Unë jam optimist për të ardhmen e Islamit, të drejtësisë dhe reformës, pavarësisht të gjitha rrethanave të vështira. Ky nuk është një iluzion që qetëson dhimbjen, por është përfundimi i natyrshëm i vështrimit nga çdo këndvështrim:
1. Nga këndvështrimi i besimit
Dëshpërimi nga mëshira e Allahut është prej mëkateve të mëdha, sepse në thelb ai përmban një akuzë ndaj Allahut për paaftësi ose pakujdesi. Allahu, i Cili ka thënë:
﴿ وَلَقَدْ كَتَبْنَا فِي الزَّبُورِ مِن بَعْدِ الذِّكْرِ أَنَّ الْأَرْضَ يَرِثُهَا عِبَادِيَ الصَّالِحُونَ ﴾
“Ne e kemi shkruar në Zebur, pas Përkujtimit, se Tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.”
(El-Enbija, 105)
nuk e ka kushtëzuar premtimin e Tij me humorin e pesimistëve.
2. Nga këndvështrimi racional
E vërteta mbart në vetvete farat e qëndrueshmërisë së saj, ndërsa e kota mbart në tiraninë e saj farat e shkatërrimit të vet. Çdo sistem i ndërtuar kundër natyrës së pastër njerëzore jeton duke shpenzuar kapitalin e vet, jo duke prodhuar fitim. E ai që shpenzon vetëm nga kapitali, një ditë do ta harxhojë atë.
3. Nga këndvështrimi historik
Asnjë popull nuk ka mbetur përgjithmonë në largim nga Allahu. Vetë historia islame është një varg thyerjesh që janë pasuar nga ringritje. Pas mongolëve, Islami hyri në zemrat e vetë mongolëve; pas kryqëzatave, Kudsi u kthye përsëri. Historia nuk i ofron pesimistëve asnjë dëshmi të vetme në favor të tyre.
4. Nga këndvështrimi realist
Sot Islami është më i përhapur në botë sesa ishte një shekull më parë. Numri i muslimanëve po shtohet dhe interesimi për Islamin në Perëndim nuk është ndalur pavarësisht të gjitha fushatave kundër tij. Realiteti që përdorin pesimistët si argument është një realitet i përzgjedhur, jo i plotë.
5. Nga këndvështrimi i natyrës njerëzore
Shpirti i njeriut është krijuar me prirje drejt teuhidit. Çdo largim prej tij është një dhunë që njeriu ushtron mbi vetveten. Dhuna nuk zgjat përgjithmonë dhe nuk mund të durohet pafundësisht. Kur njeriu arrin kulmin e humbjes, e kupton se rruga e vetme e mbetur është rruga e kthimit.
6. Nga këndvështrimi psikologjik
Pesimizmi nuk është një lexim objektiv i realitetit, por një pasqyrim i frikës së brendshme mbi botën e jashtme. Njeriu i frikësuar e sheh errësirën më të dendur se ç’është dhe dritën më të dobët se ç’është. Prandaj pesimisti nuk përshkruan realitetin, por përshkruan veten.
7. Nga këndvështrimi qytetërues
Qytetërimet nuk shemben sepse kundërshtarët e tyre janë më të fortë, por sepse humbasin përgjigjen ndaj pyetjes së madhe: “Pse jetojmë?” Sot Perëndimi po e humbet këtë përgjigje në mënyrë të hapur, ndërsa Islami e mban atë të plotë. Qytetërimi që humbet kuptimin e vet nuk ka nevojë për një armik të jashtëm që ta mposhtë.
8. Nga këndvështrimi i ligjeve hyjnore
Ligji i Allahut në këtë univers është që nata, sado e errët të bëhet, lajmëron afrimin e agimit dhe jo vdekjen e tij. Presioni që përjeton Islami sot nuk është dëshmi e dobësisë së tij, por dëshmi se ekziston një forcë që i druhet dhe e lufton. E nuk luftohet veçse ai që paraqet rrezik.
9. Nga këndvështrimi shoqëror
Boshllëkun shpirtëror që po përjeton njeriu bashkëkohor nuk ka mundur ta mbushë asgjë. Çdo alternativë e provuar ka dalë e mundur nga vetë përvoja e saj. Materializmi prodhoi ankth, liria e pakufizuar prodhoi vetmi, ndërsa ateizmi prodhoi zbrazëti dhe nihilizëm. Njeriu që ka provuar gjithçka dhe nuk ka gjetur qetësi është më afër se kushdo tjetër që të trokasë në derën që ende nuk e ka trokitur.
10. Nga këndvështrimi i vetë natyrës së së vërtetës
E vërteta nuk ka nevojë për rrethana të favorshme që të jetë e vërtetë. Ajo nuk mposhtet kur mposhten bartësit e saj, por vazhdon të qëndrojë e fortë në vetvete, duke pritur ata që do ta mbajnë. E vërteta nuk është humbur ndonjëherë sepse ishte e pavërtetë; ajo është humbur kur e kanë braktisur njerëzit e saj dhe është rikthyer kur ka gjetur njerëz që ta mbajnë, edhe nëse kanë qenë të paktë.
Pesimizmi nuk është as thellësi dhe as largpamësi; ai është dobësia e shpirtit kur projekton mbi të panjohurën hijet e veta, në vend të dritës së Allahut që nuk shuhet. Pema nuk i lëshon gjethet e saj veçse kur përgatitet për një ripërtëritje të re.
Prandaj, përgatituni.
Bedr El-Merij
