Një sulm ajror i ushtrisë izraelite dhe shërbimit të inteligjencës “Shabak” ka goditur sot në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke synuar udhëheqjen e lëvizjes Hamas gjatë një takimi politik të delegacionit negociator.
Burime të ndryshme raportojnë se shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në disa pjesë të qytetit, ndërsa pamjet e para tregojnë re tymi që ngriheshin mbi horizont.
Sipas mediave izraelite, në shënjestër ishin dy figura të larta të Hamasit: Khalil al-Hayya dhe Zaher Jabarin. Një burim drejtues në Hamas ka konfirmuar për Al Jazeera dhe televizionin arab se delegacioni i Hamasit ka shpëtuar nga tentativa e atentatit. Ndërkohë, raportohet se në sulm është vrarë djali i Khalil al-Hayya dhe drejtori i zyrës së tij.
Ministria e Jashtme e Katarit ka dënuar me ashpërsi sulmin, duke e quajtur “sjellje të çmendur izraelite” dhe duke theksuar se nuk do të tolerojë shkelje të tilla ndaj sovranitetit të saj.
Nga ana e saj, ushtria izraelite e ka quajtur operacionin “Kulmi i zjarrit”, ndërsa kanalet izraelite kanë raportuar se vetëm Këshilli i Sigurisë i ngushtuar është vënë në dijeni të planit, dhe u është kërkuar që të ruajnë fshehtësinë e plotë.
Fotografi të publikuara tregojnë dhomën e operacioneve të Shabakut, nga ku është drejtuar sulmi i përbashkët me ushtrinë kundër udhëheqjes së Hamasit në Katar.
Ky zhvillim pritet të shkaktojë tensione të reja në rajon, duke e vendosur Katarin në qendër të një krize të re diplomatike mes Izraelit dhe vendeve arabe.
