2.1 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

Studentët e Maqedonisë me një mundësi të re për studime në Turqi

Më të lexuarat

Asociacioni i Universiteteve të Kaukazit (KUNIB) në bashkëpunim me Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, në Shkup organizon Panairin Ndërkombëtar Arsimor me më shumë se 40 universitete pjesëmarrëse të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Panairi Arsimor dy ditor, i cili fillon nga dita e sotme mundëson takim të universiteteve turke me studentët e interesuar që dëshirojnë të studiojnë në Republikën e Turqisë, duke ofruar programe Bachelor, Master, Studime të Doktoraturës, Njohje Ndërkombëtare, si dhe mundësi për bursa.
 
Pjesëmarrës në këtë aktivitet janë disa universitete shtetërore dhe private të Turqisë, si dhe institucione që merren me aktivitete arsimore në Ballkan. Më datë 17 mars të këtij viti, në Shkup do të mbahet edhe provimi elektronik për studentët e interesuar, të cilët do të pranohen nga gjithsej 70 universitete.
 
Zv. kryetari i Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë (YOK), Yavuz Atar, duke veçuar Maqedoninë si një shtet me lidhje dhe vlera të përbashkëta ndërshekullore historike dhe kulturore me Turqinë, theksoi se për këtë arsye Turqia për këtë vend ka një vullnet të veçantë në këtë drejtim. “Kemi një numër të madh të studentëve nga Maqedonia që studiojnë në Turqi, por gjithashtu kemi edhe një numër serioz të studentëve nga Turqia që studiojnë në Maqedoni. Kemi mjaftueshëm njohuri për problemet e arsimit në Maqedoni dhe me disa takime që do t’i realizojmë këtë radhë, do të arrijmë që të japim vëmendjen më të lartë për zgjidhjen e pengesave në arsim”, deklaroi zv. kryetari i YOK-it, Yavuz Atar.
 
Atar gjithashtu shtoi se institucionet e Arsimit të lartë në botë, në nivel global konstruktohen me një dinamizëm të lartë. Sipas tij këto institucione nuk duhet të japin vetëm diploma për studentët, por duhet të japin parime themelore të këtyre institucioneve, siç është niveli i kualitetit të lartë të arsimit.
 
Ministri Pa Resor i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Furkan Çako, para të pranishmëve tha se këto troje janë të nipërve Osman. Ai nënvizoi se në periudhën e fundit mobiliteti në fushën e arsimit është zhvilluar në mënyrë tepër dinamike dhe sot është mundësia që të analizohet bashkëpunimi i institucioneve arsimore të Maqedonisë, të Turqisë, si dhe të vendeve tjera të rajonit.
 
“Dihet se ky bashkëpunim nuk jep kontribut vetëm në fushën e arsimit, mirëpo jep kontribut edhe në fushën e ekonomisë, kulturës dhe në fusha të tjera”, u shpreh Çako.
 
Nga ana tjetër, Rektor i Universitetit Ardahan të Turqisë, Ramazan Korkmaz, në fjalën e tij tha se të gjitha zhvillimet në botë bëhen nëpërmjet arsimit dhe se në botë të gjitha vendet e fuqishme kanë edukim të fortë. Ai shtoi se në emër të Ballkanit në Maqedoni është organizuar ky Panair Arsimor me pjesëmarrje të 48 universiteteve të Turqisë dhe 7 universitete nga vende të ndryshme të Ballkanit.
 
“Rritja, zhvillimi, edukimi dhe paqja në botë bëhet nëpërmjet arsimit. Turqia 10 vitet e fundit ka bërë një hap të madh, si në ekonomi dhe politike, ashtu edhe në arsim. Përvojat e Turqisë kishim dëshirë t’i ndajmë me vëllezërit tanë në Ballkan, që gjeneratat e reja të përfitojnë nga përvojat tona”, deklaroi rektori Ramazan Korkmaz.
 
Rektor i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, Şınası Gündüz, duke theksuar se Turqia kohën e fundit ka arritur një kualitet të lartë në fushën e arsimit, shtoi se në stendat e hapura në të cilat prezantohen shërbimet e universiteteve të ndryshme të Turqisë, studentët do të njoftohen me rektorët, kushtet, mundësitë, programin dhe bursat për studime në Turqi
 
KUNIB është lidhja e bashkëpunimit të 81 universiteteve nga 14 vende. Ky asociacion është themeluar më 11 nëntor të vitit 2009, e cila ka mbajtur një numër të madh të simpoziumeve dhe kongreseve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe ka realizuar projekte të rëndësishme ndërkombëtare.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit