Hilal bin Sultan bin Dervish el-Haxheri
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi prijësin e të devotshmëve, Muhamedin ﷺ.
Në kohën kur umeti islam përballet me sfida të shumta intelektuale, morale dhe kulturore, shtrohet pyetja: cili është burimi më i sigurt për formimin e individit dhe ndërtimin e një brezi që mbron fenë me dije, urtësi dhe qëndrueshmëri?
Përgjigjja gjendet në Librin e Allahut. Kurani nuk është vetëm një libër adhurimi, por një shkollë e plotë edukimi që ndërtoi brezin më të mirë që ka njohur historia njerëzore.
Kur njeriu e lexon biografinë e Pejgamberit ﷺ me meditim dhe vëmendje, patjetër se i bie në sy një dukuri e jashtëzakonshme: ndikimi i madh që Kurani Fisnik ushtronte mbi ata që e dëgjonin, pavarësisht se cilës kategori njerëzish i përkisnin.
Ja, për shembull, Utbe bin Rebia, një prej prijësve të idhujtarëve të Mekës. Pasi Pejgamberi ﷺ i lexoi disa ajete nga Surja Fussilet, ai u kthye te shokët e tij krejt ndryshe nga ç’kishte shkuar. Ata thanë:
“Betohemi në Allahun! Ebu Uelidi u kthye tek ju me një fytyrë tjetër nga ajo me të cilën u largua.” (Es-Sire en-Nebevijje e Ibn Hishamit; 1/262).
Po kështu, kur Xhafer ibn Ebi Talibi, radijallahu anhu, lexoi disa ajete nga Surja Merjem në praninë e mbretit Nexhashi, ndërkohë që ai dhe oborri i tij ishin ende të krishterë, Umm Seleme, radijallahu anha, duke përshkruar atë ngjarje, thotë:
“Pasha Allahun! Nexhashi qau derisa mjekra e tij u lag nga lotët, e po ashtu qanin edhe peshkopët e tij, derisa lotët u pikonin mbi librat e tyre.” (Es-Sire en-Nebevijje e Ibn Hishamit; 1/290).
Madje edhe hipokriti, megjithëse nuk beson në Kuran, kur e lexon atë, në pamjen e tij shfaqet diçka nga ndikimi i tij.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«وَمَثَلُ الْمُنَافِقِ الَّذِي يَقْرَأُ الْقُرْآنَ كَالرَّيْحَانَةِ، رِيحُهَا طَيِّبٌ وَطَعْمُهَا مُرٌّ»
“Shembulli i hipokritit që e lexon Kuranin është si borziloku: aroma e tij është e këndshme, por shija e tij është e hidhur.” (Buhariu, nr. 5059 dhe Muslimi, nr. 797).
Megjithatë, ajo që tërheq veçanërisht vëmendjen e thirrësit në rrugën e Allahut është diçka tjetër.
Sahabët, radijallahu anhum, në fillimet e pranimit të Islamit, dëgjonin vetëm disa ajete të Kuranit, por menjëherë pas kësaj niseshin me një synim të vetëm: të thërrisnin njerëzit në fenë e Allahut.
Një shembull i qartë është Tufejl ibn Amr ed-Deusi, radijallahu anhu.
Ai e pranoi Islamin dhe u kthye menjëherë te populli i tij si thirrës në rrugën e Allahut, ndonëse kishte dëgjuar vetëm pak ajete nga Kurani.
Pas një kohe u kthye te Pejgamberi ﷺ dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! Fisi Devs nuk pranoi dhe u tregua kryeneç.”
Disa thanë:
“Fisi Devs mori fund!”
Por Pejgamberi ﷺ nuk u lut kundër tyre. Përkundrazi, ai tha:
«اللَّهُمَّ اهْدِ دَوْسًا وَأْتِ بِهِمْ»
“O Allah! Udhëzoje fisin Devs dhe sill ata (në Islam).” (Buhariu, nr. 2937 dhe Muslimi, nr. 2524).
Po kështu ndodhi edhe me një grup xhinësh.
Ata dëgjuan disa ajete të Kuranit dhe menjëherë u kthyen tek populli i tyre si thirrës të së vërtetës.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَإِذْ صَرَفْنَا إِلَيْكَ نَفَرًا مِّنَ الْجِنِّ يَسْتَمِعُونَ الْقُرْآنَ فَلَمَّا حَضَرُوهُ قَالُوا أَنصِتُوا ۖ فَلَمَّا قُضِيَ وَلَّوْا إِلَىٰ قَوْمِهِم مُّنذِرِينَ قَالُوا يَا قَوْمَنَا إِنَّا سَمِعْنَا كِتَابًا أُنزِلَ مِن بَعْدِ مُوسَىٰ مُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ يَهْدِي إِلَى الْحَقِّ وَإِلَىٰ طَرِيقٍ مُّسْتَقِيمٍ يَا قَوْمَنَا أَجِيبُوا دَاعِيَ اللَّهِ وَآمِنُوا بِهِ يَغْفِرْ لَكُم مِّن ذُنُوبِكُمْ وَيُجِرْكُم مِّنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ﴾
“Kujto kur Ne sollëm te ti një grup xhinësh që të dëgjonin Kuranin. Kur u gjendën pranë tij, thanë: ‘Heshtni dhe dëgjoni!’ E kur përfundoi leximi, u kthyen te populli i tyre si paralajmërues. Ata thanë: ‘O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të zbritur pas Musait, që vërteton atë që ishte para tij; ai udhëzon drejt së vërtetës dhe drejt rrugës së drejtë. O populli ynë! Përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini atij; Ai do t’jua falë mëkatet dhe do t’ju mbrojë nga një dënim i dhembshëm.'” (Suretu el-Ahkaf, 29–31)
Kur njeriu mediton mbi këto dhe shumë ngjarje të tjera, që nga koha e Pejgamberit ﷺ e deri në ditët tona, nuk mund të mos pyesë veten:
Cili është sekreti i Kuranit në formimin e thirrësve të Allahut?
Çfarë ka në këtë Libër hyjnor që i shndërron njerëzit, pas vetëm pak ajetesh, në bartës të mesazhit dhe thirrës të së vërtetës?
Sekreti i edukimit davetor në Kuran
Kur meditojmë në ajetet e Kuranit Fisnik, gjejmë në to shumë tipare dhe parime edukative, të cilat e formojnë myslimanin në të gjitha aspektet e jetës së tij. Madje, këto janë mënyrat më të mira, më të drejta dhe më të përsosura të edukimit.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ هَٰذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ﴾
“Vërtet, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta dhe më e përsosura.” (El-Isra, 9)
Imam Abdurahman Es-Sa’diu (Allahu e mëshiroftë), duke komentuar këtë ajet, thotë:
“Allahu na njofton për madhështinë dhe fisnikërinë e Kuranit, i cili udhëzon drejt rrugës më të drejtë, më të përkryer dhe më të lartë në besime, në vepra dhe në moral. Kush udhëzohet sipas asaj që e thërret Kurani, ai bëhet njeriu më i plotë, më i drejtë dhe më i udhëzuar në të gjitha çështjet e tij.” (Tefsir Tejsiru-l-Kerimi-r-Rahman, fq. 454).
Një nga aspektet e udhëzimit të Kuranit është edhe edukimi davetor.
Ajetet e Kuranit depërtojnë thellë në zemër dhe në shpirt, duke ndërtuar një personalitet të plotë: të formuar në besim, në mendim, në moral, në sjellje dhe në ndjenja.
Ky është një nga urtësitë pse Kurani nuk zbriti i tëri përnjëherësh, por pjesë-pjesë. Ai zbriti gradualisht që të edukonte individët hap pas hapi, derisa t’i ngrinte në shkallën më të lartë të përsosmërisë.
Imam Zerkani, në veprën Menahilul-Irfan, thotë:
“Urtësia e dytë e zbritjes graduale të Kuranit është edukimi i kësaj bashkësie të re, hap pas hapi, si në dije ashtu edhe në praktikë.” (Menahilul-Irfan fi Ulumil-Kur’an; 1/55).
Prandaj sahabët nuk mësonin vetëm informacion nga Kurani.
Ata mësonin dijen dhe veprimin.
Sa herë që zbriste një grup ajetesh, ata i mësonin, i zbatonin dhe vetëm më pas kalonin tek ajetet e tjera.
Kështu u plotësua besimi i tyre me përfundimin e zbritjes së Kuranit dhe u formua ai brez unik, të cilin historia nuk ka njohur të dytë si ai.
Prandaj dijetari i madh Ebul-Hasan Nedevi (Allahu e mëshiroftë) shkruan:
“Me këtë besim të thellë, me këtë edukim të përsosur profetik, me këtë metodë të urtë dhe me këtë Libër qiellor mrekullibërës, mrekullitë e të cilit nuk mbarojnë kurrë dhe freskia e të cilit nuk zbehet, i Dërguari i Allahut ﷺ i dha njerëzimit, që ishte në agoni, një jetë krejtësisht të re.” (Madha hasirel-Alemu bi Inhitatil-Muslimin, fq. 102).
Pas kësaj hyrjeje, ju ftojm të ndalemi te disa nga tiparet më të rëndësishme të edukimit davetor që përmban Kurani Fisnik.
Tipari i parë: Edukimi davetor dhe përcaktimi i qëllimit të ekzistencës
Njeriu është krijuar me natyrën e adhurimit.
Kur ai e kupton se arsyeja e ekzistencës së tij në këtë botë është vetëm adhurimi i Allahut, atëherë e gjithë jeta e tij merr drejtim tjetër.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ﴾
“Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56).
Kur ky kuptim ngulitet në zemrën e besimtarit, atëherë motoja e jetës së tij bëhet fjala e Musait, alejhisselam:
﴿وَعَجِلْتُ إِلَيْكَ رَبِّ لِتَرْضَى﴾
“Dhe nxitoj drejt Teje, o Zoti im, që Ti të jesh i kënaqur me mua.” (Ta-Ha, 84).
Kur njeriu arrin këtë shkallë të bindjes, atëherë nuk habitesh më me sakrificat, përpjekjet dhe mundin që ai jep për hir të Allahut.
Sepse ai tashmë e di se përse jeton.
Imam Ibën Kajjim el-Xheuzijje (Allahu e mëshiroftë) thotë:
“Adhurimi është përsosja e pozitës së përuljes dhe nënshtrimit. Krijesa më e plotë në adhurim është ajo që është më e përulur para Allahut, më e nënshtruar dhe më e bindur ndaj Tij. Robi është i përulur para Zotit të tij në çdo aspekt: përpara madhështisë së Tij, fuqisë së Tij, sundimit të Tij mbi të dhe mirësive të Tij ndaj tij. Ai që të bën mirë, të robëron zemrën; kështu zemra bëhet e lidhur dhe e përulur ndaj tij.” (Miftahu Dari’s-Seade; 1/289).
Tipari i dytë: Edukimi davetor dhe formimi i personalitetit të pavarur islam
Një nga tiparet më të rëndësishme të edukimit davetor në Kuran është se ai ndërton një personalitet të fortë, të pavarur dhe të lidhur vetëm me Allahun. Besimtari nuk e mat të vërtetën me shumicën e njerëzve dhe as nuk e ndryshon fenë e tij për t’iu përshtatur shoqërisë. Përkundrazi, ai e mat çdo gjë me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ.
Pikërisht për këtë arsye, Kurani i edukoi sahabët që të mos ndikoheshin nga presionet e shoqërisë, nga numri i kundërshtarëve apo nga përhapja e së kotës.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَإِنْ تُطِعْ أَكْثَرَ مَنْ فِي الْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ ۚ إِنْ يَتَّبِعُونَ إِلَّا الظَّنَّ وَإِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ﴾
“Nëse u bindesh shumicës së atyre që janë në tokë, ata do të të largojnë nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe vetëm gënjejnë.” (E-En’am, 116).
Ky ajet e edukon myslimanin që të mos mashtrohet nga shumica, sepse e vërteta nuk njihet nga numri i pasuesve, por nga argumenti.
Prandaj Ibn Mes’udi , radijallahu anhu, thoshte:
“Xhemati është ai që është në të vërtetën, edhe nëse je vetëm.” (Sherh Usul I’tikad Ehli’s-Sunne i el-Lalekait).
Ky është personaliteti që ndërton Kurani: një besimtar që nuk lëkundet nga propaganda, nuk trembet nga kritikat dhe nuk e shet fenë për kënaqësinë e njerëzve.
Tipari i tretë: Edukimi mbi përgjegjësinë individuale
Kurani nuk e mëson besimtarin të presë që të tjerët ta ndryshojnë realitetin. Ai e edukon që secili të ndiejë përgjegjësi për veten, familjen dhe shoqërinë e tij.
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا عَلَيْكُمْ أَنْفُسَكُمْ ۖ لَا يَضُرُّكُمْ مَنْ ضَلَّ إِذَا اهْتَدَيْتُمْ﴾
“O ju që keni besuar! Kujdesuni për veten tuaj. Nuk do t’ju dëmtojë ai që ka humbur rrugën, nëse ju jeni të udhëzuar.” (Suretu el-Maide, 105)
Ky ajet nuk nënkupton braktisjen e thirrjes islame apo të urdhërimit për të mirë. Përkundrazi, ai e mëson besimtarin se detyra e tij është të bëjë atë që Allahu ka urdhëruar, ndërsa udhëzimi i zemrave është në Dorën e Allahut.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«كُلُّكُمْ رَاعٍ، وَكُلُّكُمْ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ…»
“Secili prej jush është bari (përgjegjës), dhe secili prej jush do të pyetet për ata që i janë lënë në përgjegjësi…” (Buhariu, nr. 893 dhe Muslimi, nr. 1829).
Ky hadith vendos tek çdo mysliman ndjenjën e përgjegjësisë. Nuk ka vend për neglizhencë dhe as për justifikim. Çdo njeri ka një amanet që duhet ta ruajë dhe për të cilin do të japë llogari para Allahut.
Tipari i katërt: Edukimi mbi durimin në rrugën e davetit
Nuk ka davet pa sprova.
Nuk ka thirrje drejt Allahut pa kundërshtime.
Nuk ka përmirësim pa sakrifica.
Për këtë arsye, Kurani e lidh vazhdimisht davetin me durimin.
Allahu i Madhëruar i tha të Dërguarit të Tij ﷺ:
﴿فَاصْبِرْ كَمَا صَبَرَ أُولُو الْعَزْمِ مِنَ الرُّسُلِ﴾
“Prandaj duro, ashtu siç duruan të dërguarit e vendosur.” (El-Ahkaf, 35).
Po ashtu Ai thotë:
﴿وَاصْبِرْ وَمَا صَبْرُكَ إِلَّا بِاللَّهِ﴾
“Duro! Por durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut.” (En-Nahl, 127).
Prandaj çdo thirrës duhet ta kuptojë se rruga e pejgamberëve nuk ishte rrugë rehatie.
Ajo ishte rrugë:
- durimi;
- sakrifice;
- përqeshjeje;
- shpifjesh;
- mërgimi;
- e nganjëherë edhe gjaku.
Megjithatë, fundi i saj ishte gjithmonë fitorja.
Imam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Fitorja arrihet me durim dhe bindje të plotë, ashtu siç udhëheqja në fe fitohet me durim dhe bindje.”
Kjo është arsyeja pse Kurani e përmend durimin qindra herë, sepse ai është furnizimi i domosdoshëm i çdo thirrësi në rrugën e Allahut.
Tipari i pestë: Edukimi mbi besimin në premtimin e Allahut
Një nga tiparet më të mëdha të edukimit kuranor është se ai e mbush zemrën e besimtarit me shpresë, jo me dëshpërim.
Thirrësi në rrugën e Allahut mund të jetojë në një kohë kur e pavërteta duket e fuqishme, kur armiqtë e fesë kanë ndikim dhe kur numri i besimtarëve është i vogël. Megjithatë, Kurani nuk e lejon atë të humbasë shpresën, sepse ai e lidh zemrën e tij me premtimin e Allahut, jo me realitetin e përkohshëm.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَلَا تَهِنُوا وَلَا تَحْزَنُوا وَأَنْتُمُ الْأَعْلَوْنَ إِنْ كُنْتُمْ مُؤْمِنِينَ﴾
“Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju do të jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran, 139).
Po ashtu thotë:
﴿إِنَّ الْعَاقِبَةَ لِلْمُتَّقِينَ﴾
“Vërtet, përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.” (Hud, 49).
Ky është edukimi i Kuranit.
Ai nuk e lidh besimtarin me fitore të menjëhershme, por me besimin se Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e Tij.
Prandaj sahabët duruan në Mekë trembëdhjetë vjet, ndërsa besonin plotësisht se fitorja do të vinte.
Kur Habab ibën el-Eret , radijallahu anhu, iu ankua Pejgamberit ﷺ për sprovat që po përjetonin myslimanët, ai tha:
«وَاللَّهِ لَيُتِمَّنَّ اللَّهُ هَذَا الْأَمْرَ، حَتَّى يَسِيرَ الرَّاكِبُ مِنْ صَنْعَاءَ إِلَى حَضْرَمَوْتَ، لَا يَخَافُ إِلَّا اللَّهَ، وَالذِّئْبَ عَلَى غَنَمِهِ، وَلَكِنَّكُمْ تَسْتَعْجِلُونَ»
“Pasha Allahun! Allahu do ta plotësojë këtë çështje (Islamin), derisa udhëtari të udhëtojë nga Sanaja deri në Hadramaut duke mos pasur frikë askënd tjetër përveç Allahut dhe ujkut për kopenë e tij. Por ju po nxitoheni.” (Buhariu, nr. 6943).
Ky hadith është një shkollë e tërë edukimi.
Ai na mëson se besimtari nuk duhet të nxitojë frytet, por të ecë në rrugën e Allahut me bindje të plotë.
Tipari i gjashtë: Edukimi mbi sinqeritetin
Asnjë vepër nuk pranohet pa sinqeritet.
Për këtë arsye, Kurani e edukon thirrësin që synimi i tij të jetë vetëm kënaqësia e Allahut dhe jo lavdërimi i njerëzve, fama apo pozita.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ﴾
“Ata nuk u urdhëruan me tjetër, veçse ta adhurojnë Allahun duke ia kushtuar sinqerisht fenë vetëm Atij.” (El-Bejjine, 5).
Po ashtu thotë:
﴿قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ﴾
“Thuaj: Vërtet namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve.” (El-En’am, 162).
Prandaj selefët i kushtonin rëndësi të jashtëzakonshme sinqeritetit.
Imam Sufjan Theuriu (Allahu e mëshiroftë) thoshte:
“Nuk kam luftuar me asgjë më shumë sesa me nijetin tim, sepse ai ndryshon vazhdimisht.”
Ky është një mësim i madh për çdo thirrës.
Rreziku më i madh nuk është kundërshtari jashtë nesh, por prishja e nijetit brenda nesh.
Tipari i shtatë: Edukimi mbi lidhjen e vazhdueshme me Kuranin
Kurani nuk është vetëm libri i thirrjes.
Ai është edhe furnizimi i përditshëm i thirrësit.
Sa më shumë që ai lidhet me Kuranin, aq më shumë forcohet zemra e tij.
Për këtë arsye Allahu i tha Pejgamberit ﷺ:
﴿وَقَالَ الرَّسُولُ يَا رَبِّ إِنَّ قَوْمِي اتَّخَذُوا هَذَا الْقُرْآنَ مَهْجُورًا﴾
“I Dërguari do të thotë: ‘O Zoti im! Populli im e braktisi këtë Kuran.'” (El-Furkan, 30).
Prandaj braktisja e Kuranit është nga shkaqet më të mëdha të dobësimit të umetit.
Ndërsa lidhja me të është shkaku më i madh i ringjalljes së tij.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«إِنَّ اللَّهَ يَرْفَعُ بِهَذَا الْكِتَابِ أَقْوَامًا، وَيَضَعُ بِهِ آخَرِينَ»
“Vërtet, Allahu me këtë Libër ngre disa popuj dhe me të poshtëron të tjerë.” (Muslimi, nr. 817).
Kështu u ngrit brezi i sahabëve dhe kështu do të ngrihet çdo brez që e merr Kuranin si udhërrëfyes në besim, moral dhe davet.
Tipari i tetë: Edukimi mbi urtësinë (Hikmetin) në davet
Një nga shtyllat më të rëndësishme të edukimit davetor në Kuranin Fisnik është edukimi mbi urtësinë (el-hikmeh). Thirrja në rrugën e Allahut nuk ndërtohet vetëm mbi dijen, sinqeritetin dhe guximin, por edhe mbi urtësinë në zgjedhjen e fjalës, të kohës dhe të mënyrës së komunikimit me njerëzit.
Allahu i Madhëruar urdhëron:
﴿ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ ۚ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِمَنْ ضَلَّ عَنْ سَبِيلِهِ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ﴾
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe me këshillë të mirë, dhe debato me ta në mënyrën më të mirë. Vërtet, Zoti yt e di më së miri kush është larguar nga rruga e Tij dhe Ai i njeh më së miri të udhëzuarit.” (En-Nahl, 125).
Ky ajet është një nga themelet e metodologjisë së davetit në Islam. Allahu nuk e urdhëroi të Dërguarin e Tij ﷺ që t’i ftojë njerëzit me ashpërsi, nxitim apo fjalë fyese, por me urtësi, këshillë të mirë dhe dialog të ndërtuar mbi moralin e lartë.
Dijetarët kanë thënë se urtësia është: “vendosja e çdo gjëje në vendin e saj.” Kjo nënkupton t’i flasësh secilit sipas gjendjes së tij, të zgjedhësh kohën e përshtatshme, fjalën më të dobishme dhe mënyrën që e afron zemrën me të vërtetën.
Imam Ibën Kajjim el-Xheuzijje (Allahu e mëshiroftë) thotë:
“Urtësia është të veprosh atë që duhet, në mënyrën që duhet dhe në kohën që duhet.” (Miftahu Dari’s-Seade).
Edhe Pejgamberi ﷺ ishte shembulli më i lartë i urtësisë në davet. Ai i trajtonte njerëzit sipas nivelit të tyre të dijes, gjendjes së tyre shpirtërore dhe rrethanave në të cilat ndodheshin. Ai nuk nxitonte në gjykim dhe nuk i mbyllte dyert e pendimit.
Kur një beduin urinoi në xhami, sahabët u ngritën menjëherë për ta qortuar. Mirëpo Pejgamberi ﷺ i ndaloi dhe tha:
«دَعُوهُ، وَأَهْرِيقُوا عَلَى بَوْلِهِ سَجْلًا مِنْ مَاءٍ، فَإِنَّمَا بُعِثْتُمْ مُيَسِّرِينَ وَلَمْ تُبْعَثُوا مُعَسِّرِينَ»
“Lëreni! Pastaj derdhni mbi urinën e tij një kovë me ujë. Vërtet, ju jeni dërguar për të lehtësuar e jo për të vështirësuar.” (Buhariu, nr. 220).
Ky hadith tregon se urtësia nuk nënkupton lëshim në parime, por zgjedhjen e mënyrës më të dobishme për ta afruar njeriun te e vërteta. Shpeshherë, një fjalë e butë hap zemra që nuk do t’i hapte ashpërsia.
Prandaj, thirrësi në rrugën e Allahut duhet ta shoqërojë dijen me urtësi, vendosmërinë me butësi dhe këshillën me mëshirë. Në këtë mënyrë ai ndjek metodologjinë e Kuranit dhe Sunetit dhe bëhet shkak që zemrat të afrohen me fenë e Allahut, e jo të largohen prej saj. Kjo është një nga shenjat më të dallueshme të edukimit davetor që ofron Kurani Fisnik.
Përfundimi
Pas kësaj shëtitjeje nëpër ajetet e Kuranit Fisnik dhe shembujt e edukimit të tij, bëhet e qartë se Kurani nuk është vetëm një libër leximi, as vetëm një përmbledhje dispozitash fetare apo rrëfimesh historike. Ai është, para së gjithash, një metodologji e plotë edukimi, me të cilën Allahu ndërtoi brezin më të mirë që ka njohur njerëzimi.
Ai edukoi zemrat para se të ndërtonte shtetin.
Ai formoi besimin para se të vendoste ligjet.
Ai ndërtoi njeriun para se të ndërtonte shoqërinë.
Prandaj, brezi i sahabëve nuk u bë brezi më i mirë sepse jetoi në kohën e Pejgamberit ﷺ, por sepse u edukua nga Kurani, e jetoi atë, e zbatoi dhe e përcolli tek të tjerët.
Kurani e mësoi myslimanin:
- të njohë qëllimin e krijimit të tij;
- ta lidhë zemrën vetëm me Allahun;
- të jetë i sinqertë në çdo vepër;
- të jetë i durueshëm në sprova;
- të mos dëshpërohet nga përhapja e së kotës;
- të besojë në premtimin e Allahut;
- ta marrë përgjegjësinë për përmirësimin e vetes dhe të shoqërisë;
- dhe të mbetet i lidhur përherë me Librin e Allahut.
Këto janë themelet mbi të cilat ndërtohet çdo thirrës i suksesshëm në rrugën e Allahut.
Prandaj nuk është rastësi që të gjithë reformatorët e mëdhenj të historisë islame e kanë filluar përmirësimin nga Kurani.
Ata e kuptuan se nuk mund të reformohet shoqëria pa u reformuar zemrat, dhe zemrat nuk reformohen me asgjë më mirë sesa me Fjalën e Allahut.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ اللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ﴾
“Vërtet, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë atë që është në vetveten e tyre.” (Er-Ra’d, 11).
Ky ndryshim fillon pikërisht aty ku filloi edhe ndryshimi i brezit të parë: me Kuranin.
Për këtë arsye, thirrësit në rrugën e Allahut, edukatorët, imamët, mësuesit dhe prindërit duhet ta bëjnë Kuranin burimin e parë të edukimit të tyre. Jo vetëm duke ua mësuar njerëzve leximin e tij, por duke ua mësuar kuptimin, moralin, urtësinë dhe metodologjinë e tij.
Sepse sa herë që umeti është larguar nga Kurani, është dobësuar; dhe sa herë që është kthyer tek ai, Allahu ia ka kthyer krenarinë, unitetin dhe fuqinë.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَاسْتَمْسِكْ بِالَّذِي أُوحِيَ إِلَيْكَ ۖ إِنَّكَ عَلَىٰ صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ﴾
“Prandaj kapu fort pas asaj që të është shpallur, sepse ti je në rrugën e drejtë.” (Ez-Zuhruf, 43).
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«إِنَّ اللَّهَ يَرْفَعُ بِهَذَا الْكِتَابِ أَقْوَامًا، وَيَضَعُ بِهِ آخَرِينَ»
“Vërtet, Allahu me këtë Libër i ngre disa popuj dhe me të poshtëron të tjerë.” (Muslimi, nr. 817).
Po kështu, Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَهَٰذَا كِتَابٌ أَنْزَلْنَاهُ مُبَارَكٌ فَاتَّبِعُوهُ وَاتَّقُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ﴾
“Ky është një Libër i bekuar që Ne e kemi zbritur; prandaj ndiqeni atë dhe kijeni frikë Allahun, që të mëshiroheni.” (El-En’am, 155).
Mbyllje
Në kohën kur umeti përballet me sprova të shumta, me sfida ideologjike, morale dhe kulturore, nevoja për t’u rikthyer tek edukimi kuranor është më e madhe se kurrë.
Ky rikthim nuk nënkupton vetëm leximin e Kuranit, por jetësimin e tij në besim, në moral, në familje, në davet dhe në të gjitha aspektet e jetës.
Vetëm atëherë mund të shpresojmë të shohim sërish breza që ngjasojnë me brezin e sahabëve: breza që e njohin Allahun, e duan fenë e Tij, e mbrojnë të vërtetën dhe e bartin mesazhin e Islamit me dije, urtësi dhe sinqeritet.
Lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej ithtarëve të Kuranit, prej atyre që e lexojnë, e kuptojnë, e zbatojnë dhe ua mësojnë të tjerëve; të na e ndriçojë zemrën me Librin e Tij dhe të na bëjë prej thirrësve të sinqertë në rrugën e Tij.
وصلى الله وسلم وبارك على نبينا محمد، وعلى آله وصحبه أجمعين.
“Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.”
Përshtati: Bekir Halimi
