15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Një vështrim rreth kalendarit islam

Më të lexuarat

Pyetja:

Një vështrim rreth kalendarit islam

***

Përgjigja:

Koha është krijim i Allahut. Allahu i madhëruar kur krijoi diellin dhe hënën dhe caktoi lëvizjet e tyre u bë e mundshme ndarja dhe llogaritja e kohës siç thotë në Kuran:

“(Allahu) është ai i cili e bëri diellin ndriçim, hënën dritë dhe i përcaktoi asaj (hënës) rrathët që të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.”
(Junus: 5)

Dhe thotë gjithashtu: “Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj dhe të dini të numëroni vitet dhe të bëni llogaritjen e tyre.”
(El-Isra: 12)

Llogaritja e kohës është me rëndësi të madhe se me të janë lidhur ngushtë çdo gjë e jetës së njeriut: kohet e namazit, koha e agjërimit, koha e dhënies së zeqatit, koha e haxhit, po ashtu edhe koha e punës, koha e ngrënies, koha e qetësimit, ditët e netët e begata, muajt e shenjtë,  festat etj.

Koha sipas librit të Allahut ndahet në: ditë, javë, muaj dhe vite.

 

1- Ditët

Me krijimin e diellit u formua dita dhe u nda nga nata në mënyrë që të përhapet jeta ne tokë dhe kjo është një prej mrekullive të Allahut siç thotë Allahu në Kuran në ajetin e lartpërmendur:

Ne e bëmë natën dhe ditën mrekulli. E shuam (e bëmë të errët) mrekullinë e natës dhe e ndriçuam mrekullinë e ditës në mënyrë që të kërkoni prej mirësive të Zotit tuaj.” (El-Isra: 12)

Ne e bëmë natën petk (për tu prehur nën mbulesën e saj) dhe ditën për të siguruar jetesën.” (En-Nebe: 10-11)

Pra, ditën për të punuar dhe siguruar jetesën dhe kjo me prezencën e diellit kurse natën për tu qetësuar dhe prehur dhe kjo me perëndimin e diellit dhe kalimin në errësirën e natës.

Nata me ditën të dyja së bashku përbëjnë një cikël të plotë që njihet me emrin ditë ose një cikël  24-orësh siç e quajmë ne sot.

Allahu në kuran në shumë ajete kur përmend krijimin e natës dhe të ditës përmend të parën natën: “Është Ai i cili krijoi natën, ditën, diellin dhe hënën. Që të gjitha ecin në një trajektore.” (El-Enbija, 33)

Kjo do të thotë se nata i paraprin ditës në kalendarin islam p.sh.: kur mbaron dita e fundit e Ramazanit dhe hyn nata dhe njerëzit presin te nesërmen për të festuar thonë: është natë bajrami. Kjo gjë thuhet për shkak se nata i paraprinë ditës.

Nata fillon me perëndimin e diellit dhe mbaron me lindjen e agimit kurse dita fillon me lindjen e agimit dhe mbaron me perëndimin e diellit.

Allahu i madhëruar thotë në Kuran ne lidhje me agjërimin: “Hani e pini derisa te dallohet filli i bardhe nga filli i zi pastaj plotësojeni agjërimin deri në hyrjen e natës” (Bekare, 186)

Ky ajet tregon kufijtë e ditës dhe të natës:

1- Dallimi i fillit te bardhe nga i ziu është për qëllim dallimi bardhësisë se ditës nga e zeza e natës dhe ky është agimi sipas një hadithi te transmetuar nga Adij bin Hatim dhe duke qenë se agjërimi  nuk bëhet veçse ditën atëherë  agimi është pjese e ditës. Këtë gjë e vërteton edhe një ajet tjetër ku Allahu thotë: “Fale namazin në dy skajet e ditës dhe atë që vjen gjatë natës(Hud, 11)

Thotë imam Taberiu: ka ixhma mes dijetarëve se namazi i skajit te parë është namazi i sabahut. Pra agimi është skaji i parë i ditës i cili shënon gjithashtu edhe hyrjen e namazit të sabahut dhe fillimin e agjërimit.

2- Hyrja e natës është për qëllim perëndimi i diellit i cili shoqërohet me fillimin e errësirës siç thotë Profeti ﷺ në një hadith tjetër: “Kur të perëndojë dielli nga këtu duke bërë  me shenje nga perëndimi dhe te fillojë nata nga këtu duke bërë me shenjë nga lindja ka çelur agjëruesi”. Pra perëndimi i diellit është skaji i dytë i ditës i cili shënon gjithashtu hyrjen e natës.

Nga këtu kuptojmë ndryshimin mes ditës ne sheriatin islam dhe ditës ne kalendarin astronomik.

Ndryshimi i parë: Ne sheriatin islam e gjithë nata i paraprin ditës dhe se bashku me ditën ne vijim përbejnë një cikël të plotë pra një ditë 24 orëshe. Kurse ne kalendarin astronomik nata e një dite 24 oreshe ndahet ne dy pjese: pjesa e pare nga perëndimi i diellit deri ne 12 te natës, pjesa e dytë nga 12 e natës deri ne lindje, ku pjesa e pare i përket ditës përpara dhe pjesa e dytë i përket ditës ne vijim.

Ndryshimi i dytë: Pjesa e agimit deri ne lindje ne kalendarin tone është pjese e ditës kurse ne kalendarin astronomik është pjese e natës.

 

Kohët e adhurimit.

Adhurimet e një ditë që kanë lidhje me kohën janë namazi dhe agjërimi, secila prej tyre ka një kohë të caktuar që nuk mund të kryhet veçse në të.

Namazet janë pesë: Sabahu, Dreka, Ikindia, Akshami dhe Jacia. Kohët e tyre janë të përcaktuara nga Allahu siç thotë ai vetë në Kuran: “Namazi është për besimtarët është detyrë në kohën e caktuar”. (Nisa, 103)

Këto kohë të caktuara janë intervale kohore me fillim e me mbarim, ku çdo namaz gjatë kryerjes së tij nuk e merr gjithë intervalin tij kohor prandaj dhe quhet detyrë me kohë të zgjeruar dhe mund të kryhet ose në fillim, ose në mes, ose në fund të çdo intervalit përkatës.

Kjo gjë është mirësi prej Allahut të madhëruar se namazi nga mënyra e kryerjes nuk mund të kryhet pa shkëputje nga puna dhe duke qenë se njeriu në këtë botë mund të preokupohet edhe me gjëra të tjera prandaj dhe detyra e kryerjes së tij është bërë me interval kohor të gjerë.

Sabahu: nga lindja e agimit deri në lindje të diellit siç thotë profeti alehi selam: “Koha e sabahut, përderisa nuk ka lindur dielli.” [1]

Yleja (Dreka): kur dielli kalon zenitin deri kur hija e një objekti është sa gjatësia e tij siç thotë profeti alejhi selam: “Koha e drekës është kur dielli kalon zenitin deri kur hija e një burri të jetë sa gjatësia e tij.” [2]

Dielli kur lind hija e çdo objekti është nga perëndimi dhe kjo hije vjen duke u zvogëluar deri ne zenit dhe pas zenitit dielli drejtohet nga perëndimi dhe hija kalon nga lindja. Pikërisht ky moment është fillimi i drekës dhe vazhdon deri sa gjatësia e hijes së një objekti që tashmë ka kaluar nga lindja të jetë sa gjatësia e objektit.

Ikindia (Pasditja): kur hija e objektit është sa gjatësia e tij deri në perëndim të diellit.

Thotë profeti alejhi selam: “Koha e ikindisë, përderisa nuk është zverdhur dielli”. E transmeton Muslimi. Gjithashtu profeti alejhi selam ka thënë: “Kush kap një rekat nga ikindia para se të perëndojë dielli, e ka kapur namazin.” [3]

Akshami: kur perëndon dielli deri në zhdukjen e shenjave të kuqe që lë dielli pas perëndimit.

Siç është transmetuar nga profeti alejhi selam: “Koha e akshamit përderisa nuk është zhdukur El-Shefek”. [4]
Thotë Ibn Omeri: “El-Shefek është e kuqja (e perëndimit).”

Jacia (Darka): nga zhdukja e shenjave të kuqe deri në mesin e natës siç thotë profeti alejhi selam: “Koha e jacisë deri në gjysmën e natës.” [5]

Mesi i natës llogaritet duke parë intervalin kohor nga perëndimi i diellit deri në hyrjen e namazit të sabahut i cili përkon me lindjen e agimit. Gjysma e këtij intervali kohor është mesi i natës dhe ndryshon sipas stinëve të vitit.

Agjërimi është një lloj tjetër adhurimi që ka lidhje me kohën dhe ka fillimin dhe mbarimin e tij, fillon kur shfaqet agimi që është dhe hyrja e namazit të sabahut dhe mbaron kur perëndon dielli që është dhe hyrja e namazit të akshamit, por në ndryshim nga namazi që është detyrë e zgjeruar ai është detyrë e ngushtuar sepse agjërimi e merr gjithë kohën e caktuar për kryerjen e tij. Agjërimi edhe pse është detyrë e ngushtuar, mirësia e Allahut nuk mungon as këtu, se nga mënyra se si kryhet nuk kërkon shkëputje nga punët e tjera të ditës dhe e bën atë të lehtë për besimtarin.

Kohët e ndaluara për adhurim gjatë ditës.

Gjatë ditës ka tre kohë ku është ndaluar të falurit namaz dhe varrimi i të vdekurve siç transmetohet nga Ukbe bin Amir se ka thënë: Në tre kohë, na ka pas ndaluar profeti alejhi selam të falemi dhe të varrosim të vdekurit tanë: kur lind dielli derisa të ngrihet në horizont, kur të jetë dielli në zenit (mesi i ditës) derisa të anojë (nga perëndimi) dhe kur dielli është duke perënduar.” [6]

Shkaku i ndalimit në kohën e lindjes dhe të perëndimit është se dielli lind e perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në atë kohë qafirët i bëjnë sexhde diellit ndërsa për kohën e zenitit shkaku i ndalimit është ndezja e zjarrit të xhehenemit siç transmetohet nga Amr bin Abese se e ka pyetur profetin alejhi selam për namazin dhe i ka thënë: “Fal namazin e sabahut dhe pastaj lëre faljen deri sa të lind dielli dhe të ngrihet se ai del del mes dy brirëve të shejtanit dhe në atë kohë i bëjnë sexhde atij (diellit) qafirët, pastaj falu se namazi është i prezantuar (nga melaiket) derisa të ikë hija e shtizës, pastaj lëre namazin se në atë kohë ndizet zjarri i xhehenemit, pastaj kur të dalë hija falu se namazi është i prezantuar (nga melaiket) deri sa të falësh ikindinë pastaj lëre namazin derisa të perëndojë dielli sepse perëndon mes brirëve të shejtanit dhe në atë kohë i bëjnë sexhde atij qafirët.” [7]

Pra, sipas këtyre haditheve namazi është i ndaluar para lidjes së diellit dhe para perëndimit të tij por ama është kohë e bereqetshme për përkujtimin e Allahut siç thotë Allahu në Kuran: “Përkujtoje emrin e zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje.El-Insan: 25 Prandaj dhe profeti alejhi selam e përkujtonte Allahun në këto dy kohë me dhikër të posaçëm.

Gjatë natës ka një orë të bereqetshme për lutje dhe namaz dhe që është një e treta e fundit e natës siç transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka thënë: “Zbret zoti ynë çdo natë në qiellin e dynjasë kur është një e treta e fundit e natës dhe thotë: Kush më lutet, ti përgjigjem? Kush më kërkon diçka, ti jap? Kush më kërkon falje, ta fal?” [8]

 

Kohët e punës

Dita në përgjithësi është krijuar për të punuar -siç u përmend më lart- por gjatë ditës koha më e mirë për punë është mëngjesi i hershëm se profeti alejhi selam është lutur për bereqet në këtë kohë siç transmetohet nga Sakhr El-Gamidi se profeti alejhi selam ka thënë: [“O Allah jepi bereqet ymetit tim në mëngjesin e hershëm.” Profeti alejhi selam kur niste ndonjë çetë apo ushtri (për luftë) e niste në fillim të ditës. Sakhr ishte tregtar dhe e niste tregtinë në fillim të ditës dhe u pasurua duke iu shtuar pasuria.] [9]

 

Kohët e qetësimit dhe të gjumit.

Gjatë ditës koha më e mirë për të pushuar dhe qetësuar është mesi i ditës. Thotë profeti alejhi selam: “Flini në drekë se shejtanët nuk flenë.” E transmeton Ebu Nuajm dhe e saktëson shejh Albani.

Ndërsa nata e gjitha është bërë për qetësim -siç u tha më lart- me përjashtim të kohës para se të falet namazi i jacisë dhe koha më e mirë për të fjetur gjatë saj është menjëherë pas jacisë, siç është transmetuar nga Ebu Berze El-Eslemij se profeti alejhi selam: “E urrente gjumin para jacie dhe bisedat pas saj.” [10]

 

Kohët e ushqimit

Paraditja dhe pasditja është koha ngrënies së ushqimit bile në hadithe nuk përmenden më shumë se dy vakte ngrënie çka do të thotë se në kohën e profeti alejhi selam nuk hanin më shumë se dy herë në ditë: një herë paradite në kohën e Duhasë dhe një herë pasdite afër akshamit.

Transmetohet nga Aisha radiallahu anha se ka thënë: “Profeti alejhi selam vinte dhe na pyeste: Keni ndonjë gjë për El-Gada (vakti i paradites)? Ne, nëse i thoshim po, hante.
Nëse i thoshim jo, thoshte: unë po agjëroj.”

Transmetohet nga Enesi radiallahu anhu se profeti alejhi selam ka thënë: “Nëse vjen El-Asha (ushqimi i pasdites) dhe bëhet ikameti për namaz, filloni me ushqimin.” [11]

Namazi i për mëndur në këtë hadith është namazi i akshamit

Këto dy vakte i ka përmendur së bashku Aisha radiallahu anha në një hadith tjetër ku thotë: “I shtrydhja lëng profetit alejhi selam në mëngjes dhe kur vinte pasditja e pinte për El-Asha (vakti i pasdites) dhe nëse tepronte gjë e derdhja. Pastaj i shtrydhja lëng natën dhe kur vinte mëngjesi e pinte për El-Gada (vakti i paradites). E laja enën dy herë në ditë”. [12]

2- Java.

Allahu i madhëruar pas krijimit të ditëve i grupoi ato në javë ku një javë ka shtatë ditë. Caktimi i këtij numri ka lidhje me krijimin e qiejve dhe të tokës i cili u bë në gjashtë ditë dhe ditën shtatë Allahu u lartësua mbi arsh, siç thuhet në kuran: “Zoti juaj është Allahu i cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë pastaj u lartësua mbi arsh.Junus: 3

Këto gjashtë ditë, katër prej tyre janë të krijimit të tokës dhe dy janë të krijimit të qiejve siç thotë Allahu i madhëruar: “Thuaju: ju po mohoni atë që ka krijuar tokën në dy ditë dhe po i bëni atij ortakë. Jo, ai është zoti i botëve. Ai bëri në të (tokë) male të palëkundshme nga ana sipërme e saj dhe derdhi mbi të bereqetin e tij dhe caktoi riskun e saj në katër ditë (katër ditë bashkë me dy ditët që u përmendën më lart). Shpjegim për këdo që pyet.  Pastaj iu drejtua qiellit i cili ishte tym dhe u tha atij dhe tokës: hajdeni me dëshirë ose detyrim! Ata i thanë: po vijmë me dëshirë. Ai i ndau ata në shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i dha detyrën e tij dhe e zbukuruam qiellin e dynjasë me drita dhe për ta ruajtur. Ky është krijimi i plotfuqishmit të dijshëm.” Fussilet: 9-11

Ibn Tejmije: “Koha ndahet në: ditë, javë, muaj dhe vit. Për sa i përket ditës ajo dallohet me anë të shikimit, po kështu edhe muaji edhe viti me anë të numërimit në kalendarin hënor dhe me anë të shikimit në kalendarin diellor. Ndërsa për sa i përket javës nuk mund ti vihet ndonjë kufi as me anë të shqisave dhe as logjikës por kjo është njohur nga lajmet e profetëve se Allahu e ka krijuar botën në gjashtë ditë pastaj u lartësua mbi arsh, prandaj dhe Allahu i ka bërë çdo ymeti një ditë ku të mblidhen për të adhuruar Allahun një dhe të jetë kjo gjë shkak për regjistrimin e javës.”

Tani lind pyetja se cila është dita e parë e javës?

Përgjigjja e kësaj pyetje ka lidhje me fillimin dhe mbarimin e krijimit. Ka dy mendime mes dijetarëve ne lidhje me këtë çështje:

Mendimi i parë: Dita e parë e krijimit është dita e diel.

Ky mendim është mendimi i shumicës së dijetarëve mes tyre Imam Taberiut dhe e ka përkrahur imam Islam Ibn Tejmije dhe mbështetet në disa fjalë të selefeve si Abdullah bin Selam, Abdullah bin Abas, Muxhahid etj. Le të përmendim mes tyre thënien e Abdullah bin Selam.

Thotë Abdullah bin Selam: “Allahu i madhëruar e filloi krijimin dhe e krijoi tokën në ditën e diel dhe të hënë”. [13]

Mendimi i dytë: Dita e parë e krijimit është dita e shtune.

Ky mendim është i Muhamed ibn Is’hakut dijetarit të madh të historisë profetike dhe e ka përkrahur Imam Es-Suhejli dhe imam En-Neveviu siç duket në kapitujt ndarës që i ka bërë Sahih Muslimit dhe mbështetet  në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra.

Thotë Ebu Hurejra: Më mori profeti alejhi selam për dore dhe më tha: “E ka krijuar Allahu dheun ditën e shtune, i ka krijuar në të malet ditën e diel, i ka krijuar në të pemët ditën e hënë, e ka krijuar të keqen ditën e martë, e ka krijuar dritën ditën e mërkure, i ka shpërndarë në të kafshët ditën e enjte dhe e ka krijuar Ademin pas ikindisë ditën e xhuma në fund të krijimit, në orët e fundit të ditës së xhuma mes ikindisë dhe akshamit.
[14]

Këtë hadith e kanë refuzuar dijetarët e mendimit të parë edhe pse e transmeton Muslimi për disa arsye:

1- E shpërndanë krijimin në shtatë ditë duke i përshirë të gjitha ditët e javës ndërkohë që Kurani e shpërndanë atë në gjashtë ditë.

2- Nuk përmend krijimin e qiejve.

3- Ky hadith në një prej rrugëve të tij të transmetimit nuk thuhet: nga Ebu Hurejra nga profeti alejhi selam por thuhet: nga Ebu Hurejra nga Ka’ab El-Ehbar (një ish dijetar çifut që kishte pranuar islamin) të cilin shpesh herë e pyeste Ebu Hurejra për lajme të përmendura në Teurat gjë që e bën hadithin të mos jetë i profetit alejhi selam por i Kabit –Allahu e mëshiroftë-.

4- Kundërshton kuptimin e ditëve në gjuhen arabe:

Ditët e javës në arabisht dhe kuptimi i tyre                        

E Diel                       El-Ehad             (e para)

E Hënë                     El-Ithnein        (edyta)                                                              

E Martë                    Eth-Thulatha      (e treta)

E Mërkurë                El-Erbia’a              (e katërta)

E Enjte                     El-Khamis             (e pesta)

E Xhuma (E Premte)    El-Xhumuah         (bashkimi)

E Shtune                    Es-Sebt                 (ndërprerja)

Pra siç shihet nga kuptimet e emrave nga dita e diel deri në ditën e enjte, kanë kuptime numrash dhe në rast se do të ishte dita e shtune dita e parë, nuk do të ishte dita e diel “El-Ehad” që do të thotë “E para” me këtë emër.

 

Dita e xhuma, festa e javës.

Dita më e mirë e javës është dita e xhuma. I Dërguari i Allahut [ﷺ] ka thënë: “Dita më e mirë që ka lindur në të dielli është dita e xhuma: në të është krijuar Ademi, në të është futur në xhenet, në të ka dal prej tij dhe nuk ka për tu bërë kiameti veçse ditën e xhuma.” [15]

Dita e xhuma është gjithashtu edhe festë siç ka ardhur në shumë hadithe:

Thotë profeti alejhi selam: “Kjo ditë (e xhuma) është festë që e ka bërë Allahu për myslimanët. Kush vjen për në xhuma le të lahet, nëse ka parfum le të hedhë prej tij dhe le të përdorë misvakun”. [16]

Transmetohet nga Ibn Abasi, Ebu Hurejra dhe Ibn Omeri se janë bashkuar në kohën e profetit alejhi selam dy festa dhe profeti alejhi selam ka thënë: “Janë bashkuar sot dy festa: festa e sotshme dhe xhumaja. Ne do ta falim xhumanë dhe kush do ta falë atë le të falet dhe kush nuk do, le të largohet”. [17]

Transmetohet se një çifut i ka thënë Umer bin El-Hattab: O prijësi i besimtarëve, një ajet në librin tuaj dhe qe e lexoni sikur të na kishte zbritur ne çifutëve, do ta kishim marrë atë ditë festë. Umri i thotë: cili ajet? Ai i thotë: Sot e përsosa  për ju fenë tuaj dhe e plotësova mbi ju mirësinë time dhe zgjodha islamin fe per ju. Umri i thotë: E di ditën dhe vendin ku i ka zbritur profetit alejhi selam. I ka zbritur në Arafat dhe ka qenë ditë e xhuma (dhe që të dyja janë për ne festa)”. [18]

Për këtë ditë na kanë zili edhe ymetet e tjera para nesh siç thotë profeti alejhi selam: “Ata nuk na kanë zili për ndonjë gjë më shumë sesa për xhumanë në të cilën Allahu na udhëzoi  ndërsa ata e humbën, për kiblen për të cilën na udhëzoi Allahu, ndërsa ata e humbën dhe për fjalën Amin pas imamit”. [19]

Në ditën e xhuma është edhe një orë ku Allahu i përgjigjet duasë dhe është ora e fundit e ditës pas namazit të ikindisë siç thotë profeti alejhi selam: “Dita e xhuma është dymbëdhjetë orë. Prej tyre është një orë që kushdo që i lutet Allahut për diçka, ia jep atë. Kërkojeni atë në orën e fundit pas ikindisë.” [20]

 

Ditë të tjera me vlerë.

Ndër ditët e javës ka edhe dy ditë të tjera që janë me vlerë: dita e hënë dhe dita e enjte se në to shfaqen punët e njerëzve para Allahut dhe profeti alejhi selam u kushtonte rëndësi të veçantë këtyre dy ditëve duke i agjëruar.

Thotë profeti alejhi selam: “Punët shfaqen ditën e hënë dhe të enjte dhe unë dua që kur të shfaqet puna ime të jem me agjërim”. [21]

Ditën e hënë dhe të enjte hapen edhe dyert e xhenetit siç thotë profeti alejhi selam: “Hapen dyert e xhenetit ditën e hënë dhe të enjte dhe i falen gjynahet çdo robi mysliman që nuk i bën gjë shok Allahut me përjashtim të një njeriu që i mban mëri vëllait të tij dhe u thuhet: Vonojeni (faljen e gjynaheve për) këta të dy derisa të ndreqen me njëri tjetrin”. [22]

Gjithashtu kohë e bereqetshme mendohet të jetë edhe pjesa mes namazit të drekës dhe ikindisë në ditën e mërkurë sipas një hadithi të transmetuar nga Xhabir bin Abdilah ku thotë: “Ka bërë dua profeti alejhi selam në këtë xhami, xhaminë El-Fet’h (një prej shtatë xhamive që ishin në kohën e profetit alejhi selam në Medine) ditën e hënë, ditën e martë dhe ditën e mërkurë dhe i është përgjigjur Allahu atij mes dy namazeve ditën e mërkurë. Thotë Xhabiri: sa herë që më ndodhte diçka e rëndësishme e rezervoja për atë kohë dhe i jam lutur Allahut mes namazeve ditën e mërkurë në të njëjtën orë dhe më është përgjigjur.” [23]

 

Ditë të ndaluara për agjërim.

Ndalohet veçimi i ditës së xhuma për agjërim siç transmetohet nga Ebu Hurejra se profeti alejhi selam ka thënë: “Të mos agjërojë njeri ditën xhuma veçse nëse agjëron një ditë para sajë ose një ditë pas sajë”. [24]

Shkaku i ndalimit të agjërimit në këtë ditë është se dita xhuma është festë siç transmetohet nga Kajs bin Seken se disa shokë të Abdullah bin Mesudit kalojnë nga Ebu Dher El-Gifari një ditë xhumaje dhe ishin me agjërim. Ai u thotë: Ju betohem në Allahun që ta çelni se kjo është ditë feste.

Gjithashtu ditë e ndaluar për agjërim mendohet të jetë edhe dita e shtunë siç transmetohet nga Es-Sama bint Busr se profeti alejhi selam ka thënë: “Mos e agjëroni ditën e shtune veçse kur është detyrë”. [25]

Thashë mendohet të jetë ditë e ndaluar për agjërim se disa dijetarë e kundërshtojnë këtë mendim duke e konsideruar si gjykim të anuluar në islam siç thotë transmetuesi i tij Ebu Davudi.

Përgatiti: hoxhë Dr. Abdullah Nabolli


[1] Muslimi
[2] Muslimi
[3] Muslimi
[4] Muslimi
[5] Muslimi
[6] Muslimi
[7] Muslimi
[8] Buhariu dhe Muslimi
[9] Ebu Davudi
[10] Mutefekun alejhi
[11] Muslimi
[12] Ebu Davudi
[13] Taberiu
[14] Muslimi
[15] Muslimi
[16] Ibn Maxhe
[17] Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe
[18] Buhariu përveç pjesës në kllapa e cila është te Taberani
[19] Ahmedi
[20] Ebu Davudi
[21] Tirmidhiu
[22] Muslimi
[23] Ahmedi, Buhariu në “El Edebul Mufred”
[24] Buhariu dhe Muslimi
[25] Ebu Davudi dhe Tirmidhiu
[26]
[27]
[28]
[29]
[30]

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit