14.1 C
Pristina
Friday, November 8, 2024

Xhamitë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mblodhën rreth një milion euro për të prekurit e tërmetit në Turqi

Më të lexuarat

“Janë diku 400 mijë e 500 euro që janë tubuar nëpër xhamitë e Kosovës, të cilat shkojnë si ndihmë për ata të cilët u goditën nga tërmeti në atë pjesë të Türkiye-s”, tha kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Tërnava
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, është pritur në Ambasadën e Türkiye-s në Kosovë nga ambasadori turk Sabri Tunç Angılı, raporton Anadolu.

Tërnava duke i uruar mirëseardhje ambasadorit turk Sabri Tunç Angılı që erdhi në Kosovë javën e kaluar, tha se po e viziton ambasadën edhe që “të ndajmë dhimbjen me të gjithë ata që shkuan në botën tjetër pas tërmetit në një pjesë të Türkiye-s”.



Tërnava tha se lusin Zotin që t’i falë dhe t’i shpërblejë viktimat e tërmetit, njëherësh të plagosurit t’i shërojë sa më shpejtë, derisa bëri të ditur edhe shumën e mbledhur të ndihmave financiare nga xhamitë e Kosovës për të prekurit e tërmetit në Türkiye.

“T’i shpreh përkrahjen e madhe që ka populli i Kosovës për popullin vëlla turk, përkrahje edhe morale, mirëpo në këtë rast BIK nëpër xhamitë e saj ka organizuar edhe tubimin e disa mjeteve materiale dhe kemi tubuar një shumë ta quaj kushtimisht simbolike që e dorëzuam sot. Janë diku 400 mijë e 500 euro që janë tubuar nëpër xhamitë e Kosovës, të cilat shkojnë si ndihmë për ata të cilët u goditën nga tërmeti në atë pjesë të Türkiye-s”, theksoi Tërnava.

Ai tha se Qeveria e Türkiye-s, Diyaneti i Türkiye-s dhe popullata turke përgjithësisht, gjithmonë kanë qenë me Kosovën, gjithherë e kanë ndihmuar Kosovën, gjithëherë kanë qenë pranë Kosovës dhe janë pranë Kosovës dhe në këtë fatkeqësi që ndodhi atje sigurisht që “edhe populli Kosovës me tërë fuqinë potenciale, me zemrën dhe shpirtin e vet është më popullin turk”.

Ambasadori i Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı falënderoi myftiun Tërnava për iniciativën e Bashkësisë Islame për të ndihmuar të prekurit e tërmetit në Türkiye.

Angılı tha se populli kosovar dhe institucionet shtetërore ishin me popullin turk edhe materialisht edhe moralisht.

“Vëllezërit tanë kosovarë ishin me ne materialisht dhe moralisht gjatë fatkeqësisë së tërmetit. Zoti i bekoftë. Madje, 17 shkurti ishte 15-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe pavarësisht kësaj nuk na harruan, qeveria shpalli dite zie. Ne jemi mirënjohës për këtë. Jo vetëm ata që jetojnë në Kosovë, por edhe kosovarët qe jetojnë në diasporë na dhanë dorën e ndihmës”, tha Angılı.

Më 10 shkurt, katër ditë pasi tërmetet shkatërruese goditën një pjesë të Türkiye-s, Bashkësia Islame e Kosovës pas namazit të xhumasë në xhamitë e saj në gjithë territorin e Kosovës hapi mundësinë për kontribuimin me mjete financiare për të prekurit e tërmetit.

Po BIK kishte hapur një ditë pas tërmetit edhe një xhirollogari bankare si mundësi për të kontribuuar me mjete financiare elektronikisht për qytetarët që nuk kanë mundësi ta bëjnë fizikisht.

Xhamitë e Maqedonisë së Veriut mblodhën mbi 512 mijë euro për njerëzit e prekur nga tërmetet në Türkiye dhe Siri

Xhamitë pranë Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut kanë mbledhur mbi 512 mijë euro nga besimtarët pas aksionit të organizuar për të ndihmuar zonat e prekura nga tërmetet e fuqishme në pjesën jugore të Türkiye-s dhe në Siri.

Në një njoftim nga BFI-ja thuhet se shuma totale e donacioneve të mbledhura në kuadër të aksionit humanitar, e nisur nëpër xhamitë në vend për pasojat e tërmeteve në Türkiye dhe Siri, arrin në 512.123 euro.

BFI-ja njoftoi se mjetet janë dorëzuar në xhiro-llogarinë e Drejtorisë për Çështje Fetare (Diyanet) të Türkiye-s.

Sipas njoftimit, kreu i BFI-së, Shaqir Fetai, së bashku me një delegacion së shpejti do të vizitojë kreun e Diyanet-it, Ali Erbaş, për të ndarë dhimbjen e tyre.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit