8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

SHKAQET QË BËJNË TË MUNDUR LIRIMIN NGA ZJARRI

Më të lexuarat



Ai që shpreson të lirohet nga Zjarri në muajin e ramazanit, duhet të përmbushë shkaqet që e bëjnë të domosdoshme lirimin që andej, që në këtë muaj lehtësohen. Në hadithin e Selman Farisiut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që e shënon Ibn Huzejme në Sahīh-un e tij, i Dërguari (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: “Ai që i jep iftar një agjëruesi, do të jetë lirim nga Zjarri për dhënësin. Po ashtu, ai që i bën lehtësime robit të tij gjatë këtij muaji, do jetë lirim nga Zjarri për të.”

Po aty lexojmë: “Gjatë këtij muaji të jeni të përqendruar sa më shumë te katër virtyte; dy prej të cilave kënaqin Zotin tuaj; kurse dy të tjerat janë të domosdoshme për ju. Dy virtytet me të cilat kënaqet Zoti juaj janë: dëshmia la ilahe il-lAllah dhe kërkimi i faljes. Ato që janë të domosdoshme për ju janë: t’i kërkoni Allahut Xhenetin dhe mbrojtjen nga Zjarri. Këto katër virtyte të përmendura në këtë hadith, çdocili më vete është shkak për lirim e njeriut nga Zjarrit.”(Sahih Ibn Huzejme, 3/191)

Për sa i përket dëshmisë së tewhid-it (la ilahe il-lAllah), ajo i rrënon mëkatet dhe i fshin ato tërësisht. Ajo i heq të gjitha mëkatet nga njeriu dhe, asnjë vepër nuk e ka vlerën e saj. Kjo dëshmi është e barasvlershme me lirimin e robërve, gjë që e bën të detyrueshëm lirimin nga Zjarri. Ai që e thotë atë katër herë në agim dhe në mbrëmje, Allahu e liron nga Zjarri. Ndërsa ai që e thotë me sinqeritet nga zemra, Allahu ia ndalon hyrjen në Zjarr.

Në lidhje me istgfar-in, pohojmë se është një prej shkaqeve më të mëdha të faljes, meqë istgfar-i është lutje për falje, dhe lutja e agjëruesit pranohet gjatë kohës që është agjërueshëm, por edhe gjatë iftarit.

Umer ibn Abdulazizi u pat shkruar njëherë letra vartësve të tij nëpër qytete, ku i urdhëronte të mbyllin muajin e ramazanit me istgfār, me lëmosha dhe me sadakanë e fitrit; sepse sadakaja e fitrit e dëlir agjëruesin nga fjalët e kota e të ndyra. Istigfār-i e arnon agjërimin aty ku është grisur për shkak të fjalëve të kota e të ulëta.

Afërsisht i njëjtë me këtë është urdhri i Pejgamberit (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem!) për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që në Natën e Kadrit të lutej për falje. Gjatë muajit të ramazanit besimtari përqendrohet te agjërimi dhe namazi i natës dhe, kur i afrohet fundi dhe arrin Natën e Kadrit, nuk kërkon gjë tjetër nga Allahu përveç faljes; njëlloj si një mëkatar me mangësi. Istigfar-i më i mirë është ai që kombinohet me tewbe, që do të thotë, të zgjidhet nyja e vazhdimësisë në mëkate. Ai që kërkon falje me gjuhën e tij dhe zemrën e ka të lidhur me mëkatet, dhe ka ndërmend që pas kalimit të muajit t’u rikthehet atyre, atij i refuzohet agjërimi dhe dera e pranimit është e mbyllur për të.

Robër të Allahut! Njëmend që muaji i ramazanit është në përfundim e sipër, e nuk kanë mbetur veçse pak ditë; kështu që, kush ka vepruar mirë, duhet ta përkryejë, e kush ka treguar mangësi, të mundohet që ta mbyllë me mirësi. Veprat vlerësohen sipas përfundimit.

Para çastit të ndarjes ka mundësi
të naltohesh e të arrish çdo të mirë që ke shpresuar.
Mundet që e thyera të ngjitet, e të pranohet ai që është penduar, të lirohet gabimtari e të lumturohet ndonjë hallexhi.

“Letaif el-Mearif” Ibn Rexheb

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit