12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Vazhdon mbledhja e KS të OKB, nuk hiqet flamuri i Kosovës, shefi i UNMIK-ut: Dëshira e fortë për ndryshim u shpreh në zgjedhjet e fundit në Kosovë

Më të lexuarat

Këshilli i Sigurimit i OKLB ka vazhduar seancën virtuele ku po diskutohet raporti i UNMIK-ut për Kosovën, pas një ndërprerje si pasojë e kërkesës së përfaqësuesit të Rusisë që ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të largojë flamurin e Kosovës nga ambienti, prej ku ajo po merr pjesë në seancën.

Pas vazhdimit të seancës, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm Zahir Tanin, gjatë fjalimit të tij para Këshillit të Sigurimi, tha se “dëshira e fortë për ndryshim u shpreh në zgjedhjet e fundit në Kosovë”, pasi sipas tij, Kosova përfundoi suksesshëm zgjedhjet e hershme legjislative që u dalluan me pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe fitore nga ana e partisë politike të Vetëvendosjes e më shumë se gjysmës së të gjitha votave të hedhura.

“Pritjet e shprehura ishin për ndryshim të reagimit të qeverisë ndaj shpresave dhe nevojave reale të votuesve të saj, për barazi më të madhe të mundësive, llogaridhënie, dhe sundim të ligjit. Kësisoj, pritjet anembanë Kosovës do të mbesin të larta siç ishin edhe rezultatet”, tha Tanin theksoi para Këshillit të Sigurimit.

“Rezultatet gjithashtu çuan te zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidentja e dytë femër e Kosovës në mesin e një numri të madh të grave të zgjedhura në legjislaturën e Kosovës. 43 gra – që paraqesin 36 për qind të tërë parlamentit – fituan mandate duke i siguruar Kosovës vend përkrah trupave tjerë zgjedhor për nga numri i lartë i përfaqësimit të grave. Përbërja e re parlamentare e Kosovës përfshin gra në dy prej tri pozitave të zëvendës kryeministrit me 5 gra në pozita ministrore”, tha ai.

Tanin tha se qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ballafaqohet me “mundësi të mëdha, krahas sfidave të mëdha”.

“Hapja e dyerve të së ardhmes kërkon transformim, dhe ndryshim të prioriteteve që pasqyrohen si në fjalë ashtu edhe në vepra. Ulja e tensioneve po ashtu kërkon që partitë në pushtet dhe në opozitë ta dëshmojnë kapacitetin e tyre drejt interesave më të gjerë”.

Përkitazi me dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, pas takimit të tij të djeshëm me Kryeministrin Kurti dhe bisedës së sotme me presidentin Vuçiq, Tanin theksoi se të gjithë aktorët politikë janë të vetëdijshëm për rëndësinë qendrore të raporteve të tyre në progresin e rrugëtimit evropian. “Ata theksuan se vetëm një dialog domethënës dhe i sinqertë, si dhe politika përparimtare, do të mundësojnë zhvillimin e këtyre raporteve dhe arritjes së interesave të përbashkët”, tha ai.

“Fitimi i besimit publik në këtë proces është po aq i ndjeshëm sa edhe qenësor”, tha Tanin.

“Me një qeveri me mandat të fuqishëm tani të vendosur në Prishtinë, duhet të presim trajtimin e çështjeve të vështira me seriozitet dhe përkushtim”, tha ai

Tanin ritheksoi përkrahjen e palëkundur të UNMIK-ut ndaj procesit dhe përkushtimin e tij në nivelin bazë për promovim të një mjedisi të favorshëm për progres gjatë këtij rrugëtimi.

Lidhur me pandeminë e COVID-19, Tanin informoi Këshillin për shkallën alarmante të infeksioneve në Kosovë, dhe tha se Kosova mbetet nën presionin e pandërprerë të përhapjes së virusit COVID-19. Ai apeloi tek Shtetet Anëtare të rrisin përkrahjen ndaj Kosovës lidhur me vaksina në vazhdën e përpjekjeve globale për të siguruar furnizime me vaksina.

Duke e kthyer vëmendjen te puna e bërë nga Misioni, Tanin e njoftoi Këshillin rreth asistencës ndaj COVID-19 për popullatat e ndjeshme, përfshirë shpërndarjen e artikujve esencial; zbatimit të programeve për fuqizimin e grave dhe rinisë në politikë dhe shoqëri; mbështetjen ndaj iniciativave për të drejtat gjuhësore; dhe sigurimin e mekanizmave për ndihmë juridike falas.

Tanin nënvizoi rëndësinë e veçantë dhe ndjeshmërinë e lirive dhe tolerancës fetare, duke siguruar Këshillin se UNMIK-u vazhdon të monitorojë nga afër të gjitha incidentet ndaj objekteve fetare krahas vazhdimit të punës me komunitete dhe autoritete për të siguruar mbrojtjen e vendeve të tilla.

“Kjo është pjesë e përgjegjësisë së përbashkët për promovimin e besimit ndëretnik dhe uljes së rrezikut të tensioneve”, tha Tanin.

“Votuesit në Kosovë ngritën zërin e tyre për ndarjen nga e kaluara, dhe shpresoj se anëtarët e këtij Këshilli do ta shprehin përkrahjen e tyre të plotë drejt arritjes së një të ardhme më paqësore, më të ndritshme në Kosovë dhe rajon”, përfundoi Tanin.

Ndryshe, përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që po mbahet për Kosovën ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj ose të ndryshojë ambientin.

“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.

Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit