20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Vrasesi dhe i vrari ne zjarr

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Nga Ebi Bekre Nufeji ibn Harith Eth-Thekafi transmetohet se profeti a.s. ka thënë: “Kur dy myslimanë ndeshen me shpata me njëri-tjetrin edhe vrasësi edhe i vrari janë në Zjarr. Për vrasësin është e qartë, po i vrari pse është në Zjarr? – e pyeta. “Është në Zjarr, ngase edhe ai kishte shumë dëshirë ta vriste shokun e tij.[1]”
Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit
Ai është Nufej ibn Harith ose Nufej ibn Mesruh. Në pritjen jo të mirë që i bënë profetit a.s. banorët e Taifit, ai doli nga rrethimi, e ndoqi profetin a.s. dhe besoi në mesazhin e tij. Kur profeti a.s. mësoi se ishte skllav, e liroi nga skllavëria duke i vënë epitetin Ebi Bekre.
Ka qenë një njeri i devotshëm dhe prej sahabëve më të përzgjedhur.
Ka jetuar në Basra, ku thuhet se atje dy ishin njerëzit më të mirë nga gjithë të tjerët. Ata qenë: Imran ibn Husejn dhe Ebi Bekre.
Në betejën e Devesë dhe në Sifin nuk morri pjesë në asnjërën prej dy kampeve. Ka qenë adhurues i mirë deri në vdekje. Në agoninë e vdekjes, la amanet që xhenazen t’ia falte Ebu Burzeh El-Eslemij, i cili e kreu amanetin. Vdiq në vitin 51 të hixhretit në qytetin e Basrës.
Shpjegimi i hadithit
Myslimanët janë vëllezër me njëri-tjetrin, prandaj myslimani nuk i bën padrejtësi, nuk e përul dhe as nuk e ofendon vëllain e tij mysliman. Çdo mysliman e ka të ndaluar të marrë gjakun, pasurinë dhe nderin e vëllait mysliman. Ky ligj hyjnor ruan të paprekur gjakun e myslimanëve, madje e ndalon luftën mes tyre sido që të jenë motivet.
Kur mes grupeve të myslimanëve ka konflikte apo përleshje, atëherë duhet marrë për bazë ligji hyjnor Kuranor: “Nëse dy grupe myslimanësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata. Por, nëse njëri grup sulmon tjetrin, atëherë luftoni kundër sulmuesit, derisa të kthehet në urdhrat e Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini ata mes tyre, me drejtësi dhe paanësi sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.[2]”
Nëse konflikti shtohet akoma më tepër, zëri i arsyes mungon dhe secila prej palëve mbron me fanatizëm mendimin e vet. Udhëzimi profetik na orienton për tek gjykimi i drejtë që askush mos t’i bëjë padrejtësi tjetrit. Prandaj në këtë hadith, profeti a.s. thotë se kur dy myslimanë luftojnë me njëri-tjetrin, si vrasësi po ashtu edhe i vrari janë në Zjarr.
Me të drejtë lind pyetja që i bëri Ebi Bekre me habi profetit a.s.: Për vrasësin është e qartë, po i vrari pse është në Zjarr? Ndërsa përgjigja e profetit a.s. ishte: “Është në Zjarr, ngase edhe ai kishte shumë dëshirë ta vriste shokun e tij.”
Në këtë rast Allahu i ndëshkon të dy personat që luftojnë kundra njëri – tjetrit në varësi të nijetit të tyre. Nijeti është mes mendimit dhe vendosmërisë. Njeriut mund t’i vijë një mendim i mirë ose i keq në mendje, por nuk zë vend dhe si rrjedhojë njeriu nuk ndëshkohet. Ndërsa kur njeriu vendos të veprojë kjo do të thotë se vendosmëria është ngulitur në mendjen e tij. Prandaj, të dy luftëtarët të cilët ndeshen kundra njëri – tjetrit e kanë vendosur që të vrasin kundërshtarin. Kështu, për këtë arsye Allahu i ndëshkon të dy sepse ata nuk kanë ndjekur mësimet e Kuranit dhe orientimet e profetit a.s.
Ndërsa në rastin kur myslimani lufton për të mbrojtur veten e tij, ka të drejtë sepse dikush e ka sulmuar i pari atë. Ebu Hurejra transmeton: Një njeri erdhi tek profeti a.s. dhe e pyeti: “O i Dërguar i Allahut! Nëse dikush vjen të më marrë paratë e mia me forcë, si të veproj? “Mos ia jep – u përgjigj profeti. Po nëse, ai më sulmon – pyeti? “Sulmoje edhe ti – u përgjigj. Po nëse ai më vret – pyeti? “Ti je në pozitën e dëshmorit – u përgjigj. Po nëse unë e vras – pyeti?  “Atëherë ai është në Zjarr.[3]”
Rregulla dhe dispozita fetare
Vrasja e myslimanit apo drejtimi i armës karshi tij pa të drejtë është rreptësisht e ndaluar. Madje vrasja e myslimanit me pa të drejtë konsiderohet prej mëkateve të mëdha.
Juristët myslimanë kanë thënë se: “Nëse mendimi që i vjen njeriut në kokë shoqërohet me vendosmëri dhe veprim, atëherë në këtë rast njeriu është përgjegjës i veprimit të tij.”
Nëse myslimani tenton të vrasë vëllain e tij mysliman me çfarëdo lloj arme; thikë, revole, etj. atëherë ai edhe në këtë rast është përgjegjës për veprimin e tij.
Përfitimet e nxjerra nga hadithi
1 – Largimi i dyshimeve dhe zgjidhja e problemeve.
2 – Ndalimi i vrasjes me padrejtësi për çfarëdo lloj arsye.
3 – Pyetjet dhe përgjigjet.
4 – Njeriu është përgjegjës për atë që vendos në zemër.
1.      Largimi i dyshimeve dhe zgjidhja e problemeve.
Detyrë e ftuesit është që t’u sqarojë të tjerëve gjithçka që ka të bëjë me çështjet e fesë, t’ia largojë dyshimet dhe t’ia zgjidhë problemet. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar për këtë, ku thotë: “Ne të zbritëm ty Përkujtimin (Kuranin) që t’u sqarosh njerëzve atë ç’ka u ka zbritur, në mënyrë të atillë që të meditojnë.[4]”
Dijetari i shquar Ibn Uthejmin r.a. thotë: “Nga ky hadith kuptojmë se sahabëve (shokët e profetit) herë pas here u lindnin dyshime nga më të ndryshmet. Prandaj ata shkonin dhe e pyesnin profetin a.s. rreth tyre e ai a.s. i kthente përgjigjen e duhur. Prandaj, për çdo dyshim që mund të lindë Kurani apo udhëzimi profetik i ka dhënë përgjigje në dy forma:
       I.            I është dhënë përgjigja pa pyetje, askush nuk ka pyetur.
    II.            Dikush ka pyetur dhe ka marrë përgjigjen.
Kështu që, kur profeti a.s. i njoftoi shokët se Dexhali do të qëndrojë 40 ditë, ku dita e parë do të jetë sa një vit, e dyta sa një muaj dhe e treta sa një javë, ndërsa ditët e tjera si ditët tona, sahabët pyetën: “Si i bëhet me faljen e namazit ditën që është sa një vit?  Përllogariteni – u përgjigj profeti”. Ky hadith është argument mjaft i qartë se në Librin e Allahut dhe udhëzimin profetik nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur. Përkundrazi është mendja njerëzore ajo e cila ka mangësi dhe është e paaftë të zgjidhë problemet e ndryshme me të cilat përballet.”
2.      Ndalimi i vrasjes pa të drejtë për çfarëdo lloj arsye.
Në këtë hadith, profeti a.s. na njofton për të ardhmen që i pret si vrasësin ashtu edhe të vrarin. Ky hadith dëshmon qartë se të vrasësh tjetrin pa asnjë arsye të justifikueshme është e ndaluar. Argument për këtë është edhe hadithi që se profeti a.s. ka thënë: “Kjo botë nuk ka për t’u zhdukur derisa të vijë koha kur vrasësi nuk e di përse ka vrarë dikë dhe as i vrari nuk e di përse është vrarë. Si është e mundur kjo? – pyeti dikush. Është kohë trazirash, si vrasësi dhe i vrari janë në Zjarr.[5]”
Imam Neueui ka thënë: “Ky hadith flet për ata njerëz të cilët luftojnë kundra njëri – tjetrit, secili për hesap të fisit dhe gjakut. Ndërsa sa i takon luftës që ndodhi ndërmjet sahabëve, dijetarët janë të njëzëri: Ky hadith nuk i cënon aspak ata, ngase asnjëri prej tyre nuk kishte për qëllim përfitimin material të kësaj bote, përkundrazi secila prej palëve e konsideronte veten se ishte në të drejtë, ndërsa pala tjetër e kishte gabim.”
Shkurtimisht si përmbledhje e asaj që kemi cekur edhe më lart themi se: Ata njerëz të cilët luftojnë dhe vriten për të fituar pasuri në formë të padrejtë ky hadith i përfshin, ndërsa ai i cili lufton dhe vritet për të mbrojtur veten, familjen dhe nderin nuk i përfshin ky hadith.
3.      Pyetjet dhe përgjigjet.
Në këtë hadith lexojmë: “Për vrasësin është e qartë, po i vrari pse është në Zjarr? – e pyeta. “Është në Zjarr, ngase edhe ai kishte shumë dëshirë ta vriste shokun e tij.”
Nuk ka dyshim se pyetjet dhe përgjigjet janë instrumente për përçimin e ftesës islame, sepse ftesa bazohet tek dialogu që zhvillohet ndërmjet ftuesit dhe të ftuarit. Dijetarët kanë nxitur njerëzit që të shtrojnë sa më shumë pyetje që kanë të bëjnë me shumë çështje të rëndësisë së parë apo të dytë. Kjo e shton akoma më tepër ndjenjën e përgjegjësisë. Zhvillimi i një dialogu është një prej formave më të mira të bindjes, sepse në të vërtetë njerëzit kanë nevojë të binden dhe kjo arrihet mjaft mirë nëpërmjet bashkëveprimit. Madje një formë e tillë është përdorur shpeshherë edhe në Kuran, si p.sh.l: “Të pyesin kur është dita e Gjykimit? Thuaj: Atë e di vetëm Allahu.[6]”
4.      Njeriu është përgjegjës për atë që vendos në zemër.
Emëruesi i përbashkët mes nijetit dhe vendosjes me zemër për një çështje të caktuar është dëshira. Vendosja me zemër është pararojë e punës, ndërsa nijeti shoqërohet me punën.
Dijetarët thonë se mendimet që i vijnë njeriut janë me grada:
       I.            Grada më e ulët: I fanitet në mendje dhe i largohet menjëherë. Për të tillë mendim që vjen e ikën menjëherë, njeriu nuk është përgjegjës.
    II.            Grada e mesme: I vjen mendimi por heziton të veprojë, edhe në këtë rast njeriu nuk është përgjegjës.
 III.            Grada e fundit: I vjen mendimi, zë vend në zemër dhe e kryen veprimin. Kjo vendosmëri ndahet në dy lloje:
a.       Ajo që ka të bëjë me zemrën; si dyshimi në ekzistencën e Allahut, dyshimi në profetësinë e Muhamed a.s., dyshimi në botën tjetër. Ky lloj dyshimi konsiderohet mosbesim dhe në mënyrë kategorike njeriu është përgjegjës dhe do të ndëshkohet. Ndërsa smira, urrejtja, mendjemadhësia etj. që janë sëmundje të zemrës konsiderohen mëkate për të cilat njeriu do të ndëshkohet.
b.      Ajo që ka të bëjë me veprimet; si prostitucioni, vjedhja, pirja e alkoolit, vrasja etj. Në këtë pikë shumica e juristëve mendojnë se njeriu është përgjegjës sepse ai ka vendosur ta kryejë veprimin edhe nëse nuk e kryen atë.
 
 
[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.[2] Sure El-Huxhuratë/9.[3] Transmeton imam Muslimi.[4] Sure En-Nahl/44.[5] Transmeton imam Muslimi.[6] Sure El-Ahzab/63.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit