Shkruar ngaAdnan Qaka
Shoh se në rrjetet sociale është prerë dhe manipuluar një video e një hoxhe dhe veterani të UÇK-së, të nderuarit nga Gjakova, Hoxhë Enver Xhiha . Videoja e tij është nxjerrë jashtë kontekstit dhe është prerë në mënyrë të qëllimshme, ndërsa kjo është videoja e plotë e ligjëratës së tij. Pikërisht një veprim i tillë ishte bërë edhe më herët me ligjëratën e hoxhës Mazllam Mazllami për çështjen e flamurit, rast në të cilin pata reaguar publikisht duke paraqitur videon e plotë. Edhe pse nuk pajtohem me qasjen e hoxhës Mazllam Mazllami në disa ligjërata të tij dhe me disa interpretime fetare që ai ka dhënë, ligjërata e tij për flamurin ishte prerë dhe manipuluar, prandaj e konsiderova obligim moral dhe intelektual të reagoj. Për mua, detyra ime është të anoj gjithmonë nga e vërteta dhe nuk dua t’i hyj në hak askujt, as ta lë të sulmohet padrejtësisht dikush, edhe nëse me të kam mospajtime fetare, politike apo ideologjike, sikurse ishte rasti me hoxhën Mazllam Mazllami. Sa i përket këtij rasti me hoxhën e nderuar nga Gjakova, të cilin nuk e njoh personalisht dhe me të cilin nuk kam pasur kurrë ndonjë bisedë private, por vetëm kam dëgjuar disa nga ligjëratat e tij në rrjetet sociale, sidomos në Facebook, shihet qartë se ligjëratat e tij janë konform Islamit tradicional dhe nuk bien ndesh me frymën tonë kombëtare dhe fetare. Personalisht, në media dhe në shkrimet e mia kam mbrojtur vazhdimisht kontributin historik të hoxhallarëve shqiptarë, por njëkohësisht kam qenë dhe mbetem kritik ndaj një numri të madh të hoxhallarëve për interpretimin e gabuar të Islamit. Kjo kritikë nuk ka qenë vetëm ndaj atyre që kanë pasur qasje radikale, por edhe ndaj shumë të tjerëve që nuk kanë qasje radikale, por megjithatë kanë interpretime jo adekuate të Islamit, duke e shndërruar Islamin në një fe jo progresive, duke qenë vetëm transmetues të një Islami që merret me çështje periferike dhe dytësore, e jo me çështjet madhore që lidhen me përparimin shpirtëror, intelektual, kombëtar dhe shoqëror. Fatkeqësisht, një numër i madh i hoxhallarëve në Kosovë dhe në përgjithësi në të gjitha trevat islame promovojnë një Islam jo progresiv, në kundërshtim me atë që na mëson Kurani Famëlartë dhe vetë Islami. Po ashtu, fatkeqësisht, një numër i madh i hoxhallarëve në Kosovë, në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë nuk e interpretojnë Islamin ashtu siç na mëson Kurani, por merren me gjëra sekondare, me interesa personale dhe nuk kanë një qasje progresive e përparimtare që do të sillte një rizgjim të vërtetë fetar dhe kombëtar. Sot, shumica e hoxhallarëve në Kosovë, në hapësirën shqiptare dhe në diasporë janë përfitues, servilë dhe injorantë, ndërsa edhe ata që kanë dije, në shumë raste bartin një dije të gabuar, e cila nuk fton në progres, në fuqizim kombëtar e fetar dhe në përparim njerëzor. Po të ishte e kundërta, pse gjendja e besimtarëve myslimanë sot është kaq e mjerueshme pothuajse në çdo sferë të jetës? Hoxhallarët sot, në përgjithësi, janë njerëz që i çmojnë ata që kanë pushtet dhe pasuri, ndërsa preferojnë besimtarë injorantë; i largojnë ata që janë të sinqertë dhe të ditur, nuk e çmojnë dijen, nuk i afrojnë ata që vërtet mund të jenë të dobishëm për shoqërinë dhe për kombin, ndërsa diskutojnë për tema që shumë pak ndikojnë në përparimin kombëtar, në fuqizimin e identitetit dhe personalitetit të besimtarëve dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Siç e kam theksuar edhe më parë, e vlerësoj kontributin e madh që hoxhallarët kanë dhënë gjatë historisë, sidomos gjatë luftës së fundit, por nga paslufta e deri më sot mbaj përgjegjës një pjesë të madhe të tyre për ngecjen e popullatës në aspektin e ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe fetare, si dhe për nivelin e përgjithshëm të besimtarëve, sepse kanë mungesë të prioriteteve të duhura për ngritjen e popullit në çdo sferë. Një pjesë e shtresës së hoxhallarëve sot mban përgjegjësi edhe për rritjen e islamofobisë, jo vetëm për shkak të ligjëratave shumë të gabuara që janë mbajtur në të kaluarën dhe që vazhdojnë të mbahen nga disa edhe sot, por edhe për shkak të nivelit të dobët intelektual dhe të paaftësisë për t’iu kundërvënë me argumente rritjes së madhe të islamofobisë. Bashkësia Islame e Kosovës mban po ashtu përgjegjësi, sepse nuk ka krijuar dhe nuk ka afruar kuadro besimtarësh të përgatitur intelektualisht, të cilët do t’i kundërpërgjigjeshin me argumente fushatës së denigrimit të Islamit në Kosovë dhe kësaj klime të theksuar islamofobe që po mbretëron në vend. Mirëpo, pavarësisht të gjitha këtyre kritikave që i kam shprehur vazhdimisht dhe që vazhdoj t’i mbroj publikisht, është tejet e ulët, e padrejtë dhe moralisht e papranueshme që të tentohet njollosja e këtij hoxhe të nderuar nga Gjakova, i cili ka qenë edhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ia deformuar deklaratën dhe duke ia prerë fjalimin në mënyrë tendencioze, kur në të vërtetë ai nuk ka thënë asgjë të keqe. Përkundrazi, ai ka folur mjaft korrekt dhe brenda një fryme të shëndoshë fetare e kombëtare. Ky rast është një dëshmi tjetër se hoxhallarët dhe besimtarët vazhdojnë të jenë ndër targetet kryesore të sulmeve dhe manipulimeve në shtetin e Kosovës, dhe pikërisht për këtë arsye secili prej nesh ka obligim moral që, pavarësisht bindjeve apo mospajtimeve që mund të ketë me individë të caktuar, të mos heshtë kur e vërteta shtrembërohet, sepse mbrojtja e së vërtetës është parim dhe nuk duhet të varet nga pëlqimet, mospëlqimet apo interesat tona personale.
