26.9 C
Pristina
Friday, July 1, 2022

OKB: Mbi 50 milionë njerëz aktualisht të prekur nga konfliktet në mjedis urban

Më të lexuarat

Më shumë se 50 milionë njerëz aktualisht janë duke u prekur nga luftimet brenda qyteteve në mbarë botën, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në hapjen e një debati të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se si të mbrohen civilët e kapur në konfliktin urban, Guterres tha se kur armët shpërthyese përdoren në zonat e populluara, 90 për qind e të vrarëve nuk luajnë asnjë rol në nxitjen e dhunës.

“Civilët mund të pësojnë dëme shkatërruese si në pasojat e menjëhershme ashtu edhe në afat të gjatë”, tha ai, duke shtuar se shumë viktimat përballen me paaftësi të përjetshme dhe trauma të rënda psikologjike.

Guterres vuri në dukje një numër të madh të shkollave dhe objekteve të kujdesit shëndetësor të dëmtuara gjatë luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza vitin e kaluar, gjatë të cilave ai tha se rreth 800 mijë njerëz mbetën pa qasje në ujë me tubacione.

Në Afganistan, tha ai, një sulm shpërthyes jashtë një shkolle të mesme në Kabul majin e kaluar vrau 90 nxënës, kryesisht vajza dhe la 240 të tjerë të plagosur.

“Përtej dhimbjes dhe vuajtjes së menjëhershme, efektet indirekte të dëmtimit të shkollave variojnë nga ndërprerja e arsimit deri tek rritja e gjasave të martesës së hershme dhe rekrutimit në grupe të armatosura”, shtoi ai.

“Lufta urbane detyron miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, duke kontribuar në numrin rekord të refugjatëve dhe njerëzve të zhvendosur brenda vendit”, tha Guterres.

Ai tha se “përgjegjësia për shkelje të rënda është thelbësore” dhe u kërkoi vendeve anëtare të demonstrojnë vullnetin politik për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e dyshuara të luftës në masën maksimale.

“Ne ua detyrojmë këtë viktimave dhe të dashurve të tyre dhe është thelbësore të shërbejmë si një pengesë e fuqishme”, shtoi ai. /aa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit