Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) tha në një deklaratë se shkëmbimi u krye në një aeroport në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shprehur falënderime për ndërmjetësimin humanitar të EBA-së.
Rusia konfirmoi të enjten një shkëmbim të të burgosurve me ShBA-në, ku një shtetase amerikane u shkëmbye me një shtetas rus.
Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) tha në një deklaratë se shkëmbimi u krye në një aeroport në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shprehur falënderime për ndërmjetësimin humanitar të EBA-së.
“Më 10 prill, shtetasi rus Artur Petrov u kthye në atdhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Abu Dhabit përmes ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Petrov u shkëmbye me shtetasen amerikane Ksenia Karelina,” thuhet në deklaratë.
Karelina ishte falur këtë prill me dekret presidencial, sipas deklaratës.
Shkëmbimi u njoftua më herët gjatë ditës nga drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së ShBA-së (CIA), John Radcliffe, dhe u konfirmua nga Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.
“Amerikanja Ksenia Karelina është në aeroplan dhe po kthehet në ShBA,” shkroi Rubio në platformën X. “Ajo ishte mbajtur padrejtësisht në Rusi për më shumë se një vit dhe presidenti Trump siguroi lirimin e saj.”
Petrov ishte ndaluar në vitin 2023 në Qipron Greke me kërkesë të autoriteteve amerikane dhe ishte ekstraduar në ShBA në vitin 2024, ku përballej me akuza për shkelje të Aktit të Kontrollit të Eksportit. Ai rrezikonte deri në 20 vjet burg.
Karelina, një banuese e Los Anxhelosit me shtetësi të dyfishtë ruse dhe amerikane, ishte ndaluar në vitin 2024 në qytetin rus të Jekaterinburgut.
Sipas autoriteteve ruse, që nga shkurti i vitit 2022, ajo kishte mbledhur fonde aktivisht në mbështetje të një organizate ukrainase, ku mjetet ishin përdorur më pas për blerjen e pajisjeve mjekësore taktike, pajisjeve të tjera, armëve shkatërruese dhe municioneve për Ukrainën.
Në vitin 2024, një gjykatë ruse e shpalli Karelinan fajtore për tradhti dhe e dënoi me 12 vjet burgim në një koloni penale.
