Fati i Karim Khan, sprovë për pavarësinë e kësaj drejtësie nën kërcënim
Nga Josep Borrell, Project Syndicate
Ka momente kur institucionet nuk rrënohen përmes një skandali të madh apo një sulmi të hapur, por përmes procedurave që duken të ligjshme. Vendimet politike maskohen si procese administrative, ndërsa dëmi bëhet i dukshëm vetëm kur është tepër vonë për ta ndalur.
Pikërisht kjo po ndodh sot me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) dhe me përpjekjet për të larguar kryeprokurorin e saj, Karim Khan.
Prej muajsh, Khan është kthyer në objektivin kryesor të një fushate të organizuar politike, e cila nisi pasi ai kërkoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant për akuza që lidhen me krime lufte në Gaza.
Ky veprim nuk ishte i pazakontë për prokurorin britanik. Më parë ai kishte kërkuar arrestimin e presidentit rus Vladimir Putin, ish-presidentit filipinas Rodrigo Duterte dhe drejtuesve të talebanëve, duke dëshmuar se, të paktën në parim, ligji ndërkombëtar duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.
Por vendimi për të hetuar udhëheqësit izraelitë ndryshoi gjithçka. Në prillin e vitit 2024, një grup senatorësh amerikanë paralajmëruan hapur Khan se do të përballej me pasoja personale nëse do të ndërmerrte një hap të tillë.
Megjithatë, ai nuk u tërhoq. Sot, presioni ndaj tij ka marrë një formë tjetër. Akuza për sjellje të papërshtatshme seksuale janë përdorur si bazë për të hapur debatin mbi largimin e tij nga detyra.
Megjithëse një panel i brendshëm i krijuar nga vetë Gjykata shqyrtoi pretendimet dhe arriti në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar shkelje që justifikonin masa disiplinore, diskutimi për shkarkimin e tij vazhdon.
Kjo krijon një precedent tepër të rrezikshëm. Në vend që vendimi të mbështetet mbi prova dhe standarde juridike, ekziston rreziku që shtetet anëtare të ICC-së të votojnë politikisht për largimin e prokurorit, duke bashkuar në një procedurë të vetme dy çështje krejtësisht të ndryshme: ekzistencën e një shkeljeje dhe vendimin për shkarkim.
Nëse ndodh kjo, do të krijohej mundësia që drejtuesit e një institucioni ndërkombëtar të hiqen nga detyra jo për atë që është provuar, por për atë që është politikisht e leverdishme.
Në këtë sfond, nuk mund të injorohet presioni i vazhdueshëm që administrata amerikane ka ushtruar ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 11 zyrtarëve të lartë të ICC-së, përfshirë Karim Khan, dy zëvendësprokurorë dhe tetë gjyqtarë. Llogaritë bankare janë ngrirë, kartat e kreditit janë bllokuar dhe janë kufizuar qasjet e tyre në platforma financiare e teknologjike.
Këto masa përbëjnë një nivel presioni të paprecedentë ndaj një institucioni gjyqësor ndërkombëtar. Edhe retorika politike është bërë gjithnjë e më e drejtpërdrejtë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi publikisht se objektivi është “çmontimi tullë pas tulle” i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke e paraqitur atë si një instrument të elitave globaliste dhe të qeverive armiqësore ndaj interesave amerikane.
Paralelisht, sipas raportimeve ndërkombëtare, presidenti Donald Trump ka propozuar edhe bashkëpunimin me Kinën dhe Rusinë për të kundërshtuar veprimtarinë e Gjykatës, pavarësisht se asnjëra prej këtyre fuqive nuk është palë në Statutin e Romës që themeloi ICC-në.
Në thelb, interesat e administratës Trump dhe të qeverisë Netanyahu përkojnë në një pikë: kufizimin e aftësisë së drejtësisë ndërkombëtare për të hetuar ose ndëshkuar zyrtarë të vendeve aleate, pavarësisht akuzave për krime lufte apo krime kundër njerëzimit.
Në këtë kuptim, çështja Karim Khan shndërrohet në shumë më tepër sesa një debat mbi sjelljen personale të një prokurori. Ajo është një provë për vetë pavarësinë e drejtësisë ndërkombëtare.
Nëse shtetet anëtare të Gjykatës lejojnë që një vendim politik të mbizotërojë mbi vlerësimin juridik të organeve të saj, atëherë do të vendoset një precedent që mund ta dobësojë institucionin për shumë vite. Një gjykatë që synon të gjykojë liderë të fuqishëm nuk mund të mbijetojë nëse vetë drejtuesit e saj bëhen objekt presioni politik sa herë që marrin vendime të pakëndshme për qeveritë më të fuqishme të botës.
Prandaj, mbrojtja e pavarësisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk është thjesht mbrojtje e Karim Khanit si individ. Është mbrojtje e parimit se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin ndërkombëtar dhe se drejtësia nuk mund të funksionojë nëse vendimet e saj varen nga interesat gjeopolitike të momentit. Nëse ky parim rrëzohet sot, pasojat do të shtrihen shumë përtej një personi apo një procesi të vetëm. \tesheshi.com\
