14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Siria, një zonë vdekjeje

Më të lexuarat

Trembëdhjetë civilë të vdekur të premten, shtatë të shtunën: Rimarrja e provincës së Idlibit nga trupat siriane dhe aleatët po përparon, por me çmimin e lartë të paguar nga civilët e qytetarët paarmatosur. Sipas vlerësimeve të OKB-së, që nga fillimi i ofensivës në prill kanë humbur jetën më shumë se 500 civilë në Siri, rreth 300 mijë vetë janë arratisur nga rajoni.

Kur të bjerë brenda një kohe edhe Idlibi, atëherë Assadi e merr kontrollin në shumicën e territoreve të vendit. Lufta do të merrte fund – por jo kriza për shumë sirianë. Nuk mund të pritet rend shtetëror me standarde minimale të të drejtave të njeriut nga një regjim që është përgjegjës për gjysmë milionë viktima, në burgjet e të cilit torturohen e vriten edhe më tej mijëra vetë. Edhe aleatët e Assadit, Rusia dhe Irani, të dyja vende që i shkelin me këmbë të drejtat e njeriut, të bëjnë të parashikosh skenarë të errët për të ardhmen e vendit.

Se si do të zhvillohen ngjarjet në Siri, këtë e la të kuptohet ligji i imobilieve nga pranvera e vitit 2018, de facto një ligj shpronësimi: Prona, edhe e atyre që janë arratisur jashtë vendit, duhet që brenda 30 ditësh të identifikohet me pronarin e saj të ligjshëm, ndryshe kjo pronë i kalon shtetit. Nga ana tjetër këta persona duhet të kalojnë një kontroll sigurie, me rrezikun e arrestimit dhe futjes në qeli. Në shumë raste shteti i ka lënë pa pronë qytetarët e vet.

Ky ligj vazhdon atë politikë që regjimi i Assadit ndjek kryesisht që nga ngjitja në pushtet në fillimin e viteve 70-të, por me fillimin e kryengritjes në vitin 2011 fitoi një brutalitet të ri. Ajo drejtohet kundër kundërshtarëve të regjimit dhe gjithë atyre që nuk shprehen hapur në mbrojtje të udhëheqësve në Damask. Sipas raportit të Ministrisë së Jashtme Gjermane (AA) në nëntor 218, në Siri rreth 1,5 milionë qytetarë janë të shënuar zyrtarisht si persona në kërkim – nga një popullsi e përgjithshme rreth 21 milionë vetë në vitin 2010. Të gjithë këta rrezikojnë të arrestohen në mënyrë arbitrare, të torturohen apo edhe të vriten.

Kjo bëhet shumë më e mundur tani, se në vitet e kaluara, tani që aparati shtetëror i Assadit po riorganizohet. Në raportin e Ministrisë së Jashtme thuhet, se “përmes dobësimit të ngadalshëm të luftimeve, po rritet influenca dhe veprimi i autoriteteve të sigurisë dhe shërbimeve sekrete”. Mbrojtje nuk ofrojnë as marrëveshjet e pajtimit të nënshkruara në disa rajone mes shtetit dhe kryengritësve. Deri më tani ato i kanë shpëtuar jetën disa kundërshtarëve të Assadit, por me çmimin, që ata të largohen nga vendet e tyre dhe të sigurojnë se do t’i nënshtrohen pa kushte regjimit.

Shtetet perëndimore e kanë dorëzuar Sirinë. Ato kanë bërë pak, ose të paktën shumë pak për të penguar kthimin e një regjimi terrorist. As aleatëve të tij ato nuk i janë kundërvënë.

Sigurisht, që nga momenti kur Assadi fitoi Rusinë në anën e tij, Evropa nuk mund të bënte gjë më shumë në Siri, po të kujtosh, se edhe SHBA angazhimin e tyre e mbajtën të kufizuar. Por, kjo nuk ndryshon asgjë në faktin, që kjo pafuqi e perëndimit ka çmimin e saj: vendet evropiane do të vazhdojnë të përballen me ardhjen e refugjatëve sirianë. Ata e zhysin edhe më thellë në krizë BE, një efekt anësor i mirëpritur nga Moska.

Bota perëndimore nuk është më një fuqi e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, as në letër. Despotëve ajo nuk mund t’i kundërvihet, ky është mësimi i hidhur. Siria mbetet për milionë qytetarë të saj zonë e vdekjes.

Kersten Knipp

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit