Zbukurimi i xhamive dhe shtëpive për Ramazan: Risi apo traditë e bukur?

Më të lexuarat

Zbukurimi i xhamive për Ramazan

​Të thuash se zbukurimi i shtëpive dhe xhamive me drita dhe fenerë me ardhjen e muajit të Ramazanit është bidat (risi e dënueshme), nuk është një qëndrim që meriton shqyrtim shkencor; përkundrazi, në të ka një ashpërsim ndaj diçkaje që është e gjerë dhe e lejuar.

​Zbukurimi i xhamive dhe i shtëpive për t’u gëzuar me ardhjen e këtij muaji nuk përmban asgjë të dëmshme dhe asgjë që bie ndesh me fenë; po ashtu, nuk është diçka që u përket vetëm kombeve apo feve të devijuara.

​Kjo nuk hyn në kategorinë e bidatit, por në kategorinë e zakoneve dhe traditave të lejuara, të cilat nuk bien ndesh me ndonjë besim apo dispozitë fetare.

​Argumente nga historia

​Madje, në libra përmendet se Ali ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të) doli në natën e parë të Ramazanit, ndërsa kandilat ndriçonin dhe Libri i Allahut lexohej nëpër xhami, dhe tha:

​“Allahu ta ndriçoftë varrin, o Omer ibn el-Hattab, ashtu siç i ndriçove xhamitë e Allahut me Kuran.”

 

​Po ashtu, kalifi el-Me’mun urdhëroi Ahmed ibn Jusufin që të shkruante nëpër vende për varjen e llambave në xhami gjatë muajit të Ramazanit. Ai tha: “Mora letrën për të shkruar, por u hutova; mendova gjatë, pastaj më kapi një dremitje dhe m’u tha: ‘Shkruaj: Sepse shumësia e llambave është ndriçim për ata që falen natën, ngushëllim për udhëtarët, largim i vendeve të dyshimit dhe pastrim i shtëpive të Allahut nga vetmia e errësirës.’”

​Kujdeset që duhen pasur

​Detyra jonë, nëse qëllimet tona në zbukurimin e shtëpive dhe xhamive me drita, fenerë e kandila janë të mira, është të ruhemi nga këto gjëra:

  1. Që të mos mbizotërojnë formalitetet dhe pamjet e jashtme, duke lënë pas dore thelbin dhe esencën në realizimin e kuptimit të agjërimit dhe faljes së natës.
  2. Që koncepti i atmosferës ramazanore të mos kufizohet vetëm në varjen e fenerëve apo zbukurimeve elektrike që shtëpitë tona të shkëlqejnë, duke u bërë shkak për mburrje nga njëra anë, apo për shpenzime të tepërta nga ana tjetër.
  3. Që në to të mos ketë statuja apo figura të modeluara, për shkak të haditheve të sakta që ndalojnë bërjen e figurave dhe statujave.

​Përfundim

​Nuk ka asgjë të keqe të rikujtojmë se të devotshmit i zbukuronin shtëpitë dhe xhamitë me kandila kur vinte Ramazani, për të shtuar faljen e natës, në atmosfera e net të mbushura me përkushtim shpirtëror, ku veçoheshin me Zotin e tyre. Nga ballkonet e shtëpive dhe xhamive të tyre përhapeshin ato drita të buta, dhe ndriçonin me dritën e Kuranit që shkëlqente nga gojët e agjëruesve; sepse agjërimi i tyre era durim, namazi i tyre ishte durim, dhe durimi i tyre ishte dritë.

Dr. Habab ibën Mervan El-Hamed

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit