3.6 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, Kurti: Sulm terrorist që vjen nga Serbia-rrezikojmë të mbetemi pa energji elektrike dhe pa ujë

Më të lexuarat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë shtypi pas shpërthimit që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Vragë të Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenci.

Kurti  ka deklaruar se dyshojnë se sulmet e fundit kanë ardhur nga Serbia.

“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda kriminale terroriste, dashakeqe që po vijojnë të na vijnë e që ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, tha Kurti të premten në një konferencë urgjente për media.

Ai tha se ky sulm ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën kritike të Kosovës.

“Sonte ishte sulmi më i rëndë, ku me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike. Ky është sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, shtoi Kurti.

Kurti ka ftuar qytetarët që të jenë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”.

“Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, tha Kurti.

Kurti thotë se nuk ka adresë tjetër për përgjegjësi përveç Beogradit zyrtar.

“Për bindjen tonë të fuqishme, nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë e fajësinë, për organizmin dhe orkestrimin e këtij sulmi, përveçse Beogradi zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Milan Radoiçiq, mbështeten nga institucionet serbe dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq”, shtoi Kurti.

Sipas Kurtit, me këto veprime është synuar të nxitet frika dhe pasiguria “së pari te banorët e katër komunave në veri të Ibrit, për të përshkallëzuar situatën e më pastaj mbarë vendin tonë”.

Ai tha se përpjekjet e tilla do të ngelen “të dëshpëruara, për shkak se kushtetueshmëria e vendit tonë, sundimi i ligjit, rendi dhe populli e republika jonë nuk munda të mposhten asnjëherë nga askush”.

Edhe presidentja Osmani, ka reaguar pas shpërthimit të sotëm në kanalin e Ibër – Lepencit, duke thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria do të mbrohet në çdo cep të vendit.

Osmani ka thënë se “[bandat kriminale serbe] Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.

Ujësjellësi rajonal Mitrovica njoftoi se ka ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit