21.3 C
Pristina
Saturday, July 13, 2024

Treçerek shekulli jetë, por kaosi politik e mjegullon të ardhmen e NATO-s

Më të lexuarat

Dilema mbi Biden, kërcënimet e Trump dhe Ukraina, shqetësimet kryesore të udhëheqësve evropianë

Nga Emily Rauhala, Washington Post

 Samiti i NATO-s i kësaj jave në Uashington duhej të ishte një festë. Shtatëdhjetë e pesë vjet pas themelimit të saj, aleanca është më e madhe dhe më e rëndësishme se sa ka qenë ndër dekada. Lidhjet transatlantike janë sërish të forta. Të nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës, aleatët janë të bashkuar, por kjo edhe falë lidershipit të SHBA-së.

Por ndërsa kryeqyteti amerikan përgatitet të presë dhjetëra krerë shtetesh dhe qeverish, pak prej tyre janë në humor për të festuar. Presidenti amerikan që mbrojti ripërtëritjen e NATO-s është në telashe serioze. Ndërsa në të dyja anët e Atlantikut, po dominon politika izolacioniste e ekstremit të djathtë.

Në moshën 75-vjeçare, NATO është ende e fuqishme. Megjithatë, është e vështirë të mos pyesësh veten se si do të jetë aleanca pas një viti, pra nëse do të ekzistojë ende dhe a do jetë në formën e duhur. Gjatë tre ditëve të samitit jubilar, duke filluar nga sot, presidenti amerikan Biden dhe udhëheqësit perëndimorë do të argumentojnë se NATO-n dhe rendin e pas Luftës së Dytë Botërore, e presin vite të mira përpara.

Aleatët do të rikujtojnë historinë që i bashkoi, dhe do të pajtohen rreth nevojës për t’iu kundërvënë me vendosmëri një Rusie tejet revanshiste. Ata do të sqarojnë se si duhet punuar për ta ndihmuar më tej Ukrainën. Po ashtu, do të theksojnë se aleanca po e sheh nga afër partneritetin ushtarak, të përforcuar shumë vitet e fundit, midis Pekinit dhe Moskës.

Por jashtë sallave të Qendrës së Konventave, ku do të zhvillohen bisedimet e nivelit të lartë, bisedat do të jetë pa entuziazëm, dhe do kenë në fokus përshtatshmërinë e Joe Biden për detyrën që mban, mundësinë e një presidence të dytë të Donald Trumpin dhe kaosin politik në Francë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Mesazhet që do të dalin samiti, do të kalibrohen në një mënyrë të tillë që NATO të marrë mbështetje maksimale dhe të dalë e paprekur nga ‘stuhitë politike’ në horizont. Aleatët do të vënë në dukje rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve në mbrojtje, dhe do t’i ofrojnë më shumë ndihmë ushtarake Ukrainës.

Edhe pse paketa e radhës, është më e vogël nga sa shpresonin disa zyrtarë të NATO-s, dhe nuk do të shoqërohet me përparim në procesin e anëtarësimit të saj në aleancë. “Atmosfera e rënduar është e dukshme për çdo udhëheqës evropian. Ata nuk do ta përmendin këtë për respekt të Biden. Megjithatë ajo është në mendjen e gjithsecilit”- thotë Camille Grand, ish-ndihmës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s, sot eksperte në institutin “European Council on Foreign Relations”.

Zhvillimi i këtij samiti jubilar në Uashington ka një peshë simbolike. Por ndoshta jo në mënyrën se si kishin shpresuar zyrtarët dhe diplomatët amerikanë. Gjatë viteve të fundit, administrata Biden ka punuar për të rindërtuar lidhjet transatlantike të dëmtuara gjatë presidencës Trump, duke rinovuar marrëdhëniet me partnerët, dhe duke sinjalizuar një mbështetje të fortë për NATO-n.

“Amerika është kthyer; aleanca transatlantike është kthyer. Dhe ne nuk e kthejmë kokën pas!”- deklaroi Biden në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2021. Pushtimi rus i Ukrainës një vit më vonë, u duk se i dha të drejtë, duke i garantuar aleancës me një ndjenjë të re të qëllimit pse ekziston, dy anëtarë të rinj si Finlanda dhe Suedia, dhe plane më të sofistikuara për parandalimin e sulmeve dhe mbrojtjen.

Por disa muaj përpara samitit të Uashingtonit, Trump e tronditi fort aleancën duke paralajmëruar se nëse zgjidhet sërish president do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte aleatët e SHBA-së, në rast se këta nuk do të shpenzojnë mjaftueshëm për ushtritë e tyre. Njëkohësisht, një vonesë prej disa muajsh e ndihmës për Ukrainën, nxori në pah pasigurinë e mbështetjes tek SHBA-së.

Aleatët kanë reaguar duke u përpjekur të testojnë planet e tyre. NATO do të zyrtarizojë këtë javë përpjekjen për të rigjallëruar Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, një organ koordinues i Ukrainës i udhëhequr nga SHBA-ja për ta furnizuar Kievin me një fluks të qëndrueshme armësh, dhe që është pjesërisht nën kontrollin e NATO-s.

Ideja është të pengohet Trump të tërhiqet nga ndihma ushtarake ndaj Ukrainës. “Nëse e ndërkombëtarizoni këtë çështje, atëherë e hiqni nga duart e Trump”- thotë në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i NATO-s. Zyrtarë dhe diplomatë të tjerë të NATO-s, i konsiderojnë këto dhe përpjekje të tjera si qëllim-mira, por të pamjaftueshme për të

ndaluar një Trump që është i vendosur ta dëmtojë aleancën apo mbështetjen e saj për Ukrainën, nëse zgjedh që ta bëjë këtë. Kongresi miratoi pak muaj më parë një ligj, i cili synon të parandalojë çdo president të SHBA-së nga tërheqja e njëanshme nga NATO . Por për ta dëmtuar seriozisht, Trump nuk

do të kishte nevojë të largohej zyrtarisht nga aleanca. Për ta bërë këtë mjafton deklarata e përsëritur se nuk do t’i vijë në mbrojtje aleatëve, nëse këta do të kenë nevojë për SHBA-në.

Ditët e fundit, pyetjet nëse Biden është i përshtatshëm për të qëndruar si kandidat në zgjedhje, e kanë shtuar shqetësimin e evropianëve, ndonëse shumica e udhëheqësve janë shumë të sjellshëm për ta pranuar këtë publikisht. Në prapaskenë, zyrtarët amerikanë po përpiqen t’i qetësojnë, duke theksuar se aleanca i ka mbijetuar çdo lloj trazire politike gjatë më shumë se shtatë dekadave.

“Ne nuk mund të ndalojmë dot mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare. Kjo është një pjesë e ADN-së së aleancës. Që nga fillimet e saj, aleanca ka parë pak nga të gjitha. Kjo situatë nuk është krejtësisht e panjohur”-tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke folur sërish në kushte anonimiteti.

Megjithatë, sfidat duket sikur po shumëfishohen. Samiti i Uashingtonit zhvillohen në mesin e turbullirave të mëdha politike në Francë, ku një paraqitje e bujshme e partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen në zgjedhjet evropiane të fillim-muajit të kaluar, e nxiti presidentin Emmanuel Macron të shpërndante parlamentin dhe të thërriste zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 30 qershor dhe 7 korrik.

Edhe pse votuesit francezë, u mobilizuan raundin e dytë më sukses për të parandaluar krijimin e qeverisë së parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore, Macron dhe lëvizja e tij politike centriste do të jenë shumë të kufizuar në veprimtarinë e tyre.

Macron është prej kohësh një përkrahës i idesë që Evropa duhet të krijojë “autonominë strategjike” nga Shtetet e Bashkuara. Ai është përpjekur vitin e fundit, të vihet në krye të përgjigjes evropiane ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Por pasiguria për atë që vjen më pas – për politikën e jashtme të Macron dhe politikën franceze në përgjithësi – do ta vështirësojnë politikën e aleancës.

“Një Francë në kaos, do të ishte një problem në kohë paqeje. Por do të jetë shumë më tepër përballë një Rusie në luftë, që po e përshkallëzon agresionin e saj dhe që bën çmos të nxisë trazira tek demokracitë perëndimore”- shkroi javën e kaluar analistja Sylvie Kauffmann në gazetën francezë Le Monde.

Në Gjermani, një tjetër aleate e fuqishme e NATO-s, kancelari Olaf Scholz është gjithashtu në telashe. Ai përballet me shumë sfida ekonomike, me një koalicion qeverisës të luhatshëm dhe me rritjen e të djathtës ekstreme. Scholz deklaroi në një aktivitet të partisë së tij javën e kaluar, se ai ishte nervoz për situatën në Francë, dhe se i dërgonte çdo ditë mesazhe Macron.

“Ne flasim çdo ditë mbi situatën atje, e cila është vërtet dëshpëruese”- tha ai. Të gjitha këto zhvillime negative janë një lajm veçanërisht i keq për Ukrainën, mbijetesa e menjëhershme dhe perspektiva afatgjatë e të cilës, varen në një farë mase nga fati i NATO-s.

Në samitin e vitit të kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i zemëroi aleatët me kritikat e ashpra në Tëitter, mbi mungesën e një ftese për t’iu bashkuar NATO-s. Këtë vit, ai do të largohet nga samiti me premtime për një mbështetje të qëndrueshme dhe për disa hapa të reja,  si struktura e re të NATO-s për koordinimin e ndihmës për Ukrainën, dhe premtimin e një lloj “ure” drejt anëtarësimit.

Duke pasur parasysh përparimet e ushtrisë ruse në Ukrainën Lindore dhe bombardimet e rënda ndaj Kharkiv muajt e fundit, nuk ka gjasa që ai të jetë i kënaqur. Sigurisht, kjo është më pak se sa shpresonte, dhe më pak se sa shumë njerëz besojnë se i duhet që ai të fitojë luftën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit