“Shtrëngim duarsh” mbi Butonin e Kuq: a po shmanget gara e re bërthamore?

Më të lexuarat

Refuzimi i prerë i Pekinit dhe mesazhet e kriptuara të Moskës, bota nën ethet e një pasigurie…

Bota sapo ka hyrë në një territor të panjohur dhe të rrezikshëm, ku heshtja e ligjit peshon më shumë se sa çdo deklaratë zyrtare. Për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, nuk ekziston më asnjë kufizim detyruese që pengon dy superfuqitë më të mëdha të planetit të zgjerojnë arsenalet e tyre atomike.

Të enjten, traktati “New START” u shndërrua zyrtarisht në një relike të së kaluarës, duke lënë pa mbikëqyrje 85 për qind të kokave bërthamore që zotërojnë SHBA dhe Rusia. Por mësohet se në prapaskenat e negociatave të Abu Dhabit, larg protokolleve të ngurta diplomatike, të dërguarit e besuar të Donald Trump kanë negociuar në hije një marrëveshje delikate që bazohet vetëm te besimi reciprok.

Ky “shtrëngim duarsh” synon një armëpushim bërthamor gjashtëmujor, një dritare kohore gjatë së cilës të dyja palët premtojnë të respektojnë kufijtë e vjetër ndërsa tentojnë të hartojnë një rend të ri botëror. Megjithatë, ky ekuilibër i brishtë kërcënohet nga një lojtar që refuzon të hyjë në lojë sipas kushteve të tjerëve. Kina, me arsenalin e saj që rritet në heshtje, mbetet enigma e madhe e këtij ekuacioni.

Uashingtoni këmbëngul se asnjë pakt nuk ka vlerë pa përfshirjen e Pekinit, por ky i fundit ka lëshuar një qortim të prerë, duke e konsideruar veten ende jashtë kësaj lige bërthamore. Ndërsa për herë të parë që nga viti 2021 ka rinisur funksionimi i kanaleve diplomatike për të shmangur incidentet fatale, mesazhet që vijnë nga Moska mbeten po aq të mjegullta sa vetë e ardhmja e traktatit.

Nga gatishmëria për dialog deri te paralajmërimet e tipit “Dimri po vjen!”, tensioni mbetet i lartë. Prilli pritet të jetë muaji i të vërtetës, ku vizita e mundshme e presidentit amerikan në Kinë mund të vendosë nëse bota do të shkojë drejt një stabiliteti të ri trepalësh apo drejt një gare armatimesh të pandalshme ku rregullat nuk ekzistojnë më. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit