Ndalohet djegia e barit të varrezave
Një dukuri e shëmtuar që po përsëritet çdo vit pas të korrave nuk është duke kursyer as varrezat. Fjala është për djegien e arave, gjegjësisht të mbeturave nga korrjet. Përveç që dëmton rëndë shëndetin tonë nëpërmjet ndotjes së ajrit, djegia shkakton edhe mbytjen e insekteve gjë kjo që ndalohet fetarisht. Po kështu, djegia nuk po kursen as varrezat. Sonte(06.10.2023), duke u kthyer në shtëpi, në një prej fshatrave tona, në Vushtrri, pashë se si zjarri kishte përfshirë edhe varrezat. Pra, një dëm shtesë karshi ndotjes së ajrit dhe mbytjes së insekteve. Fetarisht, çdo gjë që e dëmton të gjallin, konsiderohet dëmtim edhe për të vdekurin. Për këtë shkak nuk lejohet sharja e të vdekurve dhe as shkelja e varreve të tyre. Së këndejmi, nuk lejohet as djegia e barit, sepse konsiderohet mungesë respekti ndaj të vdekurit
[Shih fetvanë nr. 74968 të publikuar në www.islamweb.net, 5-6-2006].
Konsideroj se na duhet një fushatë vetëdijesimi karshi këtij fenomeni, i cili deri nesër mund të djeg edhe shumë shtëpi e të merr jetë të gjallësh.
Hoxhë Sedat Islami