Si po tentojnë ta largojnë nga Haga prokurorin që paditi Netanjahun

Më të lexuarat

Karim Khan denoncon hakmarrjen për urdhër-arrestet e lëshuara prej tij ndaj udhëheqësve izraelitë

Në një rrëfim tronditës dhe të detajuar, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan, ka thyer heshtjen e tij gati njëvjeçare për të demaskuar atë që ai e quan një përpjekje të orkestruar për ta larguar nga drejtimi i organit më të lartë të akuzës globale.

Gjatë një interviste ekskluzive dhënë për Middle East Eye, Khan hodhi akuza të forta ndaj anëtarëve të Asamblesë së Shteteve Palë (ASP), duke pohuar se ata po zhvillojnë një fushatë të njëanshme që synon të sabotojë hetimet e tij mbi krerët e shtetit të Izraelit.

Sipas prokurorit, ky është një “proces i krijuar posaçërisht për Khan-in”, i cili shpërfill parimet themelore të drejtësisë.

Ai theksoi për Middle East Eye se, pavarësisht se një hetim i Kombeve të Bashkuara dhe një panel gjyqtarësh të pavarur arritën në përfundimin se nuk kishte asnjë provë për sjellje të pahijshme seksuale, disa shtete perëndimore po këmbëngulin në rihetimin e çështjes.

Sipas tij, ky veprim krijon një precedent të frikshëm ku zyrtarët e zgjedhur mund të hiqen mbi baza të rreme sa herë që vendimet e tyre prekin interesa të fuqishme politike.

Khan zbuloi për herë të parë detaje nga bisedat e tensionuara me figura të larta politike përpara se ai të kërkonte urdhër-arrestet për Benjamin Netanyahun dhe Yoav Gallant.

Ai  citoi ish-ministrin e Jashtëm britanik, David Cameron, i cili e kishte paralajmëruar për pasojat nëse do të vazhdonte me ndjekjen penale të udhëheqësve izraelitë.

Po ashtu, senatori amerikan Lindsey Graham e kishte kërcënuar drejtpërdrejt me sanksione, të cilat u materializuan me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025.

“Nëse një proces mund të manipulohet sepse diplomatët mendojnë se e dinë më mirë, atëherë ky është një model për të hequr qafe çdo zyrtar”- paralajmëroi Khan në bisedën e tij me Middle East Eye.

Ai shtoi se sulmet ndaj tij kanë pasur si qëllim parësor shkatërrimin e imazhit të tij dhe paralizimin e zyrës së prokurorit. Për prokurorin, situata aktuale e ka futur gjykatën në një “territor të panjohur”, ku ligji po zëvendësohet nga konsideratat politike.

Ai denoncoi shkeljen e konfidencialitetit në procesin ndaj tij, duke vënë në dukje se zyrtarë të tjerë në të kaluarën janë hetuar në fshehtësi të plotë. “Pse më trajtojnë kaq ndryshe nga të tjerët?” – pyeti ai, duke lënë të kuptohet se shënjestrimi i tij lidhet drejtpërdrejt me guximin për të sfiduar pushtetin brutal.

Në fund të intervistës për Middle East Eye, Khan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të zgjedhë midis një bote të rregulluar nga ligji dhe një bote ku mbizotëron forca. Ai mbetet i palëkundur në bindjen se institucionet si GJNP-ja janë pengesa e fundit ndaj tiranisë dhe se drejtësia është një interes që u përket të gjithëve.

Edhe pse përballet me sanksione dhe një votim të mundshëm për shkarkim, Khan këmbëngul se lufta e tij është për viktimat dhe për mbijetesën e parimeve universale të njerëzimit. \tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit