34.1 C
Pristina
Wednesday, June 19, 2024

Vetëmjaftueshmëria

Më të lexuarat

Zoti përmend në Kuran se si ndjenja e vetëmjaftueshmërisë e bën njeriun t’i tejkalojë caqet e tij

Çdo lexues i Kuranit e di se në të vazhdimisht theksohet ideja se Zoti është i Vetëmjaftueshëm, “Ghanij”, në kuptimin që “Ai nuk ka nevojë për asgjë nga askush, ndërkohë që të gjithë kanë nevojë për Të” (Ibën Mandhur). “Në rastin e njeriut, supozimi i një vetëmjaftueshmërie të tillë tradhëton, pa dashur, mungesën e një sensi të të qenit i krijuar dhe nevojtar. Kjo mëvetësi nuk është asgjë tjetër përveçse kryelartësi dhe arrogancë që përmban mohimin e Zotit si Krijues dhe faktit që njeriu është krijesë. Fjala e përdorur për këtë lloj të kryelartësisë është “istaghna”. Literalisht, kjo fjalë do të thotë ‘ta konsiderosh veten të vetëmjaftueshëm’, dhe rrjedhimisht, ‘të vendosësh një vetëbesim të pacak në fuqitë e tua’.

Ajo rrjedh nga e njëjta rrënjë me cilësorin “ghanij”, që do të thotë ‘i çliruar nga nevoja’, dhe përdoret për të treguar sjelljen e një njeriu që e konsideron veten absolutisht të çlirët në të gjitha aktet e tij, e i cili qëndron krejtësisht i pavarur, ose i varur vetëm nga vetja e tij. Një teprim i tillë i sigurisë në vetvete përfaqëson një rast verbues të pafytyrësisë dhe mendjemadhësisë, sepse Zoti është i Vetmi i cili ka të drejtën e plotë për t’u krenuar në të qenit i vetëmjaftueshëm, ose i pavarur në kuptimin e vërtetë” (Toshihiko Izutsu).

Zoti përmend në Kuran se si ndjenja e vetëmjaftueshmërisë e bën njeriun t’i tejkalojë caqet e tij: “S’ka dyshim njeriu shkel çdo cak, nga fakti se ai mendon që është i vetëmjaftueshëm” (El-‘Alak 96, 6-7). Ky është shembulli i njeriut që e sheh veten jonevojtar për Zotin për shkak të fuqisë që ndjen nga pasuria, pushtetit dhe lidhjet shoqërore që e rrethojnë. “Ai e sheh veten jonevojtar edhe për njerëzit e tjerë dhe kjo ndjenjë vetëmashtruese epërsie rritet brenda tij derisa të kthehet në sjellje të paskrupullt, e cila nuk frenohet as nga ndjeshmëritë fetare apo morale. Si rezultat, ai sillet si despot me njerëzit nga ndjenja e madhështisë, sepse ai ka në dorë që të zmbrapsë çdo pakënaqësi të tyre me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe atyre që kanë përfituar prej pasurisë së tij” (Tahir ibën ‘Ashur). Zoti pareshtur denoncon në Kuran ata që ecin me mendjemadhësi në tokë, të fryrë me një krenari të paarsyeshme, që ulërasin me zërin më të papëlqyeshëm dhe që shtypin të skamurit e të dobëtit me gjuhën e tyre verbërisht fyese: “Mos ia kthe faqen me kryelartësi e nënçmim njerëzve me të cilët je duke folur dhe
mos ec në tokë me mendjemadhësi, sepse Allahu nuk i do arrogantët mburravecë! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët, se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit!” (Lukman 31, 19). Nëse të ndjerit i vetëmjaftueshëm karshi Zotit është arrogancë që çon në mohimin e Tij, nga ana tjetër, vetëmjaftueshmëria e treguar me moslakmimin dhe moskërkimin e ethshëm të pasurive të kësaj jete është pasuria e vërtetë e njeriut.

Tabarani transmeton nga Ebu Dheri se Profeti e ka pyetur atë: “O Ebu Dher, a thua i pasur është ai që zotëron shumë pasuri dhe i varfër është ai që nuk ka pasuri?”, pyetje së cilës Ebu Dheri iu përgjigj duke pohuar. Profeti e ka përsëritur tri herë pyetjen dhe ka marrë të njëjtën përgjigje prej Ebu Dherit. Pastaj Profeti ka thënë: “Pasuria është në zemër, edhe varfëria është në zemër. Kushdo që është i pasur në zemër nuk do të dëmtohet nga çfarëdo që ta gjejë. Kushdo që është i varfër në zemër nuk do t’i mjaftojë pasuria sado e madhe qoftë, sepse ai do të dëmtohet nga koprracia në shpirt.” Gjithashtu, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra se Profeti ka thënë: “I pasur nuk është ai që zotëron shumë pasuri. Pasuria e vërtetë është vetëmjaftueshmëria e shpirtit (ghina en-nefs)“.

Sipas Imam Neueuijut, kuptimi i hadithit të Ebu Hurejrës është që pasuria e lavdërueshme qëndron në vetëmjaftueshmërinë e shpirtit dhe në mosqenien e tij lakmitar. Ai që ka shumë pasuri dhe lakmon t’i shtimin e saj nuk konsiderohet i pasur, sepse makutëria në shtimin e pasurisë tregon se ajo që ka nuk i mjafton. “Zemra që lakmon shtimin e pasurisë është e një njeriu të varfër në realitet, për sa kohë ai ka nevojë ta shtojë pasurinë, ndërsa ai, zemra e të cilit kënaqet me atë që i ka paracaktuar Sunduesi i mbretërive, është i pasur me zemrën e tij dhe i pavarur nga të tjerët me mbështetjen e tij te Zoti” (Mulla ‘Ali el-Qari). “Pasuria e dobishme dhe e lavdërueshme është vetëmjaftueshmëria e shpirtit. Zotëruesi i shpirtit jolakmitar arrin dëlirësi, krenari, madhështi dhe nderim, ndërsa i pasuri shpirtvarfër që e zhyt veten në veprime të ulëta e të neveritshme fiton përçmimin dhe përbuzjen e njerëzve” (Ibën Haxhar el- ‘Askalani).

Po ashtu, vetëmjaftueshmëria e treguar në moskërkimin e mirënjohjes së njerëzve është krenari që e pasuron besimtarin: “Ata ia japin ushqimin, megjithë dashurinë që kanë për të, të varfërit, jetimit dhe robit nga lufta. Nuk ju ushqejmë vetëm se për hir të Fytyrës së Allahut, nuk dëshirojmë prej jush as
shpërblim dhe as falënderim” (El-Insan 76, 8-9). Profeti është mësuar prej Zotit që në ditët e para të misionit të tij se mospërmendja e të mirave që u bënte njerëzve ishte nga cilësitë e larta profetike: “Mos ua përmend të mirat që të marrësh më shumë në kthim, dhe për hir të Zotit tënd duro” (El-Muddeththir
74, 6-7). “Marrja më shumë në kthim nënkupton kërkimin e shpërblimit në këmbim nga tjetri, i çfarëdo lloji qoftë ai, për shkak të mospëlqimit të pakësimit të pasurisë nga dhënia së saj. Zoti kërkoi nga Profeti që dhënia e tij të ishte e zhveshur nga pritja e diçkaje në këmbim dhe e sinqertë për Fytyrën e Tij” (Fakhr ed-Din er-Razi). Qëllimi i bamirësisë është kërkimi i kënaqësisë së Zotit, nëpërmjet të cilit shpirti dëlirësohet dhe lartësohet, në shembullin e atij “që jep pasurinë e tij për t’u dëlirësuar, jo në këmbim të shpërblimit të dikujt në kthim, por vetëm në kërkim të Fytyrës së Zotit të tij, më të Lartit. Pa dyshim, ai do të kënaqet” (El-Lejl 92, 18-21).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit