12.9 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

SFIDA E PËRFITIMIT HALLALL NË KOHËN MODERNE

Më të lexuarat

Çështja e përfitimit material është një çështje që i preokupon të gjithë njerëzit sot.

Mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të arritur tek paraja pa ndonjë angazhim dhe mund të madh është synim i shumë njerëzve. Qasja e lehtë për të kuptuar bilancet e pasurive marramendëse të milarderëve është një joshje tjetër që vështirë mund të përballohet.

Me shtimin enorm të mundësive të ndryshme të përfitimit material sidomos nëpërmjet platformave, brokerëve dhe cryptoexchange-vë online-janë shtuar edhe rreziqet e mëdha të tregtimit haram.

Shumicës së njerëzve nuk iu shkon ndërmend se këtu mund të bëhet fjalë për kamatë, bixhoz apo transaksione të tjera të ndaluara.

Dijetarët kanë përmendur se njeriu është i obliguar t’i mësojë rregullat të cilat kanë të bëjnë me veprën që do ta veprojë, sepse mund të ndodh që kjo vepër të jetë haram. Bile, ka konsensus mes tyre se njeriu e ka të ndaluar ta kryejë ndonjë vepër pa mësuar paraprakisht rreth dispozitës së Allahut për të ¹.

Ai që i mëson dispozitat e shitblerjes apo interesohet rreth tyre duke pyetur dijetarët e hoxhallarët kompetentë dhe të besueshëm, është më meritor t’i frikësohet Zotit të Madhëruar, duke zbatuar atë që e ka lejuar Zoti dhe duke lënë atë që e ka ndaluar Ai, e kush është i paditur për këto çështje, nuk është i siguruar se do të bjerë në të ndaluarat pa e ditur.

Disa dijetarë, Allahu i mëshiroftë, kanë thënë: Ndodh që ndokush të thinjet në islam dhe nuk e di se çdo mëngjes e mbrëmje mallkohet nga Allahu: për shkak se bie në kamatë, tregton shitblerje të ndaluara duke vepruar kështu nga injoranca e tij e cila shoqërohet me neglizhencë në pyetjen e dijetarëve dhe njohjen e asaj që Zoti ka lejuar dhe ndaluar² .

Transmetohet se Omeri, radijaAllahu anhu ka thënë: “Mos të shes në tregun tonë vetëm se ai që posedon dituri për fenë” ³ (e sidomos për dispozitat fetare rreth tregtisë).

Nuk shfajësohet askush që pretendon se hoxhallarët nuk ia kanë idenë për realitetin e blockchainit, foreksit etj, prandaj nuk duhet t’i pyesim ata. Në realitet, ky pretendim dhe përgjithësim është i pavërtetë. Ndoshta disa mund të mos dinë shumë për këto sepse nuk janë të specializuar, por në anën tjetër ka shumë tjerë që posedojnë dije rreth tyre.

Masa e gjerë e ka për detyrë t’i pyes hoxhallarët e besueshëm dhe të specializuar për këto çështje, e jo të mundohet të gjejë fetva në internet prej kuturu njerëzish të panjohur që përmbajnë lehtësime të ndryshme. Secili do të pyetet Ditën e Kijametit për pasurinë e tij se si e ka fituar. Inerneti është i stërmbushur me fetva të ndryshme që përmbajnë lehtësime dhe lejime të gjërave të ndaluara.

Muhamed ibn Sirini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kjo dituri është fe, prandaj keni kujdes se nga kush e merrni fenë tuaj⁴.”

1. Hashijur-Reudil Murbi’ 4/325, El Kavaiul Usulije vel Fikhije El Mutealikah bil Muslimi Gajril Muxhtehid fq. 13.

2. Sherh kitabil Bujui min Zadil Mustakni’, koment i dijetarit Muhamed ibn Muhamed Muhtar Shenkiti, ligjërata nr. 142.

3. E transmeton Tirmidhiu në El Xhami’ nr.487.

4. E transmeton Ibn Ebi Shejbe në Musanef nr 27168 dhe Muslimi në parathënien e librit të Tij : “Sahih” 1/11.

Shkroi: Dr. Muhamed Broja

Mitrovicë, 26/07/2023

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit