Rruga drejt ringritjes
Pas shekujsh stanjacioni shkenca po rikthehet në botën islame.
Gjumi ka qenë i gjatë dhe i thellë. Në 2005 Universiteti i Harvardit prodhoi më shumë studime shkencore se të 17 vendet arabe së bashku. 1.6 miliardë myslimanë në botë kanë prodhuar vetëm dy Nobelistë në kimi dhe fizikë. Të dy u shpërngulën në Perëndim: ai që akoma jeton, kimisti Ahmed Hasan Zewail, ndodhet tek Instituti i Teknologjisë ne Kaliforni. Hebrenjtë, në kontrast, edhe pse 100 herë më pak në numër se myslimanët, kanë fituar 79 çmime Nobel. 57 vendet e Organizatës së Konferencës Islamike shpenzojnë vetëm 0.81% të GDP në kërkime shkencore, vetëm një e treta e mesatares globale. Amerika, e cila ka buxhetin shkencor më të lartë në botë, shpenzon 2.9%; Izraeli shpenzon 4.4%.
Shumë veta ia vënë fajin armiqësisë së lindur të Islamit ndaj shkencës. Disa universitete duken më të interesuara në lutje sesa në studime. Universiteti Kuaid-i-Azam në Islamabad, për shembull, ka tre xhami në kampus, dhe një e katërt në planifikim, por nuk ka librari. Mësimi përmendësh në vend të mendimit kritik është mënyra mbizotëruese e edukimit të lartë në shumë vende. Qeveria saudite mbështet libra për shkolla islamike me tituj si “Mrekullitë e Pakundërshtueshme të Kuranit: Faktet që nuk mund të mohoh nga Shkenca” që sugjerojnë një konflikt të brendshëm mes besimit dhe arsyes.
Shumë universitete janë të parehatshëm me kurse që vetëm sa prekin politikën apo e shikojnë fenë nga një pikëpamje jo devocionale. Pervez Hoodbhoy, një shkencëtar nuklear i njohur pakistanez, krijoi një kurs mbi shkencën dhe çështjet botërore, duke përfshirë marrëdhëniet e Islamit me shkencën, tek Universiteti i Lahorës për Shkenca Menaxhimi, një nga universitetet më progresive të vendit. Studentët ishin të interesuar, por kontrata e z. Hoodbhoy nuk u rinovua kur ajo mbaroi në dhjetor; pa ndonjë arsye të saktë, thotë ai. (Universiteti insiston se vendimi s’kishte të bënte fare me përmbajtjen e kursit.)
Por po të shohësh më nga afër dy gjëra janë të qarta. Një rizgjim shkencor mysliman po ndodh, dhe rrënjët e prapambetjes shkencore nuk qëndrojnë tek liderët fetarë, por tek udhëheqësit laikë, të cilët janë aq kurnacë me paratë sa ç’janë dorëlëshuar me kontrollet mbi mendimin e pavarur.
Pamja e gjatë
Karikatura e prapambetjes endemike të Islamit shpartallohet lehtësisht. Midis shekujve të tetë dhe 13-të, kur Evropa po çalonte nëpër mesjetën e errët, shkenca lulëzoi në vendet myslimane. Kalifët Abasidë shpenzuan pa fre mbi dijen. “Kanuni i Mjekësisë” i Avicenës i shekullit të 11-të ishte një tekst standard mjekësor në Evropë për qindra vjet. Në shekullin e nëntë Muhamed el-Khwarizmi vuri parimet e algjebrës, një fjalë e derivuar nga titulli i librit të tij “Kitab al-Xhabr”. Al-Hasan Ibn al-Hajtham transformoi studimin e dritës dhe optikës. Abu Raihan al-Biruni, një pers, llogariti diametrin e tokës me saktësi mbi 99%. Dhe dijetarët myslimanë bënë shumë për të ruajtur trashëgiminë intelektuale të Greqisë së lashtë; shekuj më vonë ajo ndihmoi të ndizte revolucionin shkencor të Evropës.
Jo vetëm që shkenca dhe Islami ishin të përputhshëm, por feja mund edhe të nxiste inovacionin shkencor. Llogaritja e saktë e fillimit të Ramazanit (e përcaktuar me shikimin e hënës së re) motivoi astronomët. Hadithi (thënie e Muhamedit) i nxit besimtarët ta kërkojnë dijen “deri në Kinë”.
Këto arritje shkencore po festohen gjithmonë e më shumë. Dhjetëra mijëra veta shkuan tek “1001 shpikjet”, një ekspozitë lëvizëse rreth periudhës së artë të shkencës Islamike, në kryeqytetin e Katarit, Doha, në vjeshtë. Akoma më me rëndësi, udhëheqësit po e kuptojnë vlerën e kërkimeve shkencore dhe kanë filluar të financojnë siç duhet. Universiteti i Mbretit Abdullah për Shkencë dhe Teknologji nw Arabinë Saudite, i hapur në 2009-ën, ka një fond prej 20 miliardë dollarësh, që edhe universitetet më të pasura në Amerikë do e kishin zili.
Të huajt, që tani janë nisur për atje. Jean Frechet, i cili drejton kërkimet shkencore, është një kimist francez i përfolur për çmim Nobel. Universiteti i ri saudit ka arritur bashkëpunime kërkimore me universitetet e Oksfordit, Kembrixhit, dhe Kolegjin Imperial në Londër. Liderët e Katarit fqinj po e rrisin shpenzimin kërkimor nga 0.8% në 2.8% të GDP: në varësi të rritjes ekonomike, kjo mund të arrijë deri në 5 miliardë dollarë. Shpenzimi kërkimor në Turqi u rrit me mbi 10% çdo vit nga 2005 në 2010-ën, vit në të cilin shuma e tij në para ishte dy herë më i madh sa ai i Norvegjisë.
Kjo baticë parash po sjell një flotë rezultatesh. Nga 2000 në 2008-ën, sasia e botimeve shkencore në Turqi u rrit nga 5000 në 22000; me më pak para, ajo e Iranit u rrit nga 1300 në 15000. Sasia nuk do të thotë cilësi, por botimet po bëhen më cilësore gjithashtu. Revistat shkencore, dhe jo vetëm ato pak të bazuara në botën islame, po citojnë këto botime më shpesh. Një studim i 2011-ës nga Thomson Reuters, një firmë informatike, tregon që në vitet 1990 botuesit ndërkombëtarë cituan botime shkencore nga Egjipti, Irani, Jordani, Arabi Saudite dhe Turqia (vendet më prodhuese myslimane) katër herë më pak se mesatarja globale. Në 2009-ën ishte vetëm sa gjysma e mesatares. Në kategorinë e botimeve më të mira matematikore, Irani tani del mbi mesataren, me 1.7% të botimeve të tij të renditura në 1% e më të cituarave, me Egjiptin dhe Arabinë Saudite që gjithashtu po dalin mirë. Turqia shënon lart në inxhinieri.
Degët e shkencës dhe teknologjisë, me benefitet e tyre të qarta praktike, kanë më shumë rezultat. Inxhinieria kryeson me agrikulturën në vend të dytë. Mjekësia dhe kimia janë gjithashtu popullore. Vlera monetare ka të bëjë. Fazil Mehmud Khan, i cili kohët e fundit u kthye në Pakistan pasi kreu doktoraturën në Gjermani në fushën e astrofizikës dhe tani punon në Kolegjin e Qeverisë në Lahorë, tregon se zëvendës Kancelari i universitetit i tha që të ndalte bredhjen pas ideve të çmendura (vrimat e zeza në rastin e tij) dhe të bënte diçka të dobishme.
Shkenca gjithashtu po tejkalon ndarjen më të thellë të zonës. Në vitin 2000, SESAME, një laborator fizike ndërkombëtar me nxituesin nuklear të parë në Lindjen e Mesme, u themelua në Jordani. Ai është modeluar sipas CERN, laboratori nuklear i Evropës, i cili u krijua për të bashkuar shkencëtarë nga ish armiq të luftës. Në SESAME, shkencëtarë izraelitë punojnë së bashku me kolegë nga Irani dhe territoret palestineze.
Sipas librit
Shkenca si e llojit të praktikuar në SESAME krijon pak sfida ndaj doktrinës Islame (dhe shpesh aq abstrakte sa censorët fetarë do e kishin të vështirë ti kuptonin). Por biologjia, veçanërisht ajo evolucionare, është ndryshe. Shumë myslimanë shqetësohen nga nocioni se njerëzit kanë paraardhës të përbashkët me majmunët. Një kërkim i publikuar në 2008-ën nga Salman Hamid i Kolegjit të Hampshajërit në Masaçusets, një astronom pakistanez i cili tani studion qëndrimet e myslimanëve ndaj shkencës, gjeti se më pak se 20% e njerëzve në Indonezi, Malajzi, apo Pakistan besojnë në teoritë e Darvinit. Në Egjipt numri ishte vetëm 8%.
Jasir Kadi, një inxhinier kimik Amerikan i kthyer në klerik (i cili ka studiuar edhe ne Amerikë dhe ne Arabinë Saudite), u mundua nga kjo çështje në një konferencë mbi Islamin dhe evolucionin të mbajtur këtë muaj në Londër. Ai nuk kishte kundërshtime ndaj aplikimit të evolucionit tek gjallesat e tjera. Por ai insistoi se Ademi dhe Havaja nuk kishin prindër dhe nuk evoluan nga specie të tjera. Një argument tjetër do ishte “i pambrojtshëm nga ana fetare”, tha ai. Disa veta, veçanërisht në diasporë, e ngatërrojnë evolucionin me ateizmin: hedhja poshtë e tij bëhet pjesë përcaktuese e të qenit mysliman. (Disa të krishterë kanë një qëndrim të ngjashëm kundrejt Biblës.)
Edhe pse ky lloj mosbesimi mund të vishet në terma fetarë, kultura dhe politika luajnë një rol më të madh thotë Hamid. Edukimi i dobët shkollor në shumë vende i lë mendjet të hapura ndaj keqkuptimeve. Një lëvizje Islamike kreacioniste gjithashtu po rritet. Një predikues fetar kontrovers turk i cili përdor emrin Harun Yahya është në krye të saj. Uebsiti i tij shpërndan libra dhe broshura që sulmojnë Darvinin. Ndryshe nga të ngjashmit e tij të krishterë amerikanë, sidoqoftë, ai e pranon se universi është miliarda vjet i vjetër (jo 6000 vjet).
Por barriera nuk është e pakalueshme. Shumë biologë myslimanë kanë arritur të pajtojnë besimin dhe punën e tyre. Fatimah Xhekson, një biologe antropologe e konvertuar në Islam, kuoton Theodosius Dobzhanski, një nga themeluesit e gjenetikës, duke thënë “asgjë në biologji nuk ka kuptim veçse nën dritën e evolucionit”. Shkenca shpjegon si gjërat ndryshojnë; Islami, në një kuptim më të gjerë, shpjegon pse, thotë ajo.
Ka të tjerë që mbajnë një qëndrim të ngjashëm. “Kurani nuk është një libër shkollor shkencor,” thotë Rana Daxhani, një biologe molekulare jordaneze. “Ai u jep njerëzve udhëzime se si ta jetojnë jetën e tyre.” Interpretimet e tij, argumenton ajo, mund të evoluojnë me zbulimet e reja shkencore. Ajetet Kuranore rreth krijimit të njeriut, për shembull, tani mund të lexohen në një mënyrë që mbështet evolucionin.
Disa pjesë të tjera të shkencave të jetës, shpesh problematike për të Krishterët, kanë qëlluar jo problematike për myslimanët. Në Amerikë, shkencëtarëve që duan të përdorin qelizat embrionike (të cilat merren nga embrionët njerëzorë, shpesh të krijuar me tepricë gjatë trajtimeve të fertilitetit) u është dashur të bëjnë betejë me konservatorët e krishterë pro-jetës dhe një ndalim federal mbi financimin e kësaj fushe. Por sipas Islamit, shpirti nuk hyn në embrion deri midis 40 dhe 120 ditë pas mbetjes shtatzënë – kështu që shkencëtarët e Royan Institute në Iran mund të kryejnë kërkime mbi qelizat embrionale pa tërhequr censurën.
Por lloji i lirisë që kërkon shkenca është akoma i rrallë në botën myslimane. Me ngritjen e Islamit politik, përfshi Selefistët dogmatikë të cilët përqafojnë një version radikal të Islamit, në vende të rëndësishme si Egjipti, disa kanë frikë se situata do përkeqësohet akoma më shumë. Të tjerë, sidoqoftë, mbeten optimistë. Muhamed Morsi, presidenti i Egjiptit, është një ish-profesor inxhinieri në Universitetin Zagazig pranë Kajros. Ai ka një doktoraturë në shkencat e lëndëve materiale nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut (disertacioni i tij titullohej “Konduktiviteti Elektrik në Temperaturë të Lartë dhe Struktura e Difekteve në Al2O3 me të Pllenuar me Donatorë”). Ai ka premtuar që qeveria e tij do shpenzojë më shumë në kërkime shkencore.
Të çliruar nga kontrolli kufizues i regjimeve të mëparshme, shkencëtarët në vendet arabe shohin një shans për progres. Shkencëtarët në Tunizi thonë se që tani po shohin reforma premtuese në mënyrën si mbushen postet në universitete. Njerëzit tani po zgjidhen, në vend të caktimit nga regjimi. Furtunat politike që po tronditin Lindjen e Mesme mund jo vetëm të promovojnë demokracinë, por edhe të ringjallin mendimin e lirë shkencor.
Marrë nga The Economist.
Përktheu Armir Taraj
…
