6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Roli i OJQ-ve në fshirjen e identitetit musliman në Kosovë

Më të lexuarat

Në foto: Pamje nga xhamia e Prizrenit në Kosovë.

Në foto: Pamje nga xhamia e Prizrenit në Kosovë.

ADEM FERIZAJ

Në këtë ese, Adem Ferizaj diskuton marrëdhënien midis konceptit të ‘të qenit i bardhë’ dhe Islamofobisë në kontekstin e identitetit shqiptar në Kosovë. Qasja eurocentrike ka bërë që OJQ-të në vend t’i japin përparësi integrimit euroatlantik në dëm të identitetit musliman, duke e fshirë këtë të fundit qëllimisht nga diskursi kombëtar. OJQ-të që mbështesin këtë pikëpamje kanë injoruar diskriminimin e muslimanëve praktikantë në tregun e punës në raportet e tyre dhe kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) me justifikimin e “agjendës euroatlantike të Kosovës”.

Rajoni i Ballkanit shpesh lihet menjanë kur debatohet rreth ‘zhvillimit’ apo ‘ndihmës’, ndonëse ndarjet qendër/periferi apo veri/jug janë vendimtare në rajon. Që nga vitet 1830, debatet mbi identitetin shqiptar kanë qenë të përqendruara rreth pyetjes nëse shqiptarët janë “evropianë”. E në ditët e sotme, shqiptarët, të cilët përbëjnë shumicën në Shqipëri dhe Kosovë, i njohin mirë pasojat e Islamofobisë evropiane që i detyron muslimanët ta shfaqin besnikërinë e tyre ndaj vlerave dhe mënyrës “perëndimore” të jetesës. Madje, kjo (ka ndodhur, sh.p.) dekada para rritjes së popullaritetit të politikës së krahut të djathtë në Evropë.

Karakteri eurocentrik i debateve mbi identitetin shqiptar mbase përfaqësohet më së miri nga ajo që njihet në historinë shqiptare si debati Kadare-Qosja i vitit 2006 në të cilin morën pjesë shumë intelektualë. Pas bindjes së tij se shqiptarët janë ‘evropianët e mirë’ (lexo: ‘të bardhë’), shkrimtari Kadare sugjeronte që shqiptarët të shpërfillnin të kaluarën e tyre osmane bashkë me Islamin, ndërsa Qosja argumentonte se këto elemente janë thelbësore dhe të pandashme nga identiteti bashkëkohor shqiptar. Ky është ende një debat i hapur ku disa refuzojne ta vendosin me forcë popullin shqiptar brenda veriut global, duke ndjekur shembullin e Qosjes.

“Zhvillimi” euroatlantik përballë “prapambetjes” muslimane shqiptare

Pas përfundimit të luftës me Serbinë në vitin 1999, Kosova u bë protektorat i administruar nga Kombet e Bashkuara (OKB). Kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, misioni i OKB-së u zëvendësua nga misioni i BE-së i njohur si EULEX – ende aktiv sot – roli i të cilit në thelb është të ndihmojë në projektin e “demokratizimit” të Kosovës. Në këtë kontekst, pra të tutelës euroatlantike, OJQ-të u bënë pjesë jetike e jetës politike në Kosovë, njësoj si në shumë vende të tjera të dala nga lufta.

Meqenëse OJQ-të janë aktorët kryesorë të sjelljes së “progresit” euroatlantik në Kosovë, ato luajnë një rol vendimtar në fshirjen e të qenit musliman kosovaro-shqiptar që shpesh barazohet me “prapambetjen” (mund të lexoni më shumë për këtë në Islamofobia në Kosovë – Raporti Kombëtar që kam shkruar në 2018). Në këtë kuptim, ideologjia politike e OJQ-ve në Kosovë mund të interpretohet si mjaft e afërt me një pikëpamje euro-romantizuese të identitetit shqiptar.

Sipas të gjeturave të raportit, islamofobia në Kosovë, një vend me shumicë muslimane, është “modeluar sipas karakteristikave perëndimore të stereotipizimit të Islamit”, ku “Islamofobia shërben si ‘mjet’, të cilin elita politike e vendit e përdor për t’u pranuar plotësisht në qarqet euroatlantike”. Prandaj, mund ta konsiderojmë Islamofobinë kosovare si “një nga më të ashprat në Evropë në kuptimin se ajo fshin sistematikisht ‘Islamin’ nga identiteti shqiptar, apo kosovar nga diskurset kombëtare”.

Fshirja e identitetit musliman të kosovës dhe eurocentrizmi i përbrendësuar

Dy incidente mund të ndihmojnë në ilustrimin e rolit konkret që OJQ-të luajnë në këtë dinamikë.

Së pari, OJQ-të kosovare që punojnë në çështjet ekonomike nuk e marrin parasysh Islamofobinë, pavarësisht se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në vitin 2017 vuri në dukje diskriminimin me të cilin përballeshin muslimanët praktikues në tregun e punës, sidomos në sektorin publik. Për shembull, në vitin 2017 u publikua një punim studimor mbi diskriminimin në tregun e punës që adresonte aspektin gjinor të pabarazisë në jetën profesionale. Në të njëjtin vit doli një botim i ngjashëm me fokus në papunësinë e grave. Në asnjërin prej reproteve nuk përmendej askund diskriminimi i bazuar në faktorët fetarë. Në vend që të përdornin një qasje ndërsektoriale, këto OJQ në raportet e tyre e kanë parë diskriminimin në punë në mënyrë njëdimensionale duke marrë vetëm gjininë si kriter kryesor.

Thjesht fakti që Islami mund të anashkalohet kaq lehtë tregon se sa i përshtatshëm është për diskursin e OJQ-ve që të injorohet Islami, pasi ai konsiderohet si “jo konstruktiv” në përpjekjet e tyre për t’u bashkuar klubit euroatlantik. Mendoj se kjo heshtje e qëllimshme rreth fesë është një mënyrë e rëndësishme me anë të së cilës Islami fshihet nga identiteti shqiptar për të pretenduar identitetin e “të qenit i bardhë” të Kosovës.

Pra, si po e mbështesin OJQ-të në mënyrë aktive pikëpamjen eurocentrike të zhvillimit të Kosovës? Një raport i një OJQ-je i vitit 2018 kundërshtonte haptas anëtarësimi në pritje të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC). Justifikimi kryesor ishte “agjenda euroatlantike e Kosovës”. Në këtë mënyrë, elita politike e vendit mund ta tregojë edhe një herë besnikërinë e saj ndaj Perëndimit, duke treguar qartë se “Shqiptarët janë muslimanë të mirë evropianë”. Kjo është një mënyrë tjetër me anë të së cilës OJQ-të në Kosovë aspirojnë për ‘të qenit të bardhë’: duke u distancuar nga ajo që nuk është ‘e bardhë’, pra nga identiteti musliman shqiptar.

Duhet kuptuar se Islamofobia është po aq e papranueshme në diskurset politike sa racizmi, antisemitizmi apo mizogjinia. Në këtë kuptim, fushatat e ndërgjegjësimit ndaj Islamofobisë nuk duhet të fokusohen vetëm te gazetaria dhe narrativat e ndërtuara nga masmediat, por edhe në nivel qeveritar dhe në nivel OJQ-sh, të cilat janë aktorët që mbështesin në mënyrë aktive fshirjen (e identitetit musliman, sh.p.).

Këto njohuri janë të rëndësishme në rast se dikush dëshiron ta vendosë rastin kosovar në një perspektivë globale: nëse OJQ-të përpiqen të arrijnë (një identitet, sh.p) shqiptar të ‘të qenit i bardhë’ duke iu nënshtruar dinamikave strukturore islamofobe, kjo është ndoshta për shkak të eurocentrizmit të përvetësuar, çka e bën “të pamundur të mendohet për një të ardhme ku [ata] nuk i ngjajnë Evropës”, ​​duke perifrazuar Yousef Khalilin në analizën e tij të vitit 2017 për trashëgimitë e kolonializmit të Algjerisë. Me fjalë të tjera, aspirata për “të qenë i bardhë” duke mohuar atë që nuk është ‘e bardhë’ është rezultat i mungesës së një mendjeje të hapur për të imagjinuar një të ardhme përtej vlerave eurocentrike.

Si mund të dukej diskursi politik shqiptar pa një pikëpamje të ngushtë eurocentrike? Ndoshta kjo do të ndikonte në shfaqjen e solidaritetit global me njerëz të tjerë të shtypur me një të kaluar koloniale. Marrëdhëniet aktuale palestinezo-kosovare, për shembull, karakterizohen nga një “armiqësi paradoksale midis dy kombeve që ndajnë një histori të ngjashme viktimizimi”. Duke pasur parasysh se shqiptarët e Kosovës arritën të çliroheshin nga kolonializmi dhjetra-vjeçar jugosllavo-serb, tejkalimi i eurocentrizmit në diskurset elitare – si sektori i OJQ-ve – bëhet edhe më e nevojshme për të krijuar një të ardhme të ndërtuar mbi trashëgiminë e një lufte të suksesshme antikoloniale kosovare.

Solli në shqip Observer.al. Titulli i shkrimit në origjinal: ‘Islamophobia and ‘Whiteness’ as two sides of the same coin’.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit