19.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

“Refugjatëve në Maqedoni, gjithmonë do t’u sigurohet trajtim human”

Më të lexuarat

Gjatë vitit 2015 deri në muajin mars të vitit 2016, rreth 700 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë përdorur territorin e Maqedonisë për të arritur në destinacionin e tyre përfundimtar

SHKUP (AA) – Në organizim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Maqedonisë, Fondit të Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), në Shkup u mbajt punëtori mbi leksionet shkencore dhe përgjigjes së nevojave humanitare në krizën e refugjatëve dhe emigrantëve në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë punëtori u theksua se gjatë vitit 2015 deri në muajin mars të vitit 2016, rreth 700 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë përdorur territorin e Maqedonisë, i cili është pjesë e të ashtuquajturës “Rrugë ballkanike për refugjatët”, për të arritur në destinacionin e tyre përfundimtar, në ndonjërin prej vendeve evropiane.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, tha se Maqedonia është një vend që në të kaluarën ka patur mjaft përvoja me kriza të refugjatëve, mirëpo kjo e fundit me refugjatët nga Lindja e Mesme, siç theksoi ai, ishte sfida më e madhe dhe më specifike deri më tani.

Në lidhje me refugjatët e bllokuar në territorin e Maqedonisë pas mbylljes së “Rrugës ballkanike”, Ibrahimi tha se nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre, por shtoi se deri sa ata qëndrojnë në Maqedoni, ky shtet gjithmonë do t’u sigurojë trajtim human, përfshirë edhe edukimin e tyre.

“Refugjatët që gjenden në qendrën tranzitore në Gjevgjeli dhe Tabanoc, tashmë janë të përfshirë në sistemin arsimor. Atyre u sigurohen trajnime të ndryshme edukative, përfshirë edhe të gjuhëve të huaja. Kuptohet se u sigurohet edhe ushqim i mjaftueshëm”, tha Ibrahimi, duke shtuar se Maqedonia kaloi një dimër të ftohtë, por përsëri për refugjatët arriti të kujdeset në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërkaq, zv/përfaqësuese e Zyrës së UNICEF-it në Shkup, Elspeth Erikson, bëri të ditur se organizata UNICEF gjatë periudhës së kaluar ka ndihmuar mbi 120 mijë fëmijë refugjatë që kanë kaluar nëpër territorin e Maqedonisë, ndërkohë ndihmon edhe fëmijët refugjatë që kanë mbetur të bllokuar pas mbylljes së “Rrugës ballkanike”.

“Unë mendoj se fëmijët refugjatë jetojnë në kushte shumë të mira për jetesë. Ne kemi punuar bashkë për që t’u sigurojmë fëmijëve të kenë ndjenjën e normalitetit në qendrat tranzitore. Ajo çka nevojitet për këto fëmijë është normaliteti, një ndjenjë e shtëpisë dhe lirisë. Qendrat edukative dhe aktivitetet e ndryshme me fëmijët refugjatë mundësojnë që ata të ndiejnë se jeta vazhdon”, deklaroi Erikson.

Dy javë më parë, 49 refugjatë nga Qendra tranzitore në Tabanoc, e cila ndodhet në kufirin verior të Maqedonisë, u kthyen prapa në Greqi për shkak të hyrjes së parregullt të tyre në territorin e vendit.

Momentalisht në këtë vend qëndrojnë të bllokuar rreth 130 refugjatë, prej të cilëve rreth 100 gjenden në dy qendrat tranzitore në kufirin verior dhe jugor të vendit, ndërsa rreth 30 refugjatë janë azilkërkues në Shkup dhe jetojnë në kushte më të mira. Ndryshe, 70 përqind e numrit të përgjithshëm të refugjatëve në Maqedoni janë fëmijë të moshës nën 18 vjeç. ​

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit