16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

VV: Bojkoti i Thaçit për monopolin e Titan Grupit

Më të lexuarat

Shumica e shumicës prapë ikën nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Të urdhëruar nga Kryeministri i ata që e braktisën dje seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës në kohën kur mbahej Interpelanca me Ministren e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për vendimin e kësaj të fundit që të aplikojë masën prej 35% për çimenton e importuar, nuk erdhën as sot në seancë për ta pamundësuar kështu votimin e mocionit që kërkonte shfuqizimin kësaj mase.

Kështu Qeveria dhe deputetët e koalicionit qeverisës, përmes një akti të papërgjegjësisë së lartë, e pamundësuan votimin e këtij mocioni, dhe e mbrojtën monopolin e Titan Grupit në tregun e çimentos në Kosovë, duke ia pamundësuar prodhuesve nga Shqipëria hyrjen në këtë treg.

Me këtë akt kryeministri i vendit e rrezikoi shumicën në Kuvend, dhe e solli veten në një pozitë simbolikisht të papushtetit. Duke mos mundur në këtë rast ta kontrollojë votën e koalicionit qeverisës, pasi që kjo interpelancë u iniciua nga vet deputeti i koalicionit qeverisës, përkatësisht nga Emin Gërbeshi i Grupit Parlamentar të AKR-së me përkrahjen e deputetëve nga grupet tjera parlamentare, Hashim Thaçi vendosi ta kontrollojë grupin duke ua ndaluar atyre pjesëmarrjen në seancë. Asnjëherë tjetër nuk është parë një siklet kaq i madh i kryeministrit në Kuvend përveç në seancën kur në mënyrë kundërkushtetuese u zgjodh Pacolli president. Kjo tregon qartë se aq i thellë dhe i madh është interesi në këtë çështjen e monopolit të çimentos, saqë kryeministri është i gatshëm edhe ta tregojë botërisht brishtësinë e tij, duke e shfaqur publikisht se nuk është kryeministër madje as i koalicionit qeverisës në të cilin thirret, e lëre më i partive tjera parlamentare që nuk janë në pushtet. Vota e Hashim Thaçit, në masë të madhe e vjedhur, ka filluar të tkurret.

Seanca nuk vazhdoi për mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit i pranishëm në sallë asnjëherë nuk u bëri thirrje deputetëve që të vijnë në sallë dhe ta mbajmë seancën që e kishim nisur dje. Këtë e bëri Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kur s’ka kuorum bie zilja disa herë. Jo edhe sot kur ishin 57 veta në sallë. Kryetari Krasniqi madje as nuk u denjua ta caktojë një pauzë të shkurtër pas propozimit tonë që të thirren deputetët në sallë, në mënyrë që t’i jepet rast krijimit të kuorumit. Nuk u pa fare i interesuar ta ketë kuorumin në sallë.

I tërë ky bojkot natyrisht se hap dyer të shumta dyshimi.Gjatë tërë kësaj kohe sa është debatuar çështja e monopolizimit të tregut të çimentos nga qeveria e Kosovës, është diskutuar shumë se kush përfiton nga kjo. Qartazi publikisht dhe botërisht dihet se përfitojnë pronarët e Sharrcemit. Për këtë nuk ka hamendësime. Por kush janë ata? Dhe, pse e paska kryeministri dhe deputetët e tij kaq të rëndësishëm përfitimin e pronarëve të Sharrcemit? Kjo nuk dihet. Dje në interpelancë, në tentim të mbrojtjes së vendimit, ministrja disa herë deklaroi se kjo e mbron ekonominë e vendit dhe punëtorët e Kosovës (të punësuar në Sharrcem). Po atëherë, pse nuk kemi edhe mbrojtje të sektorëve tjerë shumë më të rëndësishëm për ekonominë e vendit? Pse nuk u mbrojtën punëtorët tjerë të Sharrcemit të cilët madje u arrestuan nga po e njëjta qeveri kur protestonin për të drejtat e tyre, dhe kundër përjashtimit nga puna që ua bëri menaxhmenti i “Titan Grupit”? Pse nuk po mbrohen, por po arrestohen punëtorët e Ferronikelit, të cilët tash u përjashtuan nga menaxhmenti i shkritores? Kjo qeveri dhe ky kryeministër kurrë nuk kanë mbrojtur asgjë tjetër përveç interesit të tyre personal, përfundon kumtesa e Vetëvendosjes dërguar medieve.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit