëpër qytete qysh në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVIII mbetën në hapat fillestarë nuk u kthyen në industri të mirëfillta kapitaliste. Edhe pronësia tokësore çifligare, e cila gjithashtu ishte rritur qysh në shek. XVIII, në vend që të përvetësonte, siç ishte e natyrshme, format e ekonomisë së tregut, ishte gozhduar në qerthullin e marrëdhënieve feudale.
Në qytetet kryesore të vendit ekzistonin pak a shumë po ato degë prodhimi që ishin zhvilluar gjatë shekujve të kaluar dhe në mënyrë të veçantë gjatë shek. XVIII. Të tilla ishin zejtaritë që merreshim me përpunimin e metaleve, ndërkohë që një masë e konsiderueshme e zejtarëve merrej me prodhimin dhe zbukurimin e artikujve të veshmbathjes. Egzistonte dhe një numër i madh zejtarësh të degëve të ndryshme, të cilët prodhonin artikuj ushqimorë ose merreshin me përpunimin e lëndës së drurit.
Zhvillimi i ekonomisë monetare, i cili mori një hov të madh sidomos gjatë viteve 40 e 50 të shek.XIX-të, e shpejtoi ritmin e shthurjes së esnafëve. Nën nxitjen e kërkesave të qytetarëve e të fshatarëve për prodhimin e qytetit, regjimi i vjetër esnafor mori nga vetë zejtarët dhe tregtarët vendas goditjen përfundimtare. Esnafët morën pamjen e organizatave shoqërore dhe ndikimi tradicional, që ato ushtronin akoma mbi zejtarët dhe tregtarët, erdhi përherë e më tepër duke u dobësuar.
Gjatë kësaj periudhe, punishtet zejtare u kthyen në njësi ekonomike në pronësi të plotë të mjeshtrave zejtarë, të pavarura nga disiplina esnafore duke i hapur rrugë konkurrencës së zejtarëve dhe e tregtarëve në fushën e çmimeve. Më parë në qytetet kryesore, dhe pastaj në tregjet e vogla, filloi të vepronte lirisht ligji i vlerës, lëvizja e çmimeve sipas ofertës dhe kërkesës, lufta për të ulur koston dhe për të shtuar prodhimin. Kështu në tregun shqiptar filluan dalngadalë të vepronin ligjet e ekonomisë së tregut. Depërtimi i ekonomisë monetare në fshat u pasqyrua me rritjen e marrëdhënieve të shkëmbimit me vendet e huaja. Gjatë gjysmës së dytë të shek.XIX-të, lëvizja tregtare u katërfishua.
Zhvillimi i tregut të brendshëm solli si kudo edhe në Shqipëri nevojën e veprimeve më të lehta financiare dhe të lëvizjes më të shpejtë të mallrave. Nën ndikimin e këtyre nevojave, filluan të ngrihen dhoma e tregtisë, gjykata tregtare, zyra postare dhe agjenci lundrimi. Qysh në vitet 80, Banka Perandorake Osmane çeli degë të saj në qendrat e katër vilajeteve, të cilat nga ana e tyre krijuan korrespondentë bankarë në qytetet e tjera të vendit.
Në të njëjtën kohë u ngritën në të gjitha qendrat e sanxhakëve dhe të kazave degë ose arka të Bankës Bujqësore osmane (Ziraat Bankasi), të cilat kryenin edhe veprime krediti. Gjithashtu krijuan agjenci në Shkodër, në Durrës e në Vlorë edhe disa nga shoqëritë e mëdha të sigurimeve të Triestes e të Venedikut. Në disa qëndra të trojeve shqiptare lindën ndërmarrjet e para industriale për përpunimin e artikujve të konsumit, si fabrika mielli, vaji, sapuni, të pëlhurave, të cigareve, të lëkurës, të tisazhit etj.
Ngritja e fabrikave, sado që u krye me ritme të ngadalshme, tregonte se Shqipëria kishte hyrë në rrugën e lindjes së ndërmarrjeve kapitaliste. Megjithëse me një teknikë më të përparuar, të gjitha këto fabrika kishin një kapacitet të vogël prodhimi dhe secila kishte një numër të kufizuar punëtorësh. Pesha e prodhimit të tyre industrial, së bashku me atë të punishteve manifakturore, zinte një vend të parëndësishëm kundrejt prodhimit të zejtarëve të vegjël, të cilët mbushnin si edhe më parë tregjet lokale të vendit.

1912 – 1920 : Fillimet e zhvillimit “industrial” të Shqipërisë

Në periudhën 1912 – 1920, Shqipëria ndodhej në një gjendje ekonomiko-shoqërore mjaft të prapambetur. Gjymtimi territorial i Shqipërisë pati pasoja të thella ekonomike për shtetin shqiptar. Përgjysmimi territorial i vendit solli ndërprerjen e krijimit të tregut të brendshëm që kishte filluar si proces ekonomik që në shekullin paraardhës. Me copëtimin e trojeve shqiptare të cilat tashmë kishin filluar të formonin në terësi të vetme ekonomike, tregu i brendshëm kombëtar u copëtua. Ky copëtim i shkaktoi Shqipërisë së pavarur që në fillim një krizë të thellë ekonomike.
Askush nuk e di se sa shqiptarë gjendeshin brenda kufijve në vitin 1913, por regjistrimi i parë i kryer në vitin 1923, tregon se popullata e vendit qe 817 mijë vetë. Popullata u rrit në 1 milionë e 30 mijë në vitin 1930 dhe mbeti në stanjacion deri në vitin 1938, kur në vend u regjistruan 1 milionë e 45 mijë vetë.
Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane, Shqipëria njohu menjëherë fenomenin e abuzimit me pronat. Prona që u prek e para, ishte ajo shtetërore. Cila ishte situata e pronës në Shqipërinë në momentin e shpalljes së Pavarësisë? Panoramën më të saktë e jep një studim i vitit 1913. Në Shqipëri pronësia e tokës ishte relativisht e përqëndruar : veçanërisht në Shqipërinë e mesme dhe atë të jugut si dhe në zonat fushore, çifligjet e mëdha që ishin në pronësi të shtetit, të bejlerëve apo të pashallarëve, shumë nga të cilët zotëronin mijëra e mijëra hektarë tokë. Sipas studiuesit italian Umberto Rosati, origjina e këtyre pronësive të mëdha private fillonte nga koha e sulltanit Abdul Hamid i cili u jepte tokë shtetërore subjekteve të ndryshme që tregonin besnikëri apo që kishin influencë. Po ashtu, ishin krijuar pronësi të mëdha si rrjedhojë e blerjes me çmime të ulëta nga qeveria turke.
Në një bilanc të përgjithshëm që bën profesori italian, ai del në konkluzionin se 2/3 e pronës në Shqipëri i përkistë pronarëve të mëdhenj privatë ose shtetit dhe vetëm 1/3 e saj i përkiste pronarëve të mesëm e të vegjël. Kjo na jep të kuptojmë se në vitin e parë të pavarësisë, Shqipëri nuk kishte një copëzim të skajshëm të tokës bujqësore e të pronave. Skema që përdorej në këtë periudhë ishte që pronarët e tokave i jepnin ato me qira, ku familje të ndryshe vinin në pronë, banonin aty, punonin tokën dhe një pjesë të prodhimit e mbanin vetë e një pjesë tjetër ia jepnin pronarit të tokës.
Prodhimi artizanal dominonte kudo dhe përbënte atë që mund të quhej industri e vendit; transporti rrugor dhe komunikacioni ishin shumë pak të zhvilluar duke u bërë pengesë serioze për lidhjet ekonomike dhe këmbimet tregetare; bujqësia karakterizohej nga marrëdhënie gjysëm-feudale dhe në shume zona të vendit herë pas here shfaqeshin krizat e bukës. Instabilitati politik dhe lufta e parë botërore ndikuan ndjeshëm për ruajtjen e kësaj situate deri në fillim të viteve 20-të të shek XX-të. Bazat e sistemit monetar e të kreditimit kombëtar që duhej ti hapnin rrugën zhvillimit ekonomik të vendit në rrugën kapitaliste oksidentale u konkretizuan me krijimin e Bankës kombëtare shqiptare me pjesmarrjen e kapitaleve austriake dhe italiane. viti 1913 mund të konsiderohet një vit krize ekonomike për Shqipërisë.
Për herë të parë Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913. Ajo u krijua si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Ëienner Bank Verein që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar italian. Pas nenshkrimit te marreveshjes, gazeta “Perlindja e Shqipenies”, organ i qeverise se Ismail Qemalit, depozitoi prane Bankës Kombëtare të Shqipërisë fondet që dispononte.
Sipas studiuesit Haxhi Shkoza, asokohe inspektor i Përgjithshem i Oborrit Mbretëror – në kohën kur ka botuar librin, 1935 – veprimtaria e bankës nisi menjëherë në fillimin e tetorit 1913, ndërsa qeveria shqiptare do t’i bënte thirrje shtresave te pasura qe mjetet e lira t’i depozitonin ne banke. Marreveshja e tetorit 1913, dinjitoze per kohen, tregoi jo vetem orientimin politik properendimor të qeverisë së Ismail Qemalit, por njëkohesisht edhe vizionin shtetformues te saj.
Ky institucion nuk jetoi gjatë për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1925, ajo e rifilloi veprimtarinë e saj me emrin “Banka Kombëtare e Shqipërisë”, me seli qëndrore në Durrës dhe me Komitetin Administrativ në Romë. Ringritja e bankës u bë realitet si rezultat i marrëveshjes së përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Në shkurt të vitit 1926, u bë edhe qarkullimi i monedhës së parë kombëtare shqiptare.
Si njësi monetare zyrtare u caktua frangu ar. Monedha jonë kishte nënfishat (leku, qindarka 1 franga ar ishte baraz me 5 lek dhe 100 qindarka)dhe shumëfishat e saj (5, 20 dhe 100 franga ar). Gjatë kësaj periudhe, Banka Kombëtare e Shqipërisë zbatoi standardin e arit që nënkuptonte se kartëmonedhat kthehen në ar dhe në valuta të huaja të forta në dollar, në lira, në stërlina, etj..Përveç funksionit emetues, kjo bankë kryente edhe funksione kredituese, ku gjatë një periudhë 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa nga viti 1938 u gjend në konkurrencë me Bankën e Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës.
Periudha mbas viteve 20-të, ndonëse me rritme të ngadalta, evidentoi një gjallërim të dukshëm të borgjezisë shqiptare që edhe pse e dobët ekonomikisht e politikisht kërkonte të zgjerohej në fusha të ndryshme ekonomike, në rradhë të parë në fushën e tregëtisë dhe industrisë. Përpjekjet dhe inisiativat e borgjezisë shqipëtare për të vënë në lëvizje kapitalet e veta u duken në disa qytete kryesore si në Durrës ku u ngrit një fabrikë cigaresh dhe një fabrikë mielli; në Shkodër ku u ngrit një fabrikë alkoli dhe cigaresh; në Vlorë u ngrit fabrika e alkolit dhe një shoqëri aksionere anonime që merrej me ngarkim-shkarkime në portin detar të qytetit, etj. Në vitin 1922, numri i ndërmarrjeve industriale arriti në 85, nga 34 që ishin në vitin 1912. Ketu perfshiheshin : 35 mullinj bloje me motor, 11 fabrika vaji, fabrika sapuni, lëkurësh, pëlhurash, 8 shtypshkronja,etj. Por këto fabrika ishin njësi të vogla dhe me rendiment të ulët. Shumica e tyre kishte mesatarisht 2-5 punëtorë seicila dhe vetëm miniera e serës në Selenicë të Vlorës, që ishte qendra më e madhe industriale e vendit, kishte rreth 500 punëtore.
Por këto rezultate nuk përfaqësonin mundësitë reale të borgjezisë së vogël shqiptare e cila – si pasojë e trazirave politike që kalonte vendi, mungesës së përvojes për veprimtari industriale por dhe frikës nga konkurenca e kapitalit të huaj – kishte akumuluar dhe mbante të thesarizuara një sasi të madhe monedhash ari e argjendi, stolira e objekte të tjera të cmueshme. Në këtë periudhe konstatohet dhe një rritje e interesit të kapitalit të huaj për ekonomine dhe burimet natyrore shqiptare, sidomos për naftën, bitumin, hekurin, bakrin, pyjet, etj.
Shumë kompani italiane, angleze, franceze e amerikane filluan të jenë prezent në tregun shqiptar dhe nëpërmjet sigurimit të marrëveshjeve koncesionare apo nëpërmjet investimeve direkte filluan aktivitetin e tyre. I tillë ishte rasti i Shoqërisë SISMA (Societa Italiana Sfrutamento Miniere Albania); Shoqëria SEIA (Sociata Electrica Italo-Albanese); Shoqëria ALBA (Azienda Lavori Boschi Albania); Shoqëria EIAA (Ente Italiano Attivita Agraria); Shoqeria SESA që morri koncesionin e elektrikut në 7 qytete të Shqipërisë; Shoqëria Anglo-Persiane Oil Kompani; Shoqëria amerikane Standart Oil Kompani; Sindikata Franko-Shqiptare e vajgurit; Shoqëria gjermane INAG për shfrytëzimin e pyjeve, etj. Gjatë periudhës 1925 1926, 23% e territorit të Shqipërisë përfshihej në koncesionet e dhëna kapitalit të huaj nga Qeveritë e Mbretit Zog. Kjo i dha një shtytje të mëtejshme ekonomisë së vendit e cila njohu një farë zhvillimi modest në periudhën 1925- 1928.
Por ashtu si shume vende të tjera, edhe Shqiperia i ndjeu pasojat e krizës së pergjithshme ekonomike të viteve 1929 – 1933. Shenjat e para të kësaj krize, kryesisht në sistemin monetar e financat e vendit, u shfaqën që në vitin 1929, por efektet e saj u bënë më të ndjeshme në vitin 1930 ndërkohë që kulmi i saj arriti në vitin 1934-35. Industria pothujase u paralizua tërësisht dhe shumë ndërmarje të prodhimit të alkoolit, materialeve të ndërtimit, duhanit dhe cigareve, blojes dhe miellit, lëkureve dhe këpucëve,etj. u paralizuan apo falimentuan. Kriza preku thellë dhe gjithë sistemin e kreditit. Në këtë kohë, si pasojë e deficitetit të vazhdueshem buxhetor dhe vështirësive permanente financiare që evidentoheshin në shumë fusha e sektorë të vendit, nga qeveritë e ndryshme shqiptare dhe Mbreti Zogu I-rë, u morën dhe shumë hua e kredi nga vendet perëndimore por në pjesën dërrmuese nga Italia sic ishte p.sh. huaja SVEA (për menaxhimin e së cilës u ngrit dhe “Sociata per lo sviluppo Economico d’Albania”) në vitin 1925 .
Kriza e viteve 1930-44 dallohet në shumë drejtime : përqindja e popullatës që jetonte me punë jobujqësore u reduktua nga 15.9 për qind në vitin 1930, në 15.4 për qind më 1938; eksportet shqiptare u rritën nga 2 milionë franga ar, në 12 milionë mes viteve 1923 dhe vitit 1931, por ranë në dy vitet e mëpasme në nivelin e vitit 1923. Gjendja e vështirë arriti kulmin në vitet 1935-36, kur qeveria u detyrua të shpërndajë ndihma ushqimore emergjence në zonat e varfra. Vendet që blinin mallrat shqiptare vendosën tarifë për importet e djathit, ndërsa tregjet tradicionale të gjalpit e leshit në Greqi e Turqi u përmbytën nga shitja nën kosto e ushqimeve nga Bashkimi Sovjetik. Politika e kohës nuk është se bëri ndonjë gjë pozitive.
Në vitin 1926, qeveria e Zogut dha me koncesion emisionin e monedhës shqiptare, por Banka Italiane nuk emetoi kurrë kartëmonedha të mjaftueshme për të kryer shitblerjet e zakonshme në ekonomi, gjë që solli pagesa të ulëta të taksave, situatë të përgjithshme deflacioniste dhe një shtet krejt të pafuqishëm për të investuar në ekonomi dhe zhvillim.
Periudha 1936–1939 shënon një lloj faze gjallërimi të ekonomisë shqiptare. Si pasojë dhe e disa politikave mbeshtetëse e lehtësuese të ndërmara nga Qeveritë shqiptare të asaj kohe si për kapitalin vendas ashtu dhe atë të huaj, shumë aktivitete ekonomike u riaktivizuan. Gjallërimin e industrise ne vitet e paskrizes, e kryesisht asaj minerare, agroushqimore, ndertimit e perpunimit, elektrike, etj., e tregon dhe shtimi i ndermarjeve dhe shoqerive industriale. Në vitin 1944, numri i tyre arriti ne 430 nga vetem 244 ne vitin 1938 dhe vetem 71 te tilla ne vitin 1922, nderkohe qe edhe numri i punetoreve u rrit nga 500 ne 1922 ne 7435 në 1938. Edhe shkalla e përqëndrimit të punetoreve ne prodhimin industrial ne vitin 1938 u dyfishua ne krahasim me vitin 1928. Në këtë kohe Shqiperia kishte marredhenie tregetare e ekonomike me 21 vende të botës por më të zhvilluarat ishin në rradhë të parë me Italinë dhe pastaj me Jugosllavinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë,etj. Përmiresime pati dhe infrastruktura e vendit dhe kryesisht sistemi i rrugëve dhe urave duke bërë që në vitin 1938 Shqipëria të kishte një rrjet rrugor nacional prej 2224 km dhe një rrjet lokal prej 767 kilometrash.

Evolucioni i marrëdhënieve agrare

Në vigjilje të pavaresisë, Shqipëria trashëgoi një strukture agrare të profilizuar nga juridiksioni otoman në të cilin ajo kishte bërë pjesë gjatë 500 viteve të fundit. Në hapësirat e saj rurale dominonte sistemi i “cifliqeve” (apo i latifundeve) i cili kishte filluar të përhapej që në fillim të shek. XVIII-të si pasojë e krizës së thellë të sistemit të “timareve” dhe fillimit të shkatërimit të sistemit feudal në provincat europiane të perandorisë otomane. Cifliqet në Shqipëri u formuan në katër mënyra : nëpërmjet dhunës dhe arbitraritetit feudal (që ishte dhe rasti me dominant); nëpërmjet blerjes; shpronësimeve të fshatarëve që nuk shlyenin dot borxhet ose detyrime të tjera; dhe nëpërmjet hapjes së tokave të reja.
Kjo situatë përshkruhet më së miri dhe nga studiuesi austriak i cështjeve shqiptare, Georg Van Halm, sipas së cilit : “origjina e pronës private të tokës në Shqipëri kalon nëpërmjet uzurpimit të tokave….më të fortët përfitonin në kurriz të më të dobtëve ose në kurriz të shtetit…….otomanet transformonin shumë shpesh fshatra të tërë në pronësi shtetërore për tjua dhënë ato pastaj në pronësi mbështetësve të tyre apo të preferuarve të vezirëve…”. Sipas natyrës se pronësisë, cifliqet ndaheshin në tre tipe : pronë private feudale; pronë e shtetit apo e familjes se sulltanit dhe prona te institucioneve fetare. Paralelisht me keto egzistonte dhe prona komunitare, kryesisht ne zonat malore ne veri te vendit, te mbiquajtura “zona te haracit”.
Në vitin 1912, latifondet private, ato shtetërore e fetare okuponin rreth 55% te sipërfaqes totale bujqësore të vendit, ndërsa pjesa tjetër, kryesisht zona kodrinore e malore në të cilën banonin më shumë se gjysma e popullsisë ishte në zotërim të komuniteteve lokale. Në momentin e shpalljes së panvarësisë, shteti shqiptar konfiskoi të 175 latifondet e shtetit otoman dhe ato në pronësi të familjes së sulltanit ndërkohë që latifondet private dhe pronat komunitare nuk u prekën. Pronat fetare u bënë prona të institucioneve fetare nacionale dhe në mënyrë të vecantë, prona të komunitetit mysulman shqiptar.
Në vitin 1924, nga ana e qeverisë së parë demokratike të udhëhequr nga Fan Noli rregjistrohet tentativa e parë për të realizuar një reformë agrare në favor të fshaterëve të varfër « nëpërmjet shpërndarjes falas të një sipërfaqe toke prej katër ha për familje…duke prekur per kete qellim latifondet shteterore dhe konfiskimin e tokave te pronareve absenteiste ». Por si pasoje e jetes se shkurter te kesaj qeverie dhe rezistences se pronareve te medhenj, kjo reforme mbeti vetem në letër. Në vitin 1925 u votua një ligji « për instalimin e emigrantëve », i cili kishte për objektiv shpërndarjen e tokave shtetërore për emigrantët shqiptarë që vinin nga provinca e Kosovës. Por ky ligj u përdor dhe nga shumë pronarë të mëdhenj, tregëtarë apo funksionare të lartë civilë e ushtarakë për të përfituar toka duke bërë regjistrime fiktive emigrantësh.
Tentativa e dytë për realizimine e një reforme agrare u bë në vitin 1930 nga mbreti i Shqiperisë Zogu I-rë, i cili synonte të bënte një rrishpërndarje të tokave bujqësore e kullotave në funksion të ekuilibrimit të pasurive. Por dhe kjo tentativë, qoftë si pasojë e mangësive ligjore apo e rezistences së feudaleve të mëdhenj e kryesisht atyre të veriut, mbeti në rezultate minimale në raport me objektivat e saj.
Gjatë periudhës 1925 – 1945, megjithë shfaqjen e shenjave të para të kapitalizmit në Shqipëri, familjet e mëdha feudale nuk kishin asnjë interes që ti investonin kapitalet e tyre monetare në zhvillimin e bujqësise duke preferuar të linin djerrë, të shisnin apo të jepnin me qera një pjese të madhe të tokave të tyre. Gjatë kësaj periudhe, si pasojë e fillimit te tregut te tokes, por dhe shfrytezimit te ligjit mbi trashegimine e prones se tokes, konstatohet si nje parcelizim i konsiderueshem i saj ashtu dhe nje thellim i perqendrimit te pjeses se mbetur ne pak pronare private.
Ndërkohë që në vitin 1912, latifondet (shtetërore, private apo fetare) zinin 210 000 ha ose 55% të tokës së punueshme, në vitin 1944 siperfaqja e tyre ishte e përgjysmuar duke arritur në 106000 ha ose vetëm 27% të tokes se punueshme. Kështu, struktura e pronës së madhe, gjatë kësaj periudhe pësoi ndryshime të rëndësishme nëpërmjet dobësimit të pronës së madhe feudale dhe zgjerimit të pronës së mesme e të vogel të tipit të borgjezisë së vogël agrare e cila, ndërkohë që në vitin 1912 ishte pothuaj inegzistente, në vitin 1944 u bë kategoria dominuese në strukturën e pronave e ndjekur nga fshataret e varfër e të mesëm.
E futur në rrugën e zhvillimit kapitalist shumë më vonë se vendet e tjera europiane, megjithë prezencën e disa kapitaleve të huaja kryesisht italiane, Shqipëria nuk kishte bërë akoma asnjë hap drejt fazës së kapitalizmit industrial në momentin e shpërthimit të luftës së II-të botërore. Bujqësia, ku ishin punësuar mbi 87% e fuqisë së aftë për punë, ishte sektori kryesor i ekonomisë dhe kontribuonte me 92.4% në formimin e të ardhurave kombetare në atë kohë, ndërkohë që vetëm 10.2% e tokave kultivoheshin rregullisht dhe prodhimet kryesore reduktoheshin vetëm te gruri, misri e thekra. Toka punohej me mjete primitive ku mbizotëronte parmenda e drurit, plehrat kimike pothuajse nuk njiheshin fare, ndërkohë që fusha të tëra ishin kthyer në këneta. Niveli i rendimenteve dhe shkalla e organizimit dhe mekanizimit të bujqësisë në këtë periudhe ishin shumë të ulta.
Në vitet 1934-38 në Shqiperi kishte vetëm 30 traktorë (të konvertuar në njësi 15 CV) dhe ne 99% të rasteve, punimi i tokës apo procese të tjera bujqësore e përpunuese bëheshin me kafshë dhe krahë. Të shprehura në kv/ha, rendimentet e mjaft kulturave bujqesore ishin mediokre : 12.7 kv/ha për misrin, 8.6 kv/ha për grurin, 7.5 për duhanin, 1.7 për pambukun,etj. Monokultura dhe shfrytëzimi tejet ekstensiv i tokës dhe blegtorisë mbizotëronin kudo. Specialistët dhe ekspertët në sferën bujqësore ishin shumë të rrallë. Në vitin 1938, në gjithë vendin kishte vetëm 243 persona të kualifikuar, 35% të të cilëve me dipllomë universitare, 52% me dipllomë të mesme dhe 17% me kualifikime modeste./fjala/

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit