Sulmi më i madh ajror ndaj Kievit, ndërsa Ukraina godet tubacionin rus “Druzhba”

Më të lexuarat

Në një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës ruso-ukrainase, Kievi njoftoi të dielën se ka kryer një sulm të tipit të veçantë me dronë kundër tubacionit të naftës “Druzhba” në rajonin rus të Brianskut – një nga linjat më të rëndësishme strategjike që furnizon me naftë të papërpunuar Hungarinë dhe Sllovakinë.

Komandanti i njësisë së forcave ajrore pa pilot të Ukrainës, Robert Brovdi, deklaroi përmes “Telegram”-it se sulmi shkaktoi “dëme të mëdha dhe një zjarr të fuqishëm”.

Rëndësia e tubacionit Druzhba

Tubacioni “Druzhba” – që do të thotë “Miqësia” – është një arterie ekonomike jetike për Rusinë, pasi e lidh atë me vende evropiane që ende varen nga nafta ruse, pavarësisht sanksioneve të vendosura që prej shpërthimit të luftës më 2022.
Gjatë javëve të fundit, furnizimet me naftë për Hungarinë dhe Sllovakinë janë ndërprerë disa herë për shkak të sulmeve ukrainase mbi këtë linjë, e cila kalon nga Rusia, përmes Ukrainës, deri në Sllovaki.

Sulmi më i madh ajror që nga fillimi i luftës

Nga ana tjetër, Rusia intensifikoi sulmet e saj duke kryer sulmin më të madh ajror që nga nisja e luftës. Sipas forcave ajrore ukrainase, Moska përdori mbi 800 dronë dhe 13 raketa nga nata e së shtunës deri në mëngjesin e së dielës.

Kievi raportoi se ka rrëzuar 747 dronë dhe 4 raketa, por pjesa tjetër ka goditur objektiva civile e ushtarake në të gjithë vendin.

Sulmet prekën në mënyrë të paprecedentë edhe kryeqytetin. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko, konfirmoi se selia e qeverisë ukrainase në lagjen Pechersky u dëmtua rëndë nga një zjarr i madh pas goditjes me raketa dhe valëve të dronëve.

Autoritetet raportuan tre të vdekur, mes tyre një foshnjë dhe një grua e re, si dhe 18 të plagosur, ndër të cilët një grua shtatzënë.
Në kryeqytet u regjistruan zjarrvënie në ndërtesa banimi 9 dhe 16-katëshe, ku mbeturinat e dronëve shkaktuan shembje të pjesshme të fasadave. Në lindje të Kievit, një e moshuar humbi jetën teksa përpiqej të futej në strehimore, ndërsa në perëndim u dogjën disa banesa.

Shënjestrat në qytete të tjera

Edhe qytetet e tjera u goditën. Në Kremençuk, në qendër të Ukrainës, dhjetëra shpërthime tronditën zonën, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Në Krivi Rih, sipas guvernatorit Oleksandr Vilkul, u goditën mjetet e transportit dhe infrastruktura, pa raportime për viktima.

Në Odesa, në jug të vendit, u dëmtuan ndërtesa banimi dhe objekte infrastrukturore; zjarre shpërthyen në disa komplekse, sipas guvernatorit rajonal Ole Kiper.

Reagimet ndërkombëtare

Për shkak të sulmeve masive ruse, Polonia – anëtare e NATO-s – ngriti avionët e saj luftarakë në patrullime ajrore të koordinuara me aleatët perëndimorë për të garantuar sigurinë e hapësirës së saj ajrore.

Burimi: Agjenci ndërkombëtare lajmesh

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit