Sureja el-Bekare konsiderohet maja e Kur’anit “سنام القرآن”/senâmul-Kur’an.
Ajo është sureja e parë që zbriti në Medine.
Në katër ajetet e saj të para, Allahu i Lartësuar jep përshkrimin e besimtarëve, në dy ajetet vijuese – përshkrimin e mohuesve dhe në trembëdhjetë ajetet pasuese – përshkrimin e hipokritëve.
Që nga koha kur i dërguari i Allahut alejhissalatu uesselam bëri hixhret/emigroi në Medine, njerëzit janë bërë “tre llojesh”:
1. Besimtar/Mu’min
2. Mohues/Qafir që e shfaq hapur mohimin/qyfrin ose
3. Hipokrit.
Ndryshe nga periudha e Mekës, ku nuk kishte asnjë hipokrit.
Për këtë arsye, Ahmed ibn Hanbeli dhe të tjerë kanë thënë: “Në mesin e muhaxhirëve/emigrantëve nuk kishte hipokritë, por hipokrizia gjendej tek fiset e ensarëve (banorët vendas të Medinës).
Mekeja ishte në duart e mohuesve/qyfarëve të cilët ishin të hapur në qëndrimin e tyre dhe nuk fshehnin asgjë.
Prandaj, nga Mekeja për në Medine ikte/emigronte vetëm ai që ishte besimtar i kulluar dhe nuk ekzistonte asnjë motiv që nxiste për hipokrizi.
Ndryshe ishte situata në Medine, ku filluan të besonin figurat e fuqishme nga radhët e ensarëve, me të cilët besimtarët fituan pushtet e autoritet.
Kështu, nga frika, hipokritët u detyruan të shfaqnin besimin dhe ta fshehin në zemrat e tyre mohimin (përkufizimi i nifakut/hipokrizisë).
Allahu i Lartësuar e fillon suren el-Bekare, thekson në mes të saj dhe e përmbyll atë me përmendjen e imanit/besimit, duke nënvizuar tërësinë e asaj që sollën pejgamberët.
Prandaj, në fillim tha atë që u përmend më sipër (veçoritë e besimtarëve).
Pastaj, në mes të saj, tha:
“Dhe thuani: Ne besuam në Allahun dhe në atë që na është shpallur neve, dhe në atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij, dhe në atë që iu dha Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dhënë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim ndërmjet ndonjërit prej tyre, dhe ne Atij i jemi dorëzuar”. (El-Bekare: 136)
Dhe në fund të saj, tha:
“I dërguari besoi në atë që iu shpall nga Zoti i tij, edhe besimtarët. Të gjithë besuan në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij dhe në të dërguarit e Tij. Ne nuk bëjmë dallim ndërmjet ndonjërit prej të dërguarve të Tij. Dhe thanë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm’. Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë, dhe te Ti është kthimi”. (El-Bekare: 285)
Shejhul-islam, Ibn Tejmije, Fetâvâ, vëll. 7, Kitâbul-imân, 200-201.
Ustaz Jahja Hondozi
