SI ARRITI PAKISTANI TË RRËZOJË AVIONËT LUFTARAKË INDIANË?

Më të lexuarat

GJUETARI KINEZ I AEROPLANËVE. SI ARRITI PAKISTANI TË RRËZOJË AVIONËT LUFTARAKË INDIANË?

Në 7 maj, Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Kavaxha Muhamed Asif, konfirmoi se vendi i tij kishte rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë. Rojters citoi zëdhënësin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Ahmed Sharif, që deklaronte se aeroplanët e rrëzuar indianë përfshinin tre avionë luftarakë Rafale të prodhimit francez, një Su-30 dhe një MiG-29 të prodhimit rus.

Në të njëjtin kontekst, Agence France-Presse raportoi se një burim indian i sigurisë konfirmoi tre avionë luftarakë të rrëzuar brenda vendit për “arsye të panjohura”. Ushtria pakistaneze njoftoi më vonë rrëzimin e më shumë se 25 dronëve Harop të prodhuar në Izrael.

Ndërkohë, imazhe në mediat sociale treguan mbetje të raketës kineze PL-15. Është e vështirë të konfirmohet nëse raketa në fjalë ka qëlluar me sukses një objektiv, por të paktën kjo është hera e parë që dokumentohet përdorimi i saj nga Pakistani.

NJË LLOJ I VEÇANTË RAKETE

Pakistani ka arritur të përmirësojë ndjeshëm aftësitë e tij luftarake në vitet e fundit, kryesisht për shkak të teknologjisë kineze të fituar nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të sigurisë mes dy vendeve. Raketa ajër-ajër me rreze të gjatë veprimi BL-15 është një dëshmi e këtij bashkëpunimi.

Raketa u zhvillua nga Korporata e Industrisë së Aviacionit të Kinës (AVIC) dhe ka qenë në shërbim të Forcave Ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze që nga viti 2016. Pakistani u bë importuesi i parë i huaj i raketës, duke e integruar atë në avionët e tij më të rinj luftarakë.

Teknikisht, raketa është me lëndë djegëse të ngurtë, e pajisur me një kërkues radari aktiv të skanuar elektronikisht, duke i dhënë asaj rezistencë të lartë ndaj bllokimit dhe një sistem navigimi inercial që i jep asaj aftësinë për të goditur objektiva që lëvizin shpejt në distanca të gjata.

Kjo raketë mund të arrijë shpejtësi rreth katër here më të lartë se shpejtësia e zërit dhe ka një lidhje të dhënash dypalëshe me përditësime gjatë lëvizjes në ajër që i lejojnë komanduesit ndryshimin e drejtimit të saj në çdo moment.

Rrezja maksimale e raketës vlerësohet në 200-300 km. Versioni i eksportit, i përcaktuar si PL-15E, mund të godasë në një rreze prej 150 km, por që i tejkalon shumicën e raketave ajër-ajër perëndimore dhe vendase në arsenalin aktual të Indisë.

Pakistani zotëron disa avionë luftarakë të aftë për të mbajtur dhe lëshuar raketat kineze, të tilla si JF-17 Thunder Block III dhe J-10C. Në prill të vitit 2025, Forcat Ajrore të Pakistanit shfaqën publikisht një JF-17 që mbante katër raketa BL-15, duke konfirmuar integrimin e kësaj arme në flotën e tyre ajrore.

GJUETARI I MJETEVE FLUTURUESE

Në luftime, raketa BL-15 i jep ushtrisë pakistaneze aftësinë për të sulmuar avionët armiq përpara se ata të jenë në gjendje ta perceptojnë dhe t’i përgjigjen kërcënimit. Kjo është një veçanti e raketave që njihen si raketet përtej rrezes vizuale (BVD), të cilat mund të godasin objektiva në distanca që kalojnë 60 km, duke kërkuar motorë raketash përforcues dhe udhëzim aktiv me radar për raketën.

Edhe pse India zotëron raketa ajër-ajër me rreze veprimi përtej pamjes, rrezja e tyre mbetet relativisht e shkurtër në krahasim me aftësitë që Pakistani bleu nga Kina, siç është raketa R-77 me origjinë ruse, me një rreze veprimi gati 80 km. Edhe raketa e re evropiane Meteor, e montuar në aeroplanët Rafale dhe e pajisur me një radar inteligjent, ka një rreze maksimale 150 km, që është ende më pak se rrezja maksimale e mundshme e raketës kineze.

Kjo do të thotë që BL-15 mund të përdoret për të synuar avionë me vlerë të lartë (siç janë avionët e paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm ose avionët e furnizimit me karburant) nga një distancë e gjatë, ose për të sulmuar avionë luftarakë si Sukhoi Su-30 dhe Rafale, përpara se këta avionë të kenë mundësi të lëshojnë raketat e tyre.

AVIONË LUFTARAKË

Kina është shfaqur si një partnere kyçe në modernizimin ushtarak shumëdimensional të Pakistanit. Gjatë dy dekadave të fundit, sidomos në pesë vitet e fundit, armët dhe ekspertiza kineze kanë qenë thelbësore për zhvillimin e aftësive ajrore, tokësore dhe detare të Pakistanit, si dhe në fushën e sigurisë kibernetike.

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) vlerësoi në raportin e tij të vitit 2025 se 81% e importeve kryesore të armëve të Pakistanit vijnë nga Kina.

Projekti JF-17 Thunder është një shembull i bashkëpunimit të frytshëm Kinë-Pakistan. Pekini siguron projektimin dhe komponentët kryesorë (siç janë struktura e avionit, avionika dhe madje edhe motorët fillimisht), ndërsa Pakistani kryen pjesën e mbetur në prodhimin vendas. Përmirësimet e vazhdueshme të JF-17 (Versioni II dhe III) mbështeten shumë në teknologjinë kineze.

Ky avion luftarak i lehtë është projektuar në mënyrë fleksibile për të përmbushur nevojat e Forcave Ajrore të Pakistanit. Është i lirë, përdor teknologji moderne dhe mund të kryejë misione të shumëfishta, të tilla si luftime ajër-ajër (duke mbajtur një numër raketash kineze të serisë BL) dhe sulme tokësore (duke mbajtur bomba të drejtuara, raketa lundrimi dhe bomba me rënie të lirë). Gjithashtu mund të kryejë misione zbulimi elektronik dhe madje edhe operacione bllokimi në disa versione.

Për më tepër, blerja nga Pakistani e J-10CE (një avion luftarak i përmirësuar i gjeneratës së katërt) në vitin 2022 mishëron një bashkëpunim të frytshëm, me Kinën që i dorëzoi Pakistanit 36 avionë sipas një kontrate të përshpejtuar, duke i dhënë Islamabadit një aftësi të pakrahasueshme me avionët luftarakë të përparuar rajonalë.

Ky avion ka një radar të fuqishëm që mund të zbulojë dhe gjurmojë objektiva të shumëfishta njëkohësisht. Është gjithashtu rezistent ndaj bllokimeve, me aftësi të moderuara të fshehtësisë. Avioni ka një dizajn që zvogëlon pjesërisht sinjalin e radarit dhe zotëron një elektronikë të përparuar që lehtëson performancën e pilotit gjatë luftimit.

FORCË AJRORE E PLOTËSUAR

Çështja nuk mbaron vetëm me luftimet ajrore. Kina i ka siguruar Pakistanit gjithashtu platforma të paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm ajror (AEW&C) të tilla si ZDK-03, të cilat janë avionë të pajisur me radarë dhe sisteme sensorësh shumë të fuqishëm që mund të zbulojnë avionë armiq, raketa dhe madje edhe objektiva detare në distanca shumë të gjata, ndonjëherë që tejkalojnë 400 kilometra.

Këta avionë jo vetëm që zbulojnë, por edhe monitorojnë kërcënimet në qiell, në det dhe në tokë, koordinojnë lëvizjen e luftëtarëve miqësorë dhe i drejtojnë ata drejt objektivave, si dhe menaxhojnë betejën ajrore duke lëshuar urdhra drejtimi për avionët e tjerë (kontrolli ajror), duke i dhënë përdoruesit mbulim lokal me radar për të zbuluar objektiva përtej horizontit.

Si përfundim, bashkëpunimi me Kinën i ka mundësuar Forcave Ajrore të Pakistanit të vendosin një forcë ajrore moderne, nga bashkëprodhimi i avionëve luftarakë deri te pajisja e tyre me municione dhe sensorë të përparuar, pavarësisht burimeve të kufizuara vendase të kërkimit dhe zhvillimit të Islamabadit.

Al Xhezira (me shkurtime) / Florian Leli

(Në foto: Një avion luftarak pakistanez JF-17 i aftë të mbajë dhe të lëshojë raketa BL-15)

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit