E mira është e natyrshme për njeriun

Më të lexuarat

E mira nuk është diçka e rastësishme në natyrën njerëzore; përkundrazi, ajo është një thelb i vendosur në thellësinë e saj, si një farë e rrënjosur në shpirt. Po, ndonjëherë ajo mbulohet nga shtresat e pakujdesisë dhe fshihet nën grumbujt e epsheve, zakoneve dhe plagëve, por mbetet e fshehur në brendësinë e njeriut duke pritur çastin e ringjalljes së saj.

Ndërsa e keqja rrallëherë është një thelb i mirëfilltë; ajo, në shumicën e rasteve, është një çrregullim i përkohshëm dhe një fryrje sipërfaqësore e shpirtit kur ai largohet nga natyra e tij e pastër (fitra) dhe tjetërsohet nga e vërteta e vet.

Prandaj, e keqja ndonjëherë mund të duket e zhurmshme dhe sunduese në mënyrën se si e sheh veten ose të tjerët, sepse ajo del në sipërfaqe me bujë e fryrje dhe për këtë arsye duket më e pranishme dhe më me ndikim. Por, në të vërtetë, ajo është si një kore që rritet mbi fytyrën e jetës, ndërsa rrënjët e së mirës shtrihen thellë në shpirtra, në heshtje dhe qëndrueshmëri.

Sapo fitra zgjohet dhe largohen iluzionet e pengesat që janë grumbulluar mbi të, e keqja kthehet në përmasën e saj të vërtetë, ndërsa fara e së mirës fillon përsëri të mbijë. Kjo sepse ajo që është e rrënjosur dhe origjinale mbetet, kurse ajo që është e huaj dhe e rastësishme zhduket.

﴿Fitra e Allahut, me të cilën Ai i krijoi njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin e Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.﴾
(Er-Rum, 30)

Ibën Tejmije ka thënë:

“Njeriu në vetvete gjen një kënaqësi në drejtësi, sinqeritet, dije dhe mirësi, si dhe një gëzim e lumturi për to, që nuk e gjen në padrejtësi, gënjeshtër dhe injorancë. Njerëzit, qofshin ata që u ka arritur kjo dije apo jo, ndiejnë në vetvete kënaqësi, gëzim dhe lumturi nga drejtësia e të drejtit, sinqeriteti i të sinqertit, dituria e dijetarit dhe mirësia e bamirësit, më shumë sesa nga padrejtësia, gënjeshtra, injoranca dhe keqbërja. Për këtë arsye ata ndiejnë dashuri për atë që vepron kështu, e lavdërojnë dhe luten për të. Ata janë krijuar me prirje të natyrshme për ta dashur këtë dhe për të gjetur kënaqësi në të, dhe nuk mund ta largojnë këtë nga vetvetja; ashtu siç janë krijuar me kënaqësinë e të ngrënit dhe të pirit, si dhe me dhimbjen e urisë dhe etjes.”

Dr. Aid Deuseri
Solli në shqip Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit