Gazeta amerikane New York Times theksoi të martën rritjen e shqetësimit të zyrtarëve në Lindjen e Mesme për mundësinë e një sulmi ndaj Iranit në ditët në vijim.
Sipas saj, sulmi i mundshëm mund të shkaktojë sulme hakmarrëse kundër bazave amerikane në rajon nga Irani dhe aleatët e tij.
New York Times citoi një zyrtar amerikan, pa ia përmendur emrin, i cili tha se aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln” ka hyrë, së bashku me tre anije luftarake të pajisura me raketa “Tomahawk”, në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM) në perëndim të Oqeanit Indian.
Gazeta shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 12 avionë luftarakë të tipit F-15 në rajon, për të forcuar praninë ajrore, sipas zyrtarëve amerikanë.
Ndërkohë, të hënën, kanali privat izraelit Channel 14, i afërt me kryeministrin Netanyahu, publikoi detaje nga një takim i mbajtur të dielën mes shefit të shtabit izraelit Eyal Zamir dhe komandantit të CENTCOM-it Brad Cooper, i cili tha se strategjia e vendit të tij bazohet në një “operacion të shkurtër, të shpejtë dhe të pastër” kundër Iranit, duke shtuar se SHBA-të janë gjithmonë të gatshme për çdo veprim të kufizuar.
/Burimi: New York Times + Anadolu/
