20.3 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Puigdemont: I zhgënjyer nga BE-ja, ndaj Turqisë zemërimi do të ishte mjaft i madh

Më të lexuarat

Presidenti i rajonit autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, kritikoi të mërkurën vonë ndaj qëndrimeve hipokrite të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian duke dhënë një shembull tronditës në lidhje me Turqinë…

Presidenti i rajonit autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, kritikoi të mërkurën vonë ndaj qëndrimeve hipokrite të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian duke dhënë një shembull tronditës në lidhje me Turqinë.

“Nëse do të bëhej fjalë për Turqinë, atëherë do të reagonit”, tha ai.

Carles Puigdemont vlerësoi për gazetën gjermane “Bild” krizën e Katalonjës, e cila arriti kulmin me referendumin e jashtëligjshëm për pavarësi të datës 1 tetor.

“Ajo çfarë më zhgënjen më tepër është arsyeja përse BE-ja nuk kritikon me një gjuhë të ashpër qëndrimin e policisë (spanjolle gjatë referendumit)? Janë shkelur/dhunuar të drejtat e liritë themelore të një populli evropian. Por nga BE-ja nuk ka asnjë reagim. Nëse të njëjtat incidente do të ishin regjistruar në Turqi, Poloni apo Hungari, atëherë zemërimi ndaj këtyre do të ishte mjaft i madh”, theksoi presidenti katalonas.

Puigdemont kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar: Mbreti injoroi miliona katalonas

Kurse në fjalimin e tij drejtuar popullit katalonas, transmetuar drejtpërsëdrejti në televizionin zyrtar të Katalonjës, “TV3”, Puigdemont akuzoi Mbretin Felipe VI të Spanjës “për injorimin e qëllimshëm të miliona katalonasve”.

“Edhe pse kushtetuta i njeh monarkisë rolin ndërmjetësues, ju nuk e bëtë këtë. Deklarata e Mbretit Felipe i bënte jehonë politikës së qeverisë së (Kryeministrit) Mariano Rajoy dhe kjo ishte zhgënjyese për popullin e Katalonjës. Ai qëllimisht ka injoruar me miliona katalonas, që nuk janë dakord me të”, u shpreh Carles Puigdemont.

Mbreti Felipe VI mbajti vetë një fjalim në televizion mbrëmjen e së martës duke e quajtur referendumin e të dielës si të paligjshëm dhe jo demokratik. Rreth 24 orë më vonë, lideri katalonas pretendoi se mbreti kishte hedhur poshtë rolin e ndërmjetësuesit, që i jep atij Kushtetuta e Spanjës.

“Me vendimin tuaj të djeshëm, ju humbët mbështetjen e shumë njerëzve në Katalonjë, që ju vlerësojnë dhe ju kanë ndihmuar në momentet e vështira të monarkisë. Njerëzit prisnin tone të tjera, një ftesë për dialog dhe marrëveshje”, shtoi Puigdemont mbrëmjen e së mërkurës duke përsëritur kërkesën e tij për ndërmjetësim ndërkombëtar në lidhje me zgjidhjen e krizës katalonase.

Nga ana tjetër, një grup kundërshtar i nismave për pavarësi dhe mbrojtës i unitetit të Spanjës manifestoi përpara zyrave të Prefekturës, organi shtetëror më i lartë përfaqësues i Madridit zyrtar në Katalonjë. Gjatë këtij manifestimi të gjatë rreth 1 orë, ku pjesëmarrësit valëvitën flamurin dhe kënduan himnin spanjoll, u hodhën slogane në favor të unitetit dhe sovranitetit kombëtar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit