6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Pushtetarët dhe e vërteta – Ibn Kajim el-Xheuzijeh

Më të lexuarat

Realizimi në dije dhe njohje të brendshme, në veprim dhe në qenie, të ajetit kuranor “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (Kuran 1:5) është shërim për korruptimin e zemrës dhe qëllimit (njetit). Prishja e njetit i përket si objektivave ashtu edhe mjeteve. Kushdoqë synon një objektiv që është i kotë, i mangët dhe i përkohshëm dhe përpiqet ta arrijë atë me çfarë do lloj mjeti që dërgon drejt përmbushjes së tij, atëherë si qëllimi ashtu edhe mjeti janë të korruptuara. Ky është rasti me çdokënd qëllimi përfundimtar i të cilit është diçka tjetër përveç Zotit dhe adhurimit të Tij…
Në veçanti [kjo është e vërtetë] me pushtetarët të cilët ndjekin kërkesën për të vendosur pushtetin e tyre me çdo mjet të mundshëm, qoftë ky i drejtë apo i gabuar, dhe kur e vërteta vjen në kundërshtim me pushtetin e tyre, ata e thërrmojnë dhe e shkelin me këmbë. Kur e kanë të pamundur ta kryejnë një gjë të tillë, atëherë ata e shtyjnë atë [tutje] përmes tiranisë. Nëse dështojnë [edhe në këtë përpjekje] atëherë ata e kapin të vërtetën në rrugën e saj dhe e devijojnë atë drejt një rruge tjetër. Ata janë të përgatitur që të ndërmarrin çdo masë për ta refuzuar atë. Së fundmi, nëse ata e shohin si të pamundur [shtyrjen tutje të së vërtetës], atëherë ata i garantojnë asaj pranim dhe të drejtën për tu predikuar, por e privojnë atë nga çdo fuqi reale, autoritet dhe aftësi për tu zbatuar. Nëse, nga ana tjetër, e vërteta qëllon të jetë në anë të tyre, atëherë ata e mbrojnë atë dhe rrotullohen rreth saj, duke I ardhur asaj të nënshtruar. Kjo jo sepse është e vërteta, por sepse ka qëlluar që ajo të pajtohet me synimet dhe dëshirat e tyre dhe kësisoj ata kanë mundësi ta rekrutojnë atë për qëllimet e tyre.
“Dhe, kur thirren tek Allahu (Libri i Tij) dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, një grup nga ata kthejnë kurrizin. Por, nëse e drejta është në anën e tyre, ata vijnë përulshëm. A mos kanë sëmundje në zemrat e tyre apo dyshojnë? Apo kanë frikë se mos Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’u bëjnë padrejtësi?! Jo, por pikërisht ata janë të padrejtët. [Kuran 24: 48-50].
[Pasazh i marrë nga libri i IbnKajim el-Xheuzijes, “Medarixh el-Salikin”, (Dar el-Kutub el-Ilmijeh),f. 38.
Përkthyer nga Rezart Beka
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit