Analiza e Haaretz: Pse aleanca aktuale po i dëmton rëndë interesat amerikane
Në një analizë të thelluar dhe mjaft kritike të publikuar në gazetën prestigjioze izraelite Haaretz, Nimrod Novik, ish-i dërguari special dhe këshilltar politik i kryeministrit të ndjerë Shimon Peres lëshon një alarm urgjent për administratën amerikane: Donald Trump po bie në të njëjtin kurth manipulimi që ka gllabëruar pothuajse çdo president amerikan në tre dekadat e fundit.
Ndërsa Trump beson se po negocion me një “burrë të fortë” dhe një aleat besnik, analiza e Haaretz e bën të qartë se Benjamin Netanyahu po përdor autoritetin e Shtëpisë së Bardhë vetëm si një mburojë taktike për të shtyrë fundin e tij politik dhe për të shmangur përballjen me drejtësinë.
Sipas Novik, Netanyahu nuk është thjesht një lider në vështirësi, por një politikan që e ka kthyer në një“formë arti” aktrimin dhe lojën me presidentët amerikanë. Ai argumenton se Trump po bën një gabim strategjik duke investuar te një lider që është në prag të rrëzimit dhe që nuk ka as vullnetin politik, as mbështetjen e brendshme për të mbajtur premtimet e tij diplomatike.
“Tridhjetë vjet dhe gjashtë presidenca më vonë, një tjetër president amerikan nuk i ka kuptuar ende mënyrat më delikate se si ky politikan veteran izraelit po luan me të”, shkruan Novik për Haaretz, duke vënë në dukje se Uashingtoni po e keqlexon totalisht realitetin e brendshëm izraelit.
Problemi qendror që kjo analizë nxjerr në dritë, lidhet me “Planin 20-pikësh” të Trump-it për Gazën. Novik shpjegon se koalicioni aktual i Netanyahut, i dominuar nga “ekstremistët dhe aneksionistët mesianikë”, është pengesa kryesore për çdo lloj stabiliteti.
Këta partnerë qeverisës nuk janë thjesht kundërshtarë të paqes, por arkitektë të një vizioni që përplaset direkt me interesat amerikane. “Partnerët e koalicionit të Netanyahu-t janë të përkushtuar ideologjikisht për të parandaluar” çdo element stabilizues që kërkon Uashingtoni, vëren Novik.
Ai argumenton se Netanyahu e përdor “pafuqinë politike performative” si taktikë, duke i thënë Trump-it “dua, por nuk më lejojnë partnerët”, një lojë që synon vetëm të fitojë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme të tetorit.
Më tej, Novik detajon katër taktikat e njohura të Netanyahut: gradualizmin, devijimin e axhendës drejt Iranit sa herë që presioni rritet, dhe krijimin e pengesave artificiale në pikat kufitare si ajo e Rafahut për të detyruar negociatorët amerikanë të humbasin muaj të tërë në detaje të parëndësishme.
Ai nënvizon se ky “investim në vullnetin e mirë” të një njeriu që ka tradhtuar besimin e paraardhësve të Trumpit, si Bill Clinton apo Joe Biden, është një rrugë pa krye. “Investimi në vullnetin e mirë të Netanyahut rrallë përfundon mirë”– shprehet autori, duke paralajmëruar se Trump po rrezikon të mbetet i vetëm në dështimin e tij diplomatik.
Përfundimi i analizës në Haaretz është një thirrje e hapur për zgjim: Trump duhet të pushojë së identifikuari interesat e Izraelit me fatin personal të një kryeministri të rrethuar nga dështimet.
Nëse dëshiron stabilitet real dhe një “marrëveshje” që zgjat, Trump duhet të fillojë përgatitjet për “ditën pas tij” duke ndërtuar ura me opozitën dhe gjeneralët izraelitë. Siç thotë Novik: “Nëse Trump kërkon një partner izraelit të gatshëm dhe të aftë për t’i dhënë fund luftës… ai duhet të investojë në opozitën e Izraelit, jo te ekstremistët e saj”.
Uashingtoni duhet të kuptojë se “anija” e Netanyahut po mbytet nën peshën e korrupsionit dhe radikalizmit të brendshëm. Nëse Trump nuk shkëputet në kohë nga ky partneritet toksik, ai rrezikon të marrë me vete edhe besueshmërinë e fuqisë amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. /tesheshi.com/
