Ka diçka të frikshme dhe njëkohësisht shumë simbolike në këtë video.
Ujku duket sikur është zbutur, sikur është integruar në “normalitet”, sikur instinkti i tij është tretur nga litari, nga prania e bariut, nga bashkëjetesa me kopenë. Por mjafton një çast lirie dhe natyra e tij shpërthen menjëherë drejt qafës së shelegut. Jo sepse është “i keq”, por sepse është ujk. Dhe ujku nuk e harron qenien e vet vetëm pse njerëzit vendosën ta quajnë diçka tjetër.
Kjo është tragjedia e madhe e botës moderne, përpjekja obsesive për t’i zhveshur gjërat nga natyrshmëria e tyre. Të bindë njeriun se esenca nuk ekziston, se çdo gjë është konstrukt, se instinkti mund të riedukohet pafundësisht, se natyra mund të negociohet. Por në fund të ditës, çdo krijesë kthehet tek boshti mbi të cilin është krijuar.
Zjarri djeg edhe nëse e quajmë “të ftohtë”. Uji të mbyt edhe nëse i ndryshojmë emrin. Grabitqari mbetet grabitqar edhe kur fle mes deleve.
Sepse natyrshmëria nuk është opinion. Është strukturë ekzistence. Prandaj shumë eksperimente sociale moderne prodhojnë njerëz me dy dimensione, një fytyrë publike të sterilizuar dhe një botë të brendshme primitive që pret momentin të shpërthejë. Shoqëria e sotme nuk po e zhduk instinktin, vetëm po e shtyp përkohësisht. Dhe çdo gjë e shtypur, kur nuk kurohet por vetëm izolohet, kthehet më vonë si deformim.
Njeriu modern buzëqesh në publik dhe shpërthen në errësirë. Predikon tolerancë dhe ushqehet me urrejtje. Flet për humanizëm dhe argëtohet me poshtërimin e tjetrit (rasti i Gazës). Predikon “liri totale”, por është skllav i impulseve të veta.
Sepse natyra e mohuar nuk zhduket, ajo muton. Madje sa më shumë shoqëria përpiqet të lidhë me litar atë që është e natyrshme, aq më i dhunshëm bëhet çasti kur ajo çlirohet. Kjo është arsyeja pse shumë sisteme që tentuan të krijonin “njeriun e ri” prodhuan përbindësha moralë. U përpoqën të fshijnë xhelozinë, epshin, dominimin, dhunën, identitetin, hierarkinë natyrore, dallimet organike mes gjërave… por në vend që t’i kuptonin dhe t’i disiplinonin, tentuan t’i mohonin. Dhe ajo që mohohet, zakonisht rikthehet në formën më të egër. Është si ai ujku në video, sa ishte i shtrënguar dukej i “civilizuar”. Por civilizimi i imponuar nuk është transformim. Është vetëm vonesë e instinktit.
Dhe ndoshta nuk është rastësi që në hadithet e fundit të kohëve përmenden skena ku vetë natyra do të flasë, sikur krijesat do të dëshmojnë kundër mashtrimit të njeriut mbi realitetin. Në hadithet e fundit të kohëve përmendet një përmbysje e pazakontë e rendit natyror, ku transmetohet se “ujqërit do të jenë mes deleve si qen roje” dhe se “delet do të kullosin bashkë me ujqërit”, madje deri aty sa “fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë dhe nuk do t’i dëmtojnë”. Por ajo që është thelbësore këtu, është se këto pamje nuk paraqiten si produkt i evolucionit social apo i “riedukimit” të natyrës së krijesave, por si një ndërhyrje hyjnore e lidhur me fundin e kohës, pra si pezullim metafizik i instinktit dhe jo transformim organik i tij. Pikërisht këtu qëndron edhe kontrasti brutal me modernitetin: bota moderne mendon se mund ta çrrënjosë natyrën e gjërave përmes normave, propagandës apo eksperimentimit social, ndërsa tradita fetare e konsideron natyrën si esencë të krijimit, diçka që nuk zhduket me imponim njerëzor. Ndaj edhe ujku i videos, sapo i lirohet litari, rikthehet drejt qafës së shelegut, sepse instinkti i shtypur nuk është instinkt i zhdukur. Litari mund ta frenojë bishën, por nuk mund ta riformatojë qenien e saj.
Kur njeriu fillon të luajë me natyrën e gjërave, realiteti bëhet i dyzuar. Mashkulli nuk di më çfarë është. Femra nuk di më çfarë përfaqëson. Liria ngatërrohet me kaosin. Butësia me dobësinë. Instinkti me identitetin. Dhe bota mbushet me njerëz që duken të qetë, por që mbajnë brenda një ujk të lidhur me litar.
/Nga Alban Gorishti/
