Amerikanët mund të befasohen nga lëvizja e Moskës mes një krize era luftë
Rusia ka lënë të kuptohet se mund të dërgojë raketat e saj të përparuara hipersonike në Venezuelë, ndërsa tensionet midis Maduros dhe administratës Donald Trump përshkallëzohen.
Alexei Zhuralyov, nënkryetar i komitetit parlamentar rus të mbrojtjes, i tha gazetës ruse Gazeta.Ru se “nuk ka pengesa” për dërgimin e raketave Oreshnik ose Kalibr te një komb “mik”, raporton Newsweek.
“Rusia është në fakt një nga partnerët kryesorë ushtarako-teknikë të Venezuelës. Ne furnizojmë vendin me pothuajse të gjithë gamën e armëve, nga armët e vogla deri te aviacioni. Detajet dhe sasitë e dërgesave janë konfidenciale, kështu që amerikanët mund të habiten. Nuk shoh pengesa për të dërguar sisteme të reja si Orešnik ose raketat e provuara mirë Kalibr për kombin tonë mik. Asnjë detyrim ndërkombëtar nuk e kufizon Rusinë në këtë drejtim,” tha Zhuralyov.
Tensionet në rajon janë rritur në muajt e fundit, pasi SHBA-të kanë rritur praninë e tyre ushtarake pranë ujërave të Venezuelës. Administrata Trump ka dërguar avionë luftarakë, bombardues, dronë, aeroplanë spiunë, anije luftarake dhe marins në rajon, duke përmendur përpjekjet për të goditur trafikun e drogës.
Këto operacione kanë rezultuar në më shumë se një duzinë sulmesh dhe mbi 60 vdekje që nga shtatori, dhe shumë nga trafikantët e dyshuar të drogës janë larguar nga Venezuela.
Në përgjigje, presidenti venezuelan Nicolas Maduro thuhet se i është drejtuar Rusisë, Kinës dhe Iranit për ndihmë ushtarake. Rusia ka sinjalizuar hapje ndaj kërkesës dhe ka përshkallëzuar retorikën e saj.
Çfarë është Oreshnik?
Raketa Oreshnik, sipas Moskës, është një raketë balistike me rreze të mesme veprimi e aftë të arrijë shpejtësi prej Mach 10 dhe mund të mbajë koka luftarake konvencionale dhe bërthamore.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka përshkruar si një raketë balistike me rreze të mesme veprimi (IRBM) e aftë të udhëtojë distanca të gjata me 10 herë shpejtësinë e zërit, ose Mach 10.
Rusia dhe Venezuela kanë nënshkruar disa marrëveshje vitet e fundit, duke përfshirë një marrëveshje partneriteti strategjik që synon zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik.
Thellimi i kësaj aleance vjen në një kohë kur të dy vendet po kërkojnë të balancojnë ndikimin e SHBA-së në Amerikën Latine dhe më gjerë.
Kërcënimi i vendosjes së raketave të aftë për të transportuar armë bërthamore në Hemisferën Perëndimore mund të çojë në tensione të papara që nga Kriza e Raketave Kubane. Ndërsa nuk janë marrë vendime përfundimtare, njoftimi publik i një skenari të tillë përfaqëson një përshkallëzim të retorikës. /tesheshi.com/
