16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

VJEN NJË MUAJ

Më të lexuarat

Nga: Ferid Piku

VJEN NJË MUAJ

Ramazani është muaji i mbikëqyrjes së Allahut (xh.sh). Duhet ta ndjejmë se Ai na shikon në çdo moment, ta ndjejmë se duhet të jemi besimtarë të atij niveli, për të cilët thotë profeti Muhamed (a.s): “Ta adhurosh Zotin sikur po e shikon dhe në qoftë se ti nuk e sheh Atë, dije fare mirë se Ai të sheh ty”.
Do t`ju kujtoj një histori të një shërbëtori, të një djali që punonte bari kundrejt një pagese prej pak dirhemësh[1]. Ibn Omeri, një nga sahabët[2]  e profetit (a.s) deshi ta provojë këtë të ri dhe i thotë: “A nuk ma shet një dele e thuaji pronarit tënd, se e ka ngrënë ujku. Pronari nuk ka ka për ta marrë vesh si ka ndodhur në të vërtetë, aq më tepër po i the se e ka ngrënë ujku”.
Djaloshi ia kthen: “Mirë që po më mëson se çfarë t`i them pronarit tim, po Allahut (xh.sh) çfarë t`i them”? Pasi thotë këto fjalë i bie të fikët.
Le të jetë ky parimi ynë në këtë muaj: “Çfarë t`i themi Zotit”.
Kur hamë iftar themi: “O Zot pranoji duatë tona”. Po çfarë lutjesh kemi bërë ne? Çfarë pune kemi bërë? Apo secili prej nesh e ka mendjen vetëm se çfarë do të hajë për iftar e çfarë do të hajë për syfyr! Vlerësimi më negativ që mund t`i bëhet këtij muaji, është të mendojmë vetëm për ushqimin që do të hamë për syfyr e për iftar. Në dashtë Zoti do të kemi se çfarë të hamë, sepse nuk vdes njeriu për të ngrënë.
 
Të nderuar besimtarë muslimanë!
Ta ruajmë veten tonë gjatë këtij muaji, jo nga ngrënia me harresë por nga punët e liga që bëhen me dëshirë. Gjuhët tona që u thanë nga ushqimi dhe pija, t`i ruajmë nga fjalët e liga. Profeti (a.s) ka thënë: “Pasha Zotin! Nuk ka vlerë agjërimi i atij njeriu, i cili i largohet ushqimit dhe pijes, por nuk i largohet haramit”. Ç`vlerë do të kishte tek Allahu (xh.sh) ky lloj agjërimi?! E lus Zotin e madhëruar, të mos na bëjë njerëz të tillë.
Ramazani nuk është vetëm muaji i adhurimit, në të cilin nuk duhet të hash e të pish, por është muaji i punëve të mira, është muaji i konkurimit për mirë. Aty ku të shkon mendja për mirë mos nguro, bëje atë të mirë sepse ka vlerë të madhe.
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Kush kryen një punë vullnetare në Ramazan, kosiderohet sikur të ketë kryer një obligim. Kush kryen një obligim në këtë muaj, konsiderohet sikur të ketë kryer 70 obligime (farze)”. Punët tek Allahu (xh.sh) në këtë muaj, vlerësohen me 70- fish e madje edhe më shumë.
Ramazani është muaji i zbritjes së Kuranit, muaji i leximit të tij.
Lexoje këtë libër vëlla i nderuar. Ke për ta parë se ka shumë sekrete brenda tij. Aty do të gjesh ushqimin e shpirtit tënd. Ke për ta parë, që po qe besnik me të, ai do të jetë gjithmonë besnik me ty. Ai nuk të harron as në këtë jetë, as në varr, as në urën e Siratit, madje të shoqëron deri në xhenetin e Allahut (xh.sh).
Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani e kapin besimtarin ditën e Gjykimit për dore dhe nuk e lënë në asnjë vend, derisa ta fusin në xhenetin e Allahut (xh.sh)”. Prandaj duhet ta lexojmë këtë Kuran, në mënyrë që ta kemi shoqërues në atë ditë të vështirë.
Ramazani është muaji i lëmoshës, është muaji i bujarisë.
Profeti Muhamed (a.s) ishte njeriu më bujar, por kur vinte Ramazani, ai arrinte kulmin e bujarisë së tij. Jepni lëmoshë me sa të keni mundësi. Lëmosha mund të jetë me fjalë të mira, me punë të mira, me paratë tuaja, me gjithçka që mundeni. Të jeni të sigurt, se shpërblimi tek Allahu (xh.sh) nuk ka për të humbur.
 
Ramazani është muaji i lutjeve.
Umer Ibn Hattabi (r.a), ai njeri që e njihte madhështinë e Allahut (xh.sh) ka thënë: “Pasha Zotin, unë nuk e kam hallin, nëse Allahu do t`i përgjigjet lutjes time, sepse  ajo është pjesa e Allahut, por unë kam hall nëse do të di se si të lutem”.
Ngriji duart drejt qiellit duke thënë: “O Zot, më udhëzo mua, udhëzo fëmijët e mi, udhëzoji të gjithë njerëzit”.
Lutu për rrizk, për pasuri, për gjithçka. Lutju Allahut (xh.sh) për veten tënde, për familjen tënde, për të gjithë njerëzit që kanë nevojë për faljen dhe për mëshirën e Allahut (xh.sh). Lus Allahun që prezenca e Tij të na shoqërojë në çdo moment, gjatë këtij muaji dhe pas këtij muaji. Lus Allahun (xh.sh) që mëshira e Tij të na përfshijë neve dhe gjithë besimtarët muslimanë kudo që janë.
Duke e quajtur këtë muaj, muaj të lutjeve, ju lutem të gjithëve, që të mos na harroni në lutjet tuaja.
                                                                                                                         AMIN

[1] Dirhem – Monedha e asaj kohe
[2] Sahab – Shok i profetit (a.s)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit