Me planin e tij të ri të përbërë nga 28 pika për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump ripërsërit argumentin e tij se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ka “forcën” për ta vazhduar luftën, dhe se duhet të arrijë një marrëveshje që anon ndjeshëm në favor të Moskës.
Trump, i cili nuk ka treguar asnjëherë respekt për Zelenskyn që nga mandati i tij i parë, thotë se pret që lideri ukrainas t’i përgjigjet planit të ri të administratës së tij për t’i dhënë fund luftës deri të enjten e ardhshme.
Trump tha të premten e kaluar për Zelenskyn: “Ai do të detyrohet të pajtohet me të.”
Por të nesërmen ishte më pajtues, duke thënë: “Do të doja ta arrija paqen.”
Ai u tha gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë dje, të shtunën:
“Ne po përpiqemi t’i japim fund kësaj lufte. Në një mënyrë apo në një tjetër, duhet t’i japim fund.”
Disa orë më vonë, senatorë amerikanë kritikë ndaj qasjes së Trump për t’i dhënë fund luftës ruso–ukrainase thanë se kishin folur me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, i cili u kishte thënë se plani i paqes që Trump po e shtyn Kievin ta pranojë është në realitet “një listë dëshirash” ruse, dhe jo propozimi aktual që pasqyron pozicionet e Uashingtonit.
Departamenti i Shtetit amerikan e përshkroi këtë pretendim si “të rremë”, dhe Rubio mori më vonë një hap të jashtëzakonshëm duke këmbëngulur mbrëmë se plani është përgatitur nga administrata amerikane; por çështja ngriti edhe më shumë pyetje mbi fatin e tij.
Një situatë e vështirë
Megjithatë, mes një skandali korrupsioni në qeverinë e tij, humbjeve në fushëbetejë dhe një dimri të ashpër që po afrohet me Rusinë që vazhdon të godasë rrjetin energjetik ukrainas, Zelensky thotë:
“Ukraina përballet tani ndoshta me zgjedhjen më të vështirë në historinë e saj.”
Marrëdhëniet mes Trump dhe Zelenskyt kanë qenë të tensionuara. Zelensky nuk ka folur me Trumpin që nga shpallja e planit javën e kaluar, por tha se pret të bisedojë me presidentin republikan në ditët e ardhshme.
Ka gjasa që kjo telefonatë të jetë një tjetër hallkë në zinxhirin e bisedave të vështira që të dy liderët kanë zhvilluar ndër vite.
Në bisedën e tyre të parë, më 2019, Trump tentoi ta shtypte presidentin e ri ukrainas atëherë që të zbulonte informacione që do të dëmtonin Joe Biden përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane 2020.
Ajo telefonatë çoi në procesin e parë gjyqësor për shkarkimin e Trump.
Trump e bëri mbështetjen e Biden ndaj Ukrainës një çështje kryesore në fushatën e tij të suksesshme të vitit 2024, duke thënë se konflikti i ka kushtuar taksapaguesve amerikanë shuma të mëdha, dhe u zotua ta përfundonte luftën shpejt.
Ndërmjet dinjitetit dhe historisë
Më herët këtë vit, në një takim të dështuar në Zyrën Ovale, Trump dhe zëvendësi i tij J.D. Vance kritikuan ashpër Zelenskyn për atë që e quajtën “mungesë mirënjohjeje” për më shumë se 180 miliardë dollarë që SHBA ka dhënë për ndihmë ushtarake dhe të tjera për Kievin që nga fillimi i luftës.
Ajo ngjarje çoi në pezullimin e përkohshëm të ndihmës amerikane për Ukrainën.
Tani, pas shpalljes së planit të tij për t’i dhënë fund luftës, Trump po e shtyn Zelenskyn të pranojë:
• heqjen dorë nga territore ndaj Moskës,
• një tkurrje të madhe të ushtrisë ukrainase,
• pëlqimin europian për të konfirmuar se Ukraina kurrë nuk do të pranohet në NATO.
Zelensky tha në një fjalim të regjistruar të premten:
“Ukraina mund të përballet tani me një zgjedhje tepër të vështirë: ose humbjen e dinjitetit, ose rrezikun e humbjes së një partneri kryesor.”
Plani i Trump fokusohet në kërkesën që Ukraina të heqë dorë nga e gjithë zona lindore Donbas, edhe pse pjesë të mëdha të saj janë ende nën kontrollin ukrainas.
Analistët e “Institutit për Studimin e Luftës” vlerësojnë se ushtrisë ruse mund t’i duhen vite për ta marrë të gjithë rajonin, me ritmin aktual të avancimit.
Megjithatë, Trump këmbëngul se humbja e rajonit – i cili përmban qytete kyçe mbrojtëse, industriale dhe logjistike – është një çështje e kryer.
Në një intervistë për “Fox News”, i pyetur për përpjekjet për ta detyruar Ukrainën të dorëzojë territorin, Trump tha:
“Ata do ta humbasin atë brenda një periudhe të shkurtër. Ju e dini këtë. Ata po humbasin tokë. Po humbasin tokë.”
Durimi i Trump
Dan Driscoll, Sekretari i Ushtrisë së SHBA, ia paraqiti zyrtarisht Zelenskyt propozimin e Trump në Kiev të enjten e kaluar.
Vetë plani ishte befasues edhe për stafin e Driscoll, të cilët nuk ishin në dijeni deri vonë të mërkurën se shefi i tyre do të shkonte në Ukrainë për t’ua paraqitur propozimin ukrainasve.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes u larguan nga takimi me përshtypjen se ukrainasit e shohin propozimin si një pikë nisjeje, e cila do të ndryshojë teksa negociatat avancojnë.
Nuk është e qartë sa durim ka Trump për negociata të mëtejshme.
Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, tha se plani i ri i Trump “pasqyron realitetin e situatës” dhe paraqet një skenar më të mirë për të dyja palët.
I pyetur për reagimin fillestar të Zelenskyt, Trump kujtoi takimin e Zyrës Ovale në shkurt.
Trump ndjek pikat e dobëta të të tjerëve
Konstantin Sonin, ekonomist politik dhe ekspert i çështjeve ruse në Universitetin e Çikagos, thotë:
“Ajo në të cilën Donald Trump është vërtet i aftë është të dallojë pikat e dobëta të njerëzve.”
Një nga 28 pikat e planit kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë brenda 100 ditësh nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.
Sonin shtoi:
“Besoj se kjo është një vlerësim racional se Trump ka më shumë ndikim mbi Zelenskyn sesa mbi Putinin.
Zelensky është mbërthyer pas murit, dhe qeveria e tij mund të rrëzohet nëse ai pajtohet me propozimin amerikan.”
Ndërkohë, Ukraina tregon shenja të rritura lodhjeje në fushëbetejë pas viteve të luftës kundër një ushtrie ruse më të madhe dhe më të pajisur.
Ukraina po përpiqet me vështirësi të zmbrapsë sulmet ajrore të vazhdueshme ruse që po shkaktojnë ndërprerje të përsëritura të energjisë në gjithë vendin teksa afrohet dimri.
Kievi po përballet gjithashtu me dyshime mbi të ardhmen e tij, sidomos pasi një plan evropian për financimin e buxhetit të vitit të ardhshëm ukrainas me kredi të lidhura me fondet e ngrira ruse është vënë në pikëpyetje.
Ndërhyrjet kulturore dhe pretendimet historike
Propozimi i Trump, në formën e tij aktuale, përmban elemente që – sipas historianit ushtarak David Silbey të Universitetit Cornell – prekin thellë dinjitetin ukrainas.
Një nga pikat kërkon që Rusia dhe Ukraina:
• të anullojnë të gjitha “masat diskriminuese”,
• të garantojnë të drejtat e medias dhe arsimit ukrainas dhe rus,
• dhe të “refuzojnë e ndalojnë të gjitha ideologjitë dhe aktivitetet naziste.”
Kjo, sipas analistit, mund të shihet nga Ukraina si një koncesion narrativ që i jep besueshmëri pretendimeve historike të shtrembëruara të Putin për t’i dhënë legjitimitet pushtimit të vitit 2022.
Putin ka thënë më parë se lufta është pjesërisht një përpjekje për “denazifikimin” e Ukrainës, duke e akuzuar vendin për “regjim nazist të ri”.
Në zgjedhjet parlamentare të Ukrainës më 2019, mbështetja për kandidatët e ekstremit të djathtë ishte vetëm 2%, shumë më pak se në shumë vende të tjera evropiane.
Silbey tha:
“Kjo pikë e planit është një përpjekje e qartë për të forcuar pretendimin e Putin mbi identitetin kulturor rus brenda Ukrainës — duke filluar nga humbja e territorit, te reduktimi masiv i ushtrisë ukrainase, deri te koncesionet kulturore të kërkuara.
Nuk mendoj se Zelensky do të pranojë këtë marrëveshje dhe të përballet përsëri me publikun e tij.”
Burimi: Associated Press
