13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

REGJISTRIMI I BUJQËSISË NIS NË JANAR 2013

Më të lexuarat

Me kërkesë të Komisionit Evropian, nga janari i vitit të ardhshëm në Kosovë do të fillojë regjistrimi bujqësor, i cili për herë të fundit është bërë në vitin 1960. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, kjo do të sjellë një dobi të madhe për vendin tonë, si në përfitimin e granateve nga Bashkimi Evropian, e po ashtu edhe në eliminimin e informalitetit dhe konkurrencës së pandershme brenda sektorit të bujqësisë. I tërë projekti do të kushtojë 4.7 milionë euro.

Regjistrimi do të realizohet në bazë të metodës tradicionale “derë më derë”, me anë të pyetësorëve të regjistrimit për ekonomitë bujqësore, grumbullimi i të dhënave të sakta bujqësore dhe shpërndarja e rezultateve të tyre, të cilat do t’i mundësojnë Qeverisë, fermerëve dhe palëve tjera me interes t’i zhvillojnë politikat gjithëpërfshirëse të sektorit të bujqësisë dhe përmes fuqizimit të këtij sektori të ndikojnë edhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, të shtunën në një konferencë për media, duke shpjeguar, arsyet dhe dobitë të cilat do t’i sjellë regjistrimi i bujqësisë, ka theksuar se ministria që ai drejton bashkë me Entin e Statistikave të Kosovës, tashmë i kanë filluar punët përgatitore për regjistrimin bujqësor dhe rezultatet e pritura nga implementimi i këtij projekti, i cili do të zgjas deri në vitin 2014, janë hartimi dhe botimi i një serie të plotë të të dhënave të sakta për sektorin e bujqësisë, të hartuara dhe të përpunuara në përputhje të plotë me normat dhe standardet ndërkombëtare.

Sipas tij, nevojën për krijimin e të dhënave të sakta rreth ekonomive familjare, kohë më parë e ka ngritur si çështje edhe Komisioni Evropian në raportin e progresit.

“Ajo që është një ndër pikat më të rëndësishme se kjo ka qenë një kërkesë prioritare e Komisionit Evropian edhe pjesën që lidhet me bujqësinë në studimin e fizibilitetit dhe në raportin që do të bëhet në vjeshtën e këtij vitit. Pra, njëra nga kërkesat themelore ka qenë ajo që lidhet me të dhënat dhe regjistrat bujqësorë. Prandaj, njëri nga institucionet më relevante dhe drejtori përkatës për bujqësi e ka mirëpritur me një admirim të madh lajmin që edhe në Kosovë vitin e ardhshëm do të ketë regjistrim bujqësor. Për më tepër, ky është viti që në të gjitha shtetet e BE-së do të bëhet ky regjistrim”, ka thënë Stavileci.

Për më tepër, ministri Stavileci, tha se rezultatet e dala nga ky regjistrim do të jenë shumë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik, pasi që sipas tij, do të rrisin nivelin edhe në çështje të tjera organizative, logjistike dhe ligjore, të cilat kanë nevojë të planifikohen dhe të adresohen me kohë.

“Në masë të madhe kjo do të ndikojë që të zhduket informaliteti dhe të eliminohet konkurrenca jo e ndershme brenda sektorit. Ne sot kur flasim edhe fermerët edhe agrobizneset tona, gjithmonë kur flasin për relacionin prodhim vendor dhe import, flasin për konkurrencë jo të ndershme. Mirëpo, nga ajo që sot kemi në terren, ne shohim se ka një konkurrencë jo të ndershme edhe brenda vendit tonë, andaj detyrë e jona është që ne t’u sigurojmë hapësirë më të madhe dhe klimë më të mirë agrobizneseve dhe fermerëve të cilët bëjnë punë të ndershme, për t’i eliminuar pastaj shpërdorimet e ndryshme që ekzistojnë brenda sektorit”, ka thënë ministri Stavileci.

Një tjetër përfitim për të gjitha ata që do të regjistrohen, sipas ministrit Stavileci, do të jetë edhe ndërfutja e skemave të reja të subvencionimit dhe grantimit të cilat do të lidhen drejtpërdrejtë me cilësinë dhe sasinë, e cila sot është e pamundur të bëhet, në mungesë të këtyre regjistrave.

Implementimi i këtij projekti, i cili do të kushtojë rreth 4,7 milionë euro, do të financohet prej pjesës së mjeteve të mbetura në vlerë prej rreth 2,3 milionë euro nga regjistrimi i tanishëm i popullsisë dhe prej donatorëve të sektorit të bujqësisë dhe buxhetit shtesë të Qeverisë.

Përndryshe, projektligji për regjistrimin e bujqësisë, i cili i ka hapur rrugë implementimit të këtij projekti, është miratuar në parim këtë javë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe përmes tij autorizohet ESK-ja për të mbledhur të dhënat në terren edhe për sektorin e bujqësisë. Rezultatet e përkohshme të regjistrimit, Enti i Statistikave të Kosovës, sipas ligjit duhet t’i shpërndajë deri më 28 shkurt 2014. Ndërsa, ato përfundimtaret do të shpërndahen në format elektronik dhe në letër, duke filluar nga 30 shtatori 2014. Kohëzgjatja e implementimit të projektit për regjistrimin e bujqësisë është dy vite, ndërsa projekti është në harmoni të plotë edhe me kërkesat e Komisionit Evropian.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit