6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Vuçiq: Raportet e Serbisë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk kanë qenë kurrë më të mira

Më të lexuarat

Vuçiq tha se “Serbia është në rrugën evropiane” dhe kjo ishte “politika e vetme” e vendit

Marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut “nuk kanë qenë kurrë më të mira”, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiq, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jemi të kënaqur me atë që kemi. Marrëdhëniet mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë kurrë më të mira”, tha Vuçiq në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Duke iu referuar nismës së Ballkanit të Hapur për një zonë të përbashkët ekonomike dhe politike midis tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, Vuçiç tha se Serbia ka një “politikë të dyerve të hapura” për këdo që është i gatshëm të bashkëpunojë.

“Kushdo që dëshiron bashkëpunim… është i mirëpritur, dhe kaq. Njerëzit mendojnë se ne duhet të ndjekim dikë për të justifikuar ekzistencën tonë. Nuk kemi pse”, tha ai.

“I kemi ftuar të gjithë. Jemi të kënaqur me atë që kemi, do të donim të kishim më shumë, por jemi të kënaqur. Kemi bashkëpunim të mirë me të gjithë”, shtoi ai.

“Rruga evropiane, politika e vetme e Serbisë”

Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë dominon në diskursin rajonal, Vuçiq ripohoi se “Serbia është në rrugën evropiane” dhe se kjo është “politika e vetme” e vendit.

“Serbët dhe qytetarët e Serbisë kujtojnë atë që ndodhi më shumë se 20 vjet më parë”, tha ai, duke iu referuar bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999 gjatë Luftës së Kosovës.

I përballur me presionin e pandërprerë nga Perëndimi për të vendosur sanksione ndaj Moskës, Vuçiq i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të njohë shqetësimet e Serbisë.

“Duhet të përpiqeni të kuptoni… të paktën na dëgjoni, dëgjoni problemet tona, mos na përsëritni çdo ditë atë që dëshironi nga ne. Ne kemi njerëzit tanë për të cilët duhet të kujdesemi”, tha presidenti serb.

Kredi nga SHBA-ja për projekte energjetike

Serbia do të marrë kredi nga SHBA-ja për projekte të ndryshme energjetike, tha Vuçiq, duke shtuar se këtë çështje e ka diskutuar me Reta Jo Lewis, shefen e Bankës së Eksport-Importit të SHBA-së.

Ai tha se “kredia e madhe” do të përdoret “së pari për projekte diellore dhe më vonë për projekte hidro”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit