Vdekja e turpit dhe e moralit!

Më të lexuarat

Kur denoncimi shërben si ftesë për bashkëpunim dhe opozitarizmi si CV për t’u punësuar te “armiku”…

Skena politike dhe mediatike shqiptare po dëshmon një dukuri sa paradoksale, aq edhe dekurajuese: shndërrimin e parimeve në mallra këmbimi me afat skadence. Rasti i fundit i emërimit të ish-deputetit të PD-së, Dashnor Sula, si kryeinspektor nga kryeministri Edi Rama, apo kalimi i beftë i gazetares Jonida Shehu nga studiot ku denonconte “autokracinë” në zyrën e këshilltares së kreut të qeverisë, nuk janë thjesht lëvizje karriere.

Ato janë simptoma të një patologjie të thellë që po gërryen besimin publik: zhvlerësimit total të moralit dhe fjalës. Kur një figurë politike që ka ndërtuar profilin e saj mbi opozitarizmin e rreptë pranon një emërim nga kundërshtari që deri dje e cilësonte si “shkatërrues të vendit”, mesazhi që përcillet te qytetari është i qartë: kauzat janë maska, interesi është fytyra.

Ky lloj pragmatizmi cinik e kthen politikën nga një përplasje idesh në një pazar emërimesh. Nëse Edi Rama zgjedh të “pajtojë” kritikët e tij duke i integruar në sistem, ai nuk po praktikon gjithëpërfshirjen, por po asgjëson edhe atë pak opozitë që ka mbetur duke e blerë atë me dekorata dhe poste.

Kjo është një lloj “paqeje” ku opozitari dorëzon shpatën e parimeve për një vulë administrate dhe një rrogë shteti. Edhe më shqetësues është roli i medias. Kalimi i zërave që dje akuzonin regjimin si autokrat direkt e në tryezën e këshillimit të këtij “regjimi”, zbulon një të vërtetë të hidhur mbi “pavarësinë” editoriale në Shqipëri.

Kur kritika moderohet sipas logos së televizionit dhe kur “opozita ndaj opozitës” përdoret si mjet për të fituar pikë te pushteti, fjala publike e humbet peshën e saj. Gazetaria nuk shihet më si mision për të mbajtur llogaridhënës pushtetin, por si një CV e zhurmshme për të tërhequr vëmendjen e qeverisë.

Pra, një lloj audicioni publik ku sa më shumë bërtet, aq më shpejt të vjen ftesa për t’u bërë pjesë e “tepsisë”. Ky riciklim i figurave midis kampeve, që supozohet se janë në luftë ekzistenciale midis tyre prodhon një apati vdekjeprurëse te qytetarët, duke e kthyer moralin publik në një shaka pa kripë.

Kur shikon akrobaci të tilla, kupton se në teatrin tonë politik armiqësia është thjesht një efekt skenik që zgjat sa të fiken dritat e studios, ndërsa prapaskena mbetet një tryezë e përbashkët ku ndahen ofiqet me të njëjtën natyrshmëri siç ndahet edhe fatura e kafeve në një bar.

Vdekja e ideologjisë ka krijuar një specie të re, “opozitarin me qira”, i cili bërtet sot për të shitur heshtjen e tij nesër me një çmim më të lartë, duke i lënë qytetarët të vetmuar në një rrugë ku tabelat orientuese ndërrohen sipas kahut të erës.

Fjala e dhënë është kthyer në një monedhë të zhvlerësuar që nuk e blen as bukën e ndershmërisë, pasi në këtë treg të zi të parimeve, fituesit janë gjithmonë ata që dinë ta pështyjnë fytyrën e djeshme pa u skuqur fare teksa rrinë në zyrën e sotme.

Ky teatër absurd, i ka bindur njerëzit se nuk ka më as të majtë, as të djathtë, por vetëm një rreth vicioz ku i vetmi virtyt i mbetur është aftësia për t’u ulur në prehrin e atij që deri dje e mallkoje, duke e quajtur këtë “maturi politike” dhe jo thjesht dorëzim pa kushte dhe tradhti ndaj atyre që të besuan fjalën. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit