Edhe pas 35 vitesh, ata që nuk e krijuan elitën e sotme ashtu siç duhej të ishte, apo që e krijuan vetveten gabimisht, sot e kanë lënë rininë në udhëkryq: të pamotivuar, të çorientuar dhe pa vizion se ku dhe si ta vazhdojë rrugën.
Elita e sotme jo vetëm që na futi në qorrsokak, por as nuk e ndien veten fajtore. Madje, fajin e hedh herë në njërën anë e herë në tjetrën. Duhet të dalë dhe së paku të kërkojë falje për gjendjen e sotme.
Në politikë, në ekonomi, në arsim, në bashkësitë fetare, si dhe në organizatat joqeveritare, më shumë është menduar për pasurimin e vetvetes dhe komoditetin që kanë krijuar për vete, për familjarët dhe për puthadorët që i kanë pranë.
Elita e sotme konsumoi besimin e popullit, paratë e popullit, fëmijët dhe gjakun e popullit. Dhe sot kemi një popull pa besim, pa forcë ekonomike, pa rini, sepse ajo po ikën jashtë, pa ide dhe pa vizion.
Sot rinia jonë, përveç protestave, nuk ka mekanizma për ndryshim dhe përveç mbushjes së rrugëve me flamuj dhe ikonografi patriotike, nuk ka asgjë konkrete. Do të sillen vërdallë dhe do të dëgjohet prapë e njëjta këngë.
Nuk bën ndryshim rruga, por elitat që krijohen me punë, me vazhdimësi, me koncept dhe hap pas hapi, në qetësi. Sepse ne sot kemi universitete që nuk mund t’i gjesh askund të renditura në Listën e Shangait. Sot profesorët tanë nuk mund t’i gjesh në asnjë revistë prestigjioze, në asnjë debat për temat dhe problemet e popullit, për të treguar kahje se ku dhe si duhet të ecet, ndërsa gazetarët janë bërë analistë dhe forcë determinuese e popullit.
Ku janë akademitë? Ku është paria? Ku janë hoxhallarët? Apo iu hap dynjaja dhe u habitën?
Boll na konsumuat!
E ju, rini vitale, mos pritni, por përvishni krahët dhe punoni, sepse një ditë ju do të jeni elita e fëmijëve tuaj dhe, njësoj si ju sot, ata do t’ju flasin juve nesër.
Për fund
“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të mos e ndryshojnë vetveten.”
Nga Kenan Bajrami
