Fillimisht duhet ta kemi parasysh që duhet ta kemi dert udhëzimin e tyre, e pastaj ta
lusim Allahun vazhdimisht me emrin e Tij El-Hadi, ngase të Tij janë emrat më të bukur, dhe Ai ka porositur që të lutemi me ta, Allahu i Lartësuar në Kuran urdhëron e thotë:
“Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me ta.” (El-‘Araf, 180)
Andaj lute Allahun me ta në çdo kohë që pranohet duaja si: në sexhde, mes ezanit, ikametit dhe kohë të tjera.
Nuk ka gjë më të bukur se sa ta arrish këtë qëllim, kënaqesh kur i sheh prindërit duke rënë në sexhde për Allahun!
I Dërguari i All-llahut sal-lAll-llahu alejhi ve selem ka thënë:
“Tri lutje nuk kthehen: Lutja e prindit për fëmiun e tij, lutja e agjëruesit dhe udhëtarit.” [Shënon Bejhakiu dhe hadithi gjendet në Sahih Elxhami -2032]
“Tri lutje janë të pranuara: Lutja e atij që ju është bërë padrejtë, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit kundrejt fëmiut të tij.” [Shënon Tirmidhiu -1905]
Sillu mirë me ta, këshilloji, tregoji vlerat e Islamit, bukurinë e Islamit.
Allahu i Lartësuar në Kuran urdhëron e thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.”
Allahu i Lartësuar në Kuran urdhëron e thotë: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë. (Surja Lukman, 18)
Lute Allahun që t’i udhëzojë sa janë gjallë ngase pasi që të vdesin edhe nëse sytë të rrjedhin gjak që Allahu t’i udhëzojë do të jetë vonë! Kujdes! Nuk ke drejtë ta lutesh Allahun për prindërit nëse ata vdesin në shirk!
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.” ?(Surja Et-Teubeh, 13)
ANDAJ LUTE ALLAHUN QË T’I UDHËZOJË, E TË MOS VDESIN NË SHIRK!
Nga nevojtari për faljen e Allahut: Samir Nurshaba
Kontrolloi tekstin: Hoxhë Bekir HALIMI
