10.5 C
Pristina
Friday, May 10, 2024


Plani i Rritjes: kushtet e BE-së për gjashtë miliard eurot në Ballkan

Më të lexuarat

Dokumenti ku i mëshohet fort Kosovës dhe Serbisë

Respektimi i mekanizmave demokratikë, përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, do të jenë parakushte për marrjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, parashikon qëndrimi i përbashkët i vendeve anëtare të BE-së.

Pozicioni i përbashkët, i miratuar në Bruksel në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për Serbinë dhe Kosovën gjithashtu përcakton si parakusht “angazhimin konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve” që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj nga Ohri, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialogun e Brukselit.

Gjithashtu, parakusht për Serbinë dhe Kosovën është fillimi i negociatave për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Normalizimin e Marrëdhënieve, thuhet në dokumentin e publikuar nga Këshilli i BE-së.

Teksti thekson gjithashtu rëndësinë e harmonizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, transmeton agjencia Beta.

“Planet e reformës, të cilat do të dorëzohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të përmbajnë një shpjegim se si do të kontribuojnë në harmonizimin progresiv dhe të vazhdueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së”, thuhet në tekst.

“Mandati për negociata”

Një parakusht për marrjen e fondeve është që vendet e Ballkanit Perëndimor “të respektojnë mekanizmat demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, sundimin e ligjit, duke përfshirë një gjyqësor të pavarur dhe funksional, si dhe të drejtat themelore, duke përfshirë lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe garantimi i respektimit të të gjitha detyrimeve në lidhje me të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave”, thuhet.

Komisioni Evropian, së bashku me Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) aty ku është e nevojshme, monitoron përmbushjen e parakushteve të deklaruara përpara se fondet t’u dërgohen përfituesve dhe gjatë periudhës së mbështetjes, duke marrë parasysh kornizën e politikës së zgjerimit. Komisioni e informon Këshillin e BE-së për plotësimin e parakushteve para dërgimit të mjeteve, thuhet në tekst.

Kur Komisioni konstaton se një parakusht nuk është plotësuar ose nuk plotësohet më, i paraqet Këshillit një propozim për vendim ekzekutiv për pezullimin e pagesave. Kur, me kërkesë të përdoruesit ose me iniciativën e tij, Komisioni arrin në përfundimin se ky parakusht është plotësuar sërish, ai i paraqet Këshillit një propozim për një vendim ekzekutiv për heqjen e pezullimit. Në rastet e parashikuara në këtë paragraf, Këshilli, si rregull, vendos brenda një muaji nga marrja e propozimit të Komisionit.

Pozicioni i përbashkët përfaqëson një “mandat për negociata” me Parlamentin Evropian, miratimi i të cilit kërkohet që Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Komisioni Evropian në nëntor, të bëhet funksional.

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor

Më 8 nëntor 2023, Komisioni Evropian miratoi dhe prezantoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Paketën vjetore të Zgjerimit.

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante të pakthyeshme dhe katër miliardë janë kredi të buta të dhëna nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi i Planit është të stimulojë rritjen ekonomike të rajonit dhe të përshpejtojë afrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, që përfshin një ritëm më të shpejtë të reformave në rrugën drejt Unionit.

Plani mbulon periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe parashikon që çdo qeveri e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të marrë një shumë të caktuar parash çdo gjashtë muaj, në varësi të reformave që ka zbatuar gjatë asaj periudhe. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit